Libani, dëshmia e JRS: njerëzit kanë frikë nga një konflikt me intensitet të ulët
R.SH. / Vatikan
Ndjehet pothuajse nga të gjithë libanezët e zhvendosur, por edhe nga refugjatët sirianë dhe emigrantët aziatikë dhe afrikanë të strehuar në Liban. frika se situata "mund të vazhdojë të degjenerojë dhe të bëhet konflikt me intensitet të ulët". Këtë e dëshmon nga Bejruti Luca Ricciardi, kreu i programeve të Shërbimit Jezuitë të Refugjatëve (JRS), në Lindjen e Mesme, organizatë ndërkombëtare katolike e cila, në Tokën e Kedrave, merret me projekte arsimore dhe mbështetjeje psikosociale për fëmijët dhe të rriturit, migrantët dhe personat e zhvendosur.
Çdo të thotë të mos kesh më shtëpi
Në tri javët e fundit, që nga fillimi i operacioneve izraelite në Liban, me vazhdimin e lëshimeve të raketave të Hezbollahut, sipas OKB-së të paktën 1.2 milionë njerëz janë detyruar të ikin nga zonat jugore dhe lindore, në një vend «që po jeton tashmë ngjarje shumë të rënda, luftën civile, atë të vitit 2006, shpërthimin e portit të Bejrutit më 2020-tën, krizën ekonomike”. “Shpresohet që e gjithë kjo të përfundojë menjëherë, por - pohon Ricciardi - kuptohet se shumë nga viset në jug nuk do të jenë të banueshme për një periudhë të gjatë: shumë prej atyre fshatrave janë shkatërruar plotësisht nga sulmet izraelite dhe për këtë arsye, ato popullata shqetësohen, nga që nuk e dinë se ku do të rikthehen.
Gjithnjë e më shumë njerëz të zhvendosur dhe refugjatë
Prandaj, shpjegon kreu i programeve të JRS (Jesuit Refugee Service) për Lindjen e Mesme, "një numër gjithnjë në rritje i njerëzve zhvendosen drejt Bejrutit ose drejt veriut". Ata që ikin, shpjegon Ricciardi, janë «kryesisht libanezë, nga zonat e prekura aktualisht, kryesisht shiitë dhe sirianë, të cilët përveç lëvizjes brenda Libanit, po kthehen gjithashtu pjesërisht në atdheun e tyre, duke shkaktuar shqetësime serioze për kthimin në zona të pasigurta të Sirisë”, ku një luftë tjetër po vazhdon prej më shumë se një dekade. Libani pret 1.5-2 milionë refugjatë sirianë. E në orët e fundit ka pasur bastisje edhe në zonat kufitare. "Kalimi kryesor ndërmjet Libanit dhe Sirisë, ai midis Baalbekut dhe Damaskut, u bombardua, kështu që deri më sot transferimi nga toka nuk është i mundur dhe situata është, sigurisht, shumë e rrezikshme".
Garantoni shërbimet më të domosdoshme
Brenda Libanit, pra, në zonat më të prekura nga operacionet e luftës, «ku megjithatë një pjesë e popullsisë ka vendosur të qëndrojë, ndjehet nevoja për të garantuar shërbimet minimale, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe sigurinë. Pra, si qeveria libaneze, Kryqi i Kuq dhe organizatat ndërkombëtare po përpiqen t'i mbështesin ato zona, me vështirësi ekstreme. Ka edhe popullsi të shpërngulur nga jugu: “Në breg të detit të Bejrutit dhe në sheshin kryesor ka njerëz të grumbulluar, të cilët pas tri javësh nuk dinë ende ku të shkojnë”. “Janë ngritur rreth 800 strehë qeveritare, që sot janë përplot. Ndonëse shumë njerëz priten nga anëtarët e familjes”. Ajo që vëmë re është se “po shfaqet një kohezion i fortë: shumë organizata të vogla vullnetare apo individuale po përpiqen të mbështesin, duke shpërndarë dyshekë dhe ushqime”, të gjithë popullsinë që aktualisht nuk ka strehë. “Më pas është përgjigja e qeverisë dhe e organizatave ndërkombëtare, përfshirë JRS-në, e cila përpiqet t'u vijë në ndihmë njerëzve që ndodhen në strehimore, me nevojat elementare dhe çdo gjë që identifikohet si nevojë. Në të njëjtën kohë, JRS po merret drejtpërdrejt me dy strehimore, në Bejrut dhe më tej, në veri, për bashkësitë e emigrantëve që nuk dinë ku të shkojnë: janë njerëz që mbërrijnë këtu për punë, kryesisht ndihmës shtëpiakë, të kombësive të ndryshme, nga Filipinet, Sri Lanka, Etiopia, Sudani. Ne presim rreth 100 emigrantë, falë punës së bërë nga JRS gjatë 50 viteve të fundit, e cila ka krijuar një lidhje me këto komunitete, kështu që streha e tyre e parë ishte zyra e JRS" –kujton me shqetësim nga Bejruti Luca Ricciardi, kreu i programeve të Shërbimit Jezuit të Refugjatëve.