Suor Rebecca Nazzaro Suor Rebecca Nazzaro

Motra Nazzaro: "Shpresa për shtegtime në Tokën Shenjte nuk është zhdukur"

Drejtoresha e re e Veprës Romake të Shtegtimeve falënderon Papën dhe vikarin e përgjithshëm të dioqezës së Romës, që e zgjodhën atë si gruan e parë në drejtim të Zyrës për kujdesin baritor të shtegtimeve të Vikariatit. "E thirrur për të përcjellë dashurinë e Krishtit në botë përmes rrugës së bukurisë". Jubileu 2025 është i pari ndër prioritetet

R.SH. / Vatikan

Motra Rebecca Nazzaro i falënderon nga zemra Papën Françesku dhe vikarin e përgjithshëm për dioqezën e Romës, Kryeipeshkvin Baldo Reina: “Jam shumë mirënjohëse që u thirra të përcjell dashurinë e Krishtit në botë përmes rrugës së bukurisë”. Mision, që motra Nazzaro e ndjen edhe më shumë të sajin, pasi u emërua, më 19 tetorin e kaluar, drejtoreshë e re e Zyrës për Baritorinë e Shtegtimit (Orp) të Vikariatit të Romës. “Për ne bukuria shkëlqen në vendet e prekura nga shtegtarët, vise ngarkuar me histori, kulturë e fe” - shpjegon në një intervistë për mediat e Vatikanit.

Cikje femërore

Eprorja e përgjithshme e Misionarëve të Zbulesës Hyjnore, Motër Rebeka Nazzaro, 67 vjeçe, është gruaja e parë që zgjidhet për të udhëhequr kujdesin baritor të shtegtimeve. Është diçka e re, por që nuk e habit shumë: «Gratë, veçanërisht gratë e kushtuara, kanë pasur gjithmonë rol shumë të rëndësishëm në Kishë. Mendoni për shkollat, spitalet, ambulancat, kujdesin për të varfërit, të burgosurit. Një det bamirësie në të cilin dora e femrës ka qenë protagoniste ndër shekuj, me thjeshtësinë e dashurisë ndaj Jezusit”.

Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës, motra Nazzaro ka nisur të shqyrtojë sfidat që e presin. E para, ndoshta një nga më të rëndësishmet dhe më të vështirat, do të jetë ajo e jubileut të vitit 2025. “Para së gjithash, ne kemi një dëshirë: njerëzit që mbërrijnë në Romë nuk duhet të kenë vetëm   mikpritje të mirë materiale, strehim, ushqim, transport. Ata duhet të jenë në gjendje të takohen me përshpirtërinë”. Bukuritë artistike dhe arkitekturore që ofron Roma do të jenë mjeti kryesor për të komunikuar fenë, për të bërë të njohur historinë e Kishës dhe të ardhmen e saj.

Nisma prekëse

Ka ide të shumta bindëse. Drejtoresha e Veprës Romake të Shtegtimeve nuk i kujton të gjitha (do të ishte e tepërt), por ato, të cilat i citon me entuziazëm e bëjnë të qartë se Viti Shenjt, që po vjen, do të jetë mundësi të cilën ajo nuk dëshiron absolutish ta humbasë: «Menduam, ndërmjet tjerash, nismën “Shtegtarë për një ditë”, e cila do të lejojë këdo që dëshiron, të marrë pjesë në një audiencë papnore ose në Lutjen e Engjëllit të Zotit dhe më pas të kalojë Portën e Shenjtë të njërës prej bazilikave. Ose, të ofrojmë mundësinë e një programi prej tri ditësh e dy netësh, i cili përfshin turne me prijës, për të zbuluar Romën magjepsëse të krishterë". Pa llogaritur se shtegtarët do të kenë mundësinë të admirojnë bazilikat, kishat dhe monumentet e qendrës historike në rrugë të ndryshme që ORP (Vepra Romake e Shtegtimeve) i ka pajisur tashmë me autobusë modernë panoramikë.

Toka e Shenjtë, në zemër

Një sfidë tjetër delikate për t'u përballuar do të jetë ajo e krijuar nga situata dramatike dhe e përgjakshme në Lindjen e Mesme. “Zemra e shtegtimeve tona - pranon murgesha - ishte Toka e Shenjtë. Por tani boshti është zhvendosur. Janë shtuar shtegtimet në Romë dhe në viset italiane, zemër e krishterimit, ashtu si në Lourdes, Fátima, Santiago de Compostela:  çka na duket thellësisht e mirë, është se shtegtimi nuk ka vdekur, mbetet, mbasi është parafrazë e jetës. Njeriu ndjen nevojën për të ecur, për të arritur qëllimin, që për ne është Mbretëria e qiejve”.

Megjithatë, kushdo që do të mendonte se shtegtimet në Tokën e Shenjtë janë anuluar, do të gabohej: "Ne i kemi përfshirë në program deri në gjysmën e parë të vitit 2025, sepse shpresojmë që të mund të fillojmë përsëri në çdo çast".

Edhe ata në Turqi, që ndjekin gjurmët e apostujve, tashmë janë planifikuar: “Ne do të shkojmë atje, ndër të tjera, për një përvjetor të rëndësishëm: 1700 vjetorin e Koncilit të Nikesë; tashmë janë caktuar edhe datat. Sigurisht, duhet të kemi gjithnjë parasysh situatën në zhvillim”.

Të punosh për të mirën e përbashkët

Prekja femërore, që Motra Rebecca vendosi t'i japë drejtimit të saj të ri të Veprës Romake të Shtegtimeve përmblidhet me një fjalë kyçe, që i shkon shumë për zemër dhe që do të donte të bëhej fjalë e ditës për të gjithë ata që punojnë me të: bashkëpunimi. “Do të doja - shpjegon ajo - që bashkësia jonë të bëhet shembull për t'u ndjekur. Sa më shumë të punosh për një qëllim të përbashkët, me sinqeritet dhe mikpritje, aq më tepër mund të bësh gjëra të mira, për të mirën e përbashkët. Jemi thirrur të gjithë të vozisim në të njëjtin drejtim”.

30 tetor 2024, 13:40