Kërko

Katolikë e myslimanë kremtojnë vëllazërisht Shën Mëhillin në Malbardhë

Të dielën e kaluar, më 29 shtator, në Kishën e vogël të shekullit XIII në Malbardhë, në famullinë e Milotit (Shqipëri), me kremtimin e Eukaristisë Shenjte ( Meshë) kryesuar nga famullitar At Jesus Yrady, në një gëzim vëllazëror u festua Shën Mihilli së bashku nga besimtarë myslimanë dhe katolikë.

R.SH. / Vatikan

Të dielën e kaluar, më 29 shtator, në Kishë të vogël të shekullit XIII në komunitetin Malbardhë, në famullinë e Milotit (Shqipëri), me kremtimin e Eukaristisë Shenjte ( Meshë) kryesuar nga famullitar At Jesus Yrady, në një gëzim vëllazëror u festua Shën Mihilli së bashku nga besimtarë myslimanë dhe katolikë.

Në komunitetin e Malbardhit vetëm 10% e banorëve janë katolikë, 90% e banorëve të tjerë janë myslimanë, por kjo nuk e pengon komunitetin të bashkohet në momente të ndryshme të jetës së banorëve të të dyja besimeve, siç dëshmoi edhe devocioni ndaj shën Mihillit, të dielën e kaluar më 29 shtator.

Famullitari i Milotit At Jesus Yrady MF (anëtar i Misionarëve të Fesë), i shoqëruar nga Motrat Engjëllore të Shën Palit (Motrat Engjëllore), në predikimin e tij nënvizoi rolin që kryeengjëjtë, pajtorët qiellor, kanë në jetën e njerëzimit. “Kisha i nderon engjëjt që e ndihmojnë në shtegtimin e saj tokësor dhe mbrojnë çdo qenie njerëzore” (C.C.C. 352). Ky mësim i mbështetur në Shkrimin e Shenjtë sjell pika të përbashkëta me komunitetin mysliman që e nderon figurën e këtij Kryeengjëlli.

Festa e Shën Mihilli u përjetua në një atmosferë vëllazërore gëzimi, respekti dhe bashkëndarjeje, me valle e këngë tradicionale dhe një vakt të përbashkët. Dialogu ndërfetar që këtu kultivohet në thjeshtësinë dhe përulësinë e njerëzve është shembull për mbarë botën, dhe kontribuon edhe në forcimin e vlerave të harmonisë e të lirisë fetare, pohon At Jesus Yrady nga Miloti.

02 tetor 2024, 13:16