Pizzaballa: një vit pas 7 tetorit, lutemi për paqen e gjithë njerëzimit
R.SH. – Vatikan
Jeta në Jerusalem nuk ishte e lehtë edhe para 7 tetorit, por sigurisht që ditët e Patriarkut të Jerusalemit të Latinëve prej një viti kanë ndjekur njëra-tjetrën intensive dhe të furishme, ndërmjet kujdesit baritor, marrëdhënieve institucionale dhe pashmangshmërisht, edhe marrëdhënieve me shtypin dhe mediat ndërkombëtare. Në këtë intervistë për mediat e Vatikanit, kardinali Pierbattista Pizzaballa përshkon një vit pas atij 7 tetori 2023, sulmit të Hamasit kundër Izraelit, që shënoi një shkallëzim të ri të luftës izraelito-palestineze. E bën këtë në prag të Ditës së lutjes e agjërimit për paqen, caktuar nga Papa Françesku për të hënën, 7 tetor.
E pyetëm çfarë ka ndryshuar që nga 7 tetori 2023 si për atë personalisht, ashtu edhe për të krishterët e Tokës së Shenjtë.
Para 7 tetorit 2023, perspektivat politike ishin sigurisht krejtësisht të ndryshme – përgjigjet ai. - Konflikti izraelito-palestinez, edhe pse në fasha, dukej se kishte hyrë në një rutinë jo veçanërisht alarmuese, aq sa nuk përbënte ndonjë përparësi për diplomacitë ndërkombëtare. Dialogu ndërfetar ndoqi rrugën e tij të zakonshme, të përforcuar nga udhëtimet e Papës Françesku dhe nga enciklika “Fratelli tutti”. Bashkësia e krishterë i jetonte veprimtaritë e saj baritore me përkushtim. E gjithë kjo, tani, duket letër e vdekur. Sot, çështja palestineze ka dalë sërish në pah, por në terma edhe më dramatike, duke e bërë edhe më të vështirë zgjidhjen. Dialogu ndërfetar po kalon një krizë të thellë. Nismat baritore të bashkësisë së krishterë duhet të rimendohen plotësisht në një kontekst të ri, plot mosbesim dhe keqkuptime. Është përhapur një urrejtje, që nuk e kishim parë kurrë më parë, si me dhunë verbale, ashyu edhe me dhunë fizike, ushtarake. E gjithë kjo nuk mund të na lërë indiferentë. Pra, kanë ndryshuar shumë gjëra. Do të na duhet të flasim sërish për të ardhmen, por duke pasur parasysh se plagët, që po lë ky konflikt janë të shumta dhe të rënda. Ishte një vit shumë i vështirë edhe për mua. Nga njëra anë, edhe nëse shtypet në kaosin e përditshëm, është e nevojshme të ruhet jeta shpirtërore. E pastaj, të dish si ta ndihmosh bashkësinë tënde të kuptojë arsyet pse duhet të qëndrojë këtu, rolin e saj. Këto janë pyetje, që nuk kanë përgjigje të sakta, gjithmonë të vlefshme me kalimin e kohës.
Ka një paradoks tragjik në këtë konflikt: sa më shumë zgjat, aq më larg i duket fundi...
Nuk e di nëse po i largohet fundi, por sigurisht që konflikti ka marrë natyrë të ndryshme. Nuk përqendrohet më në Gazë, po bëhet një konflikt rajonal, të cilin, të gjithë thonë se duan ta shmangin, por që askush nuk duket në gjendje ta ndalojë. E kam të vështirë të besoj se mund të ketë një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit, një luftë e vërtetë rajonale në Lindjen e Mesme. Por ekziston ky rrezik. Shoh edhe një rrezik tjetër, atë të mungesës së plotë të një strategjie për daljen nga konflikti. Të gjitha luftërat duhet të kenë një përfundim politik, jo ushtarak. Por, flitet vetëm për strategji ushtarake, jo për politikë. Me bindjenn se paqja mund të vijë vetëm pas fitores mbi kundërshtarin. Cila do të jetë Gaza e së nesërmes? Si do të jetë Libani? A flet ndokush për këtë? Ja pra, besoj se këto janë pyetjet për t’u bërë. Pyetje, që duhet t'i bëjë vetes edhe bashkësia ndërkombëtare, për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve. Përndryshe, mbetet vetëm një bindje morale e përgjithshme për pajtim, krejtësisht e padëgjuar.