Ndërroi jetë Gustavo Gutiérrez, mbrojtësi i të varfërve dhe teologu i çlirimit
R. SH. - Vatikan
Kapitulli 25 i Ungjillit të Mateut, ai i veprave të mëshirës, qe busulla e tij. Mandati i Krishtit - "çfarëdo që bëre për një nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma bëre mua" - çelësi i mendimit të tij. "Kujdesi për të varfërit" kujdesi kryesor i tij.
Mbrëmë, e marte 22 tetor, Gustavo Gutiérrez, teologu dhe domenikani, i konsideruar si "babai" i Teologjisë Çlirimtare, ndërroi jetë në manastirin e Shën Domenikut në Lima (Peru). Ishte 96 vjeç.
Jetë e gjatë, e kaluar duke studiuar, duke menduar, duke reflektuar, duke folur e shpesh, edhe duke luftuar. Duke luftuar për një mendim teologjik që ndonjëherë kritikohej ose shikohej me dyshim, por që, siç thoshte ai, nuk i kishte rrënjët askund tjetër, përveçse në Ungjill. Në Lajmin e Mirë dhe mesazhin e tij shpërthyes, që vijon të na kujtojë se vendi i parë u përket të varfërve, të fundmëve, të thjeshtëve!
Opsioni preferencial për të varfërit
Ishte ai që krijoi shprehjen "opsioni preferencial për të varfërit", përfshirë më vonë në Magjisterin e Kishës si rrugë themelore për ta jetuar fenë. Gjon Pali II pranoi "se opsioni preferencial për të varfërit nuk është as ekskluziv dhe as përjashtues, por i fortë dhe i pakthyeshëm". Ndërsa Benedikti XVI, në vitin 2007, në shenjtëroren e Aparecidës, Brazil, deklaroi se "opsioni preferencial për të varfërit nënkuptohet në besimin kristologjik në atë Zot, që u bë i varfër për ne".