Imzot Gjergj Meta: Sinodi dhe Kisha në Shqipëri
R.SH. / Vatikan
Ndër 363 pjesëmarrës nga mbarë bota, në sesionin e dytë të Asamblesë së përgjithshme të gjashtëmbëdhjetë të zakonshme të Sinodit mbi sinodalitetin e Kishës, që u mbajt në muajin tetor në Vatikan, janë edhe dy ipeshkvij nga Kisha Katolike e Shqipërisë: kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Arjan Dodaj dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë e ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta.
“Dokumenti është dhuratë për të gjithë Popullin e Zotit, në larminë e shprehjeve të tij”, kështu e interpreton Papa Françesku “frutin e viteve, të paktën tre, në të cilat dëgjuam Popullin e Zotit”, që shënon përfundimin e asamblesë së përgjithshme të zakonshme të XVI të Sinodit. Siç dihet, Dokumenti përfundimtar i Sinodit, i votuar të shtunën që kaloi, u botua dhe nuk do të bëhet objekt nxitjeje apostolike nga Papa: Ati i Shenjtë Françesku vendosi që ky dokument të botohet e të shpërndahet menjëherë në mënyrë që të frymëzojë jetën e Kishës. Pra, procesi sinodal nuk përfundon me përfundimin e kuvendit të Sinodit, por përfshin edhe fazën e zbatimit. Është përfshirja e të gjithëve në "udhëtimin e përditshëm me një metodologji sinodale konsultimi dhe shoshitjeje, duke identifikuar metoda konkrete dhe shtigje formimi për të arritur në një kthesë sinodale të prekshme në realitetet e ndryshme kishtare".
Në Dokument, veçanërisht, kërkohet shumë nga ipeshkvijtë në lidhje me angazhimin e tyre ndaj transparencës dhe llogaridhënies. Kishat vendase janë në qendër të horizontit misionar, që është edhe vetë themeli i përvojës së pluralitetit të sinodalitetit, me të gjitha strukturat në shërbim të misionit, me laikët gjithnjë e më shumë në qendër dhe protagonistë në Kishës. E, nga ky këndvështrim, konkretësia e rrënjosjes në "vend" del me forcë nga Dokumenti Përfundimtar i këtij Sinodi.
Po më hollësisht mbi dokumentin përfundimtar e vlerën e këtij Sinodi për Kishat vendore, në mirkrofonin e Klaudia Bumçit, flet kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë e ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta. Ta dëgjojmë...