Kërko

 San Giovanni Paolo II, beato padre Jerzy Popiełuszko San Giovanni Paolo II, beato padre Jerzy Popiełuszko

Gjon Pali II për Atë Popiełuszko: liria në të Vërtetën

Gjon Pali II, me bashkatdhetarët e tij dhe gjithë Kishën, jetoi dramën e rrëmbimit dhe vdekjes së Don Jerzy Popiełuszko, vrarë nga shërbimet komuniste të sigurimit 40 vjet më parë, më 19 tetor 1984. Kur Polonia rifitoi lirinë, më 1989, Papa kujtoi se dëshmia e kapelanit të Solidarność ishte më e rëndësishme atëhere, sesa nën zgjedhën komuniste. E quajti shenjt pajtor të pranisë polake në Evropë, ndërsa Benedikti XVI e shpalli të lum më 6 qershor 2010, në Varshavë

R.SH. / Vatikan

Papa Gjon Pali II dhe Don Jerzy Popiełuszko ndoshta nuk janë takuar kurrë. Kur Papa Wojtila shkoi në Poloni në vitin 1983, regjimi ia refuzoi kapelanit të Solidaritetit lejen e nevojshme. Don Jerzy, si të gjithë meshtarët e brezit të tij, u ndikua fuqishëm nga Papa polak. E tregojnë predikimet e tij. Gjon Pali II e njihte shërbimin e kapelanit të punëtorëve të Varshavës. E edhe predikimet e tij. I dërgoi përshëndetjet e edhe një rruzare. Ishte para 3 nëntorit të vitit 1984, kur duart e priftit të vdekur kryqëzoheshin në arkivol.

Flijim, që të çon në ringjallje

Papa Gjon Pali II, së bashku me polakë të tjerë, morën pjesë në dramën e rrëmbimit të Don Jerzy-t. Gjatë audiencës së përgjithshme dhe në Angelus, Vojtila kërkoi lutje për të dhe iu drejtua ndërgjegjes së rrëmbyesve. Kur erdhi lajmi për zbulimin e trupit të Don Jerzy-t, Papa e kuptoi shumë shpejt se ky martirizim do të kishte një rëndësi vendimtare në luftën e Polonisë për pavarësi. Të nesërmen, më 31 tetor 1984, në audiencën e përgjithshme, theksoi:

“I krishteri thirret për fitore në Jezu Krishtin. Kjo fitore është e pandashme nga vështirësitë, nga vuajtjet, ashtu si Ngjallja e Krishtit është e pandashme nga Kryqi. Dhe tashmë sot ai fitoi, edhe nëse shtrihet nën dhe”.

Në një seancë tjetër, të mërkurën, shtoi:

“Kjo vdekje është edhe dëshmi. Unë lutem për Don Jerzy Popiełuszko, lutem edhe më shumë për të mirat që do të vijnë nga kjo vdekje, ashtu si Ringjallja nga Kryqi".

Dëshmia në kohën e lirisë

Pesë vjet më vonë Polonia ishte vendi i parë në bllokun komunist që rifitoi lirinë. Në këto kushte të reja, Gjon Pali II u kujtoi edhe një herë bashkatdhetarëve qëndrimin e Don Jerzy-t. “Flet dëshmia e këtij prifti, e cila nuk është e parashkruar, por e rëndësishme! E jo vetëm dje, por edhe sot. Ndoshta edhe më shumë sot”, pati thënë Papa në audiencën e përgjithshme më 31 tetor 1990. Që atëherë, ai vijoi ta kujtojë dëshminë e Don Jerzy, për t'u treguar polakëve se si duhet të lidhen me Evropën dhe me ndryshimet, që ndodhin në të.

Më 14 shkurt 1991, në një seancë dëgjimore për Lech Wałęsa-n, ai theksoi se "Polonia nuk e tradhtoi kurrë Evropën! Ajo ndihej përgjegjëse për komunitetin e kombeve evropiane. Priste ndihmë prej Evropës, por dinte edhe të vdiste për të". Në këtë kontekst, Papa kujtoi paqen e padrejtë të vendosur nga Konferenca e Jaltës. Theksoi edhe se kombi nuk u pajtua kurrë me këtë dhe nuk iu nënshtrua ideologjisë dhe totalitarizmit të imponuar. “Ai mbrojti dinjitetin dhe të drejtat e tij me shumë vështirësi dhe me çmimin e sakrificave të mëdha”, tha Papa Wojtyla, duke nënvizuar se simboli i kësaj ishte ndër të tjera edhe Don Jerzy.

Shenjt pajtor i pranisë polake në Evropë

 Gjon Pali II e kujtoi dhe një herë kapelanin e Solidarnosc disa muaj më vonë, gjatë udhëtimit të tij në atdheun e tij. Në atë kohë u angazhua në një polemikë të hapur me ata që postuluan kthimin e Polonisë në Evropë, duke theksuar se polakët nuk duhet të kthehen në Evropë, sepse janë tashmë atje. “Ne nuk duhet të hyjmë në të, sepse e krijuam ne dhe e krijuam me më shumë vështirësi sesa ata, të cilëve u atribuohet ose që pretendojnë një patentë për evropianitetin, ekskluzivitetin. (…) Si ipeshkëv i Romës, dëshiroj të protestoj kundër këtij kualifikimi të Evropës, të Evropës Perëndimore. Kjo e fyen botën e madhe të kulturës, kulturën e krishterë, nga e cila  kemi shuar etjen dhe e kemi bashkëkrijuar, edhe me çmimin e vuajtjeve tona. (…) Kultura evropiane u krijua nga dëshmorët e tre shekujve të parë, u krijua edhe nga martirët e Lindjes në dekadat e fundit - dhe në vendin tonë në dekadat e fundit. Don Jerzy e krijoi atë. Ai është mbrojtësi i pranisë sonë në Evropë me çmimin e flijimit të jetës së tij, si Krishti. E ashtu si Krishti, ka të drejtën e qytetarisë në botë, të drejtën e qytetarisë në Evropë, sepse dha jetën e tij për të gjithë ne” (homeli për Włocławek, 06.7.1991).

Që të mos ju myket ndërgjegjja!

Po pse Gjon Pali II i kushtoi kaq shumë rëndësi dëshmisë së Don Jerzy-t në kohët e reja, pas rënies së totalitarizmit marksist? Në njëfarë kuptimi, vetë Papa e dha përgjigjen duke cituar, gjatë audiencës së lartpërmendur të vitit 1990, disa thënie të meshtarit-martir:

“Për të mbetur njeri i lirë shpirtërisht, duhet jetuar në të vërtetën. Të jetosh në të vërtetën do të thotë ta dëshmosh kudo, të njohësh veten në të dhe ta kujtosh atë në çdo situatë. E vërteta është e pandryshueshme. E vërteta nuk mund të shkatërrohet me një apo një tjetër vendim, me një apo një tjetër rregull” (31.10.1982). “Të vëmë në krye të vendit të vërtetën, nëse nuk duam të na myket ndërgjegjja” (27.02.1983).

Interes i veçantë i mediave të Vatikanit

Vlen të nënvizohet interesi i jashtëzakonshëm i medias së Vatikanit në atë kohë për rrëmbimin dhe vdekjen e Don Popiełuszkos. Që nga 22 tetori 1984, Osservatore Romano raportoi çdo ditë zhvillimet e situatës në faqen e saj të parë. “E gjithë Polonia në ankth për At Jerzy Popiełuszko”; “Orë ankthi në Poloni për priftin”; “Ankth për Fr. Popiełuszko. Papa: Paqe për Poloninë” – këta janë titujt e ditëve të para pas rrëmbimit. Më 25 tetor, gazeta e Vatikanit e pasqyroi përsëri në faqen e parë, arrestimin e rrëmbyesve dhe të nesërmen citoi fjalët e gjeneralit Jaruzelski, i cili e dënoi rrëmbimin.

Në botimet e mëvonshme të L'Osservatore Romano, u cituan një tjetër thirrje nga Papa dhe reagimet e botës, duke përfshirë fjalët domethënëse të kardinalit Jean-Marie Lustiger, kryepeshkop i Parisit: "Ne jetojmë në një epokë vrasësish".

Thua duhet t’i përsërisim edhe më shpesh në kohën tonë këto fjalë tronditëse!

19 tetor 2024, 15:52