Në Asizi hapet G7 për aftësinë e kufizuar

Tri ditë takimesh dhe debatesh në Umbria, duke vënë në qendër të agjendave temat e përfshirjes dhe të aftësisë së kufizuar. Ky, qëllimi i nismës, lindur nën presidencën italiane, që përfshin edhe nënshkrimin e Kartës Solfagnano. Dokumenti do t'i paraqitet Papës Françesku të premten e ardhshme

R.SH. - Vatikan

Në qytetin e Shën Françeskut, emblemë paqeje dhe harmonie, flitet për ata, që nuk kanë të njëjtat mundësi - si dhe ata, që shpesh i shohin të drejtat e tyre të nëpërkëmbura a të shkelura. "Kemi para nesh një mundësi vërtet historike, të cilën duhet të jemi në gjendje ta shfrytëzojmë, jo ta shpërdorojmë": kështu e shpjegoi ministrja për aftësitë e kufizuara, Alessandra Locatelli, në një intervistë me Osservatore Romano, kuptimin e G7-ës së parë për përfshirjen e aftësisë së kufizuar. Takimi u hap sot, 14 tetor, në Asizi dhe më pas - më 15 dhe 16 tetor - do të zhvendoset në Kështjellën Solfagnano, ku do të shkruhet edhe Karta për përfshirjen dhe aftësinë e kufizuar që, ndërsa aftësia e kufizuar dhe përfshirja janë në qendër të agjendës ndërkombëtare, do t'i paraqitet të enjten e ardhshme Papës Françesku.

Programi

Synimi i nismës - shpjegoi ministrja në konferencën për shtyp - është të shumëfishojë përpjekjet e secilit vend për akses universal, një parim kyç i Konventës së OKB-së, për të garantuar pjesëmarrjen e plotë të çdo personi në jetën civile, sociale dhe politike.

Në orën 10.30, në Sheshin e Poshtëm të Bazilikës së Asizit, u paraqit vula postare e pullës kushtuar G7-ës së parë për përfshirjen dhe aftësinë e kufizuar, ndërsa në orën 15:00 nisi ceremonia e mirëseardhjes së delegacioneve ministrore, pasuar nga rreth tri mijë vetë. Ishin të pranishëm edhe tre grupe, me 80 muzikantë, nga të cilët - 50 me aftësi të kufizuara - të cilët luajtën himnin kombëtar të vendit të vet.

Në rrugët e Asizit ka rreth 100 stenda të realizuara nga sektori i tretë, të cilat paraqesin projektet e tyre dhe gjithashtu kamionë ushqimorë nga e gjithë Italia, ku punojnë të rinjtë me autizëm dhe aftësi të kufizuara të tjera.

Për të shkruar Kartën

15 tetori do të jetë ditë diskutimi, në të cilën do të marrin pjesë rreth 160 delegatë. Do të ketë 6 panele, në të cilat ekspertë nga e gjithë bota do të diskutojnë rreth disa temave, si “Përfshirja, përparësi në agjendën e të gjitha vendeve”; “Aksesi universal dhe parandalimi e menaxhimi i emergjencave”; “Përfshirja e jetesës dhe e punës së pavarur”; “E drejta e secilit për pjesëmarrje të plotë në jetën civile, sociale dhe politike”; “Inteligjencë Artificiale” dhe, në fund, “Sport dhe shërbime për të gjithë”. Mes folësve - shpjegon Locatelli - do të jenë, ndërmjet të tjerëve, Luca Pancalli, president i Komitetit Paraolimpik; Don Paolo Benanti, president i Komisionit të Inteligjencës Artificiale për Informacionin e Departamentit të Informimit dhe Botimet e Presidencës së Këshillit të Ministrave si dhe profesor Filippo Ghelma, drejtor i Dama (Asistencë e avancuar mjekësore për personat me aftësi të kufizuara) në Spitalin San Paolo - Qendra Universitare e Shenjtorëve Pali e Karli e Milanos. Për këtë rast, mbi 20 shoqata që punësojnë fëmijë me aftësi të kufizuara, do të punojnë brenda Kalasë, duke garantuar shërbime të ndryshme. Më 16 tetor, takimi do të jetë me dyer të mbyllura, me pjesëmarrjen e ministrave të G7 dhe të Bashkimit Evropian, por edhe të vendeve të kontaktit (Tunizia, Kenia, Afrika e Jugut, Vietnami). Do të miratohet dhe Deklarata përfundimtare, Karta Solfagnano, e cila do t'i sillet Papës të enjten, më 17 tetor.

Rast për t’u shfrytëzuar

“Ky takim i G7 është platformë e vërtetë për atë ndryshim mendësie, që Papa Françesku e nxit vazhdimisht: ndërtimin e një shoqërie ku çdo njeri, pavarësisht nga aftësitë e tij, mund të ndihet i mirëpritur dhe i vlerësuar”. Kështu shkruan në faqet e gazetës  "Avvenire" Motra Veronica Donatello, Shefe e Shërbimit Kombëtar për Kujdesin Baritor të Personave me Aftësi të Kufizuara të CEI-t. “Vendimet e G7 mund të shënojnë një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmjeje më gjithëpërfshirëse, ku personat me aftësi të kufizuara nuk do të fshihen më ndër skuta por, duke kapërcyer logjikën e mirëqenies, do të mund të hyjnë më në fund në procese e të kenë vend edhe në vendimet politike dhe sociale”. Në të njëjtën linjë, Roberto Speziale, president kombëtar i Anffas, Shoqata Kombëtare e Familjeve të Personave me Aftësi të Kufizuara Intelektuale dhe/ose Marrëdhënie. “Ajo që shpresojmë është që të mos mbeten vetëm fjalë dhe që kjo mundësi të shfrytëzohet dhe të shndërrohet në angazhim dhe veprime konkrete për t'i garantuar çdo personi me aftësi të kufizuara kushte drejtësie dhe barazie si dhe pjesëmarrje aktive në jetën e shoqërisë”.

Di Maolo, presidente e Serafico: vëmendja e shumëpritur

“Është fillimi i një procesi që e kemi pritur prej disa kohësh”, shpjegon Francesca di Maolo, presidente e Institutit Serafik të Asizit, një ekselencë në fushën e aktivitetit rehabilitues, që do të presë edhe ngjarjen me titullin simbolik “Mirëpresim”, në të cilin fëmijët e institutit do të krijojnë një vepër arti kolektive në emër të një fshati gjithëpërfshirës dhe pa pengesa. “Në vitin 2022 Papa Françesku u takua në Asizi me ekonomistë të rinj, changemakers dhe sipërmarrës nga e gjithë bota, si pjesë e Ekonomisë së Françeskut, të cilët diskutuan për temën e ekonomisë gjithëpërfshirëse”, nënvizon Di Maolo - “me atë rast të rinjtë pyetën veten nëse një ditë, ekonomitë e mëdha të botës do të ishin në gjendje të vendosnin në qendër të diskutimeve të tyre çështje të tilla si jeta dhe përfshirja. Ajo ditë erdhi. Vendet e mëdha të botës e kanë kuptuar rëndësinë e vendosjes së prioritetit në axhendat e tyre, atë të pjesëmarrjes në jetën politike dhe ekonomike të të gjithëve, veçanërisht të personave me aftësi të kufizuara”.

14 tetor 2024, 16:12