Kërko

2022.06.06 Vescovo Pavlo Honcharuk 2022.06.06 Vescovo Pavlo Honcharuk

Kharkiv, ipeshkvi: faleminderit Papës për thirrjet, duam të jetojmë të lirë

Imzot Pavlo Honcharuk kujton fjalët shqiptuar nga Françesku më 13 tetor dhe, në prag të dimrit, bën thirrje për përgatitje, sepse rusët "po bombardojnë infrastrukturën" për të siguruar që "kaldajat të mos funksionojnë, në mënyrë që njerëzit, të moshuarit, fëmijët, të rinjtë, të sapolindurit të zhduken".

R.SH. - Vatikan

Faleminderit Papës për lutjet kushtuar Ukrainës, për shqetësimin e tij dhe për thirrjet për paqe. Ipeshkvi i Kharkiv-Zaporizhzhia i Latinëve, Imzot Pavlo Honcharuk, rikujton fjalët e Françeskut, shqiptuar në përshëndetjet pas Engjëllit të dielën, 13 tetor, kur Papa i drejtoi bashkësisë ndërkombëtare lutjen të mos lejojë që “ukrainasit të vdesin nga e ftohta” dhe t’i jepet fund “sulmeve ajrore kundër popullatës civile, gjithnjë më e prekura”, sepse “mjafton të vrasësh të pafajshëm”. Ipeshkvi i bën të tijat kërkesat e të gjithë popullit: dëshirën për të jetuar - e për jetuar në paqe, për të “jetuar si njerëz të lirë në trojet tona, në tokën tonë”, duke respektuar drejtësinë, të vërtetën, lirinë, jetën dhe dinjitetin njerëzor, edhe ndaj të tjerëve, popujve dhe kulturave të tjera.

Të zhvendosurit në Kharkiv

Në Ukrainë jetojmë në terrorin që vjen nga Rusia - vazhdon Ipeshkvi - po bombardojnë infrastrukturën, po bëjnë gjithçka për të shuar dritat, që të mos funksionojnë kaldajat, që njerëzit, të moshuarit, fëmijët, të rinjtë, të sapolindurit, thjesht të zhduken”.

 Imzot Honcharuk përshkruan situatën në Kharkivin, që po mirëpret njerëzit e zhvendosur nga vendet afër vijës së frontit ku "ka përleshje të rënda". “Disa nga këta njerëz të zhvendosur - shpjegon ai - mbeten në Kharkiv, të tjerët vazhdojnë në rajone të tjera të vendit. Mbi të gjitha, të moshuarit po mendojnë se ku të shkojnë, ashtu si ata me fëmijë. Nëse nuk kanë vend, mbeten në qytet”, me administratën komunale, duke bërë çka është më e mirë, duke organizuar transportin e qytetit falas dhe duke siguruar strehim e, me organizata të ndryshme “përpiqen të ndihmojnë, ndonëse në mënyrë shumë të kufizuar. Ky është problem i madh, sepse njerëzit humbën gjithçka kishin dhe tani jetojnë në konvikte”.

Frika nga dimri

Dimri, që po troket tek porta, pritet me shumë frikë! Përgatitemi ta përballojmë me energjinë elektrike, që ndërpritet për disa orë çdo ditë.  Urgjenca nis kur të fillojë i ftohti dhe njerëzit do të kërkojnë ngrohjen. Do të kërkojnë të ndizet “zjarri”! Pikërisht në këtë çast "mund të ketë probleme dhe nëse rusët godasin përsëri dhe shkatërrojnë diçka, siç bëjnë sistematikisht, gjendja mund të keqësohet edhe më shumë". Qyteti – kujton me pikëllim të thellë Prelati - "po përgatitet" me vetëdijen e hidhur se "do të jetë shumë e vështirë" dhe se "do të ketë sulme të tjera", prandaj të gjithë presim, në tension, "por pa panik, pa dëshpërim”.

Mendimet dhe falënderimet tona i takojnë, pra, Papës - përfundon ipeshkvi - por edhe të gjithë atyre që mbështesin "të vërtetën, drejtësinë, ndershmërinë, mirësjelljen, dashurinë, përgjegjësinë". Nga të gjithë kërkojmë lutje, me bindje të plotë se "Zoti do ta tregojë fitoren e tij”.

16 tetor 2024, 13:11