Petku i Françeskut rikthehet në Firence pas 23 vitesh: vulë ndërmjet Shenjtit dhe qytetit

Deri më 3 nëntor në kryeqytetin toskan do të mund të vizitohet, në Palazzo Vecchio, ekspozita kushtuar lidhjes historike dhe shpirtërore ndërmjet shenjtërores françeskane të La Vernës dhe qytetit. E realizuar nga MUS.E, në bashkëpunim me Komitetin Françeskan për të përkujtuar tetqindvjetorin e Varrëve të Shën Françeskut, organizohet nga Bashkia e Firences.

R.SH. / VATIKAN

Një zhgun i ashpër leshi, i ngjashëm me atë të të varfërve dhe fshatarëve, me të cilët donte të afrohej. Është zhguni i Shën Françeskut të Asizit i kthyer në kryeqytetin toskan, Firence, pas njëzet e tre vjetësh. Relikja e çmuar u soll në Firence në vitin 1503 dhe u vendos në Kishën San Salvatore al Monte alle Croci. Në vitin 1571 u zhvendos në Kishën e Ognissanti, për t'u kthyer në La Verna më 2001, dhe pikërisht këtu ruhet, në kapelën e relikeve, në Bazilikën e Zojës së Ngjitur në Qiell. Një petk, dëshmitar për jetën e Shenjtit Pajtor i Italisë, që bëhet zemra e ekspozitës: “Vula e fundit: zhguni i Shën Françeskut të Asiziz dhe një udhëtim kapitës nga Monte della Verna në qytetin e Firences”.

La Pira dhe Bargellini, dy kryebashkiakë të lidhur me Françeskun

“Qyteti ynë – shpjegon Giovanni Bettarini, Këshilltar për Kulturën i Bashkisë së Firences - ka qenë gjithmonë shumë i lidhur me figurën e Shën Françeskut. Ekspozita rishikon pikërisht këtë marrëdhënie, siç ka ecur ndër vite, por edhe lidhjen me shenjtëroren e Monte della Verna, përmes historisë së dy kryetarëve tanë shumë të dashur: Piero Bargellini dhe Giorgio La Pira, të cilët shpesh shkonin në vendin e shenjtë me familjet e tyre. Ishin ata që ndërtuan, mbi mesazhin e fuqishëm të paqes të Shenjtorit të Asizit, një reflektim të thellë mbi rolin e qyteteve në botë".

Një udhëtim virtual 360° drejt La Vernas

Ka shumë turistë të cilët, pasi kanë mbërritur në Palazzo Vecchio, në Firence, hyjnë në dhomën e armëve, që ndodhet në katin përdhes dhe befas gjinden para një video, që i çon virtualisht në La Verna, në atë vend ku tetëqind vjet më parë Françesku i Asizit priti dhuratën e Varrëve të Krishtit. Rreth faltores ku ruhet ky kujtim i çmuar, në mure u projektua një video 360°, e krijuar nga regjisori dhe videokrijuesi Francesco Cacchiani. Rikrijon ngjarjet e spikatura në historinë e shenjtërores dhe marrëdhënien e ngushtë me qytetin e Firences, përmes një udhëtimi që ndërthur historinë, artin dhe fenë. “Kjo ekspozitë - shpjegon vëlla Matteo Brena, sekretar i Komitetit Françeskan për festimet e Tetëqindvjetorit të Varrëve të shën Françeskut – përfundon një rrugëtim njëvjeçar, ku ka pasur edhe bashkëpunime të rëndësishme, si ky me Shoqatën MUS.E. Firence. Kanë qenë të shumta ngjarjet që ndodhën gjatë këtij viti dhe që përfshinë të gjithë qytetin e Firences. Edhe ky përvjetor jo vetëm që përfundon, por njëkohësisht kalon në mënyrë ideale stafetën në një tjetër tetëqindvjetor shumë të rëndësishëm, i cili do të hapet së shpejti: ai i Këngës së Krijesave".

31 tetor 2024, 12:50