Radio Maria në Kosovë, drejt përfshirjes më të madhe të pamjeve vizive
R.SH. - Vatikan
Nga 10 deri më 16 tetor, në Itali, u mbajt kuvendi botëror i Radio Marisë, me pjesëmarrës nga çdo anë e globit. Presidentë e drejtorë të stacioneve në gjuhë të ndryshme të Radio Marisë u mblodhën për të diskutuar mbi zhvillimet e mëtejshme të kësaj radioje katolike, pas lajmit të gëzueshëm të lejimit të shtegtimeve në Medjugorje, nga ana e Vatikanit. Kujtojmë se Radio Maria është e lidhur thellë me dukjet e Zojës në këtë vend. Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 16 tetor, Papa Françesku i përshëndeti në mënyrë të veçantë, drejtorët dhe presidentët e Radio Marisë nga të pesë kontinentet:
“Në veçanti – tha Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar shtegtarëve të gjuhës italiane – përshëndes pjesëmarrësit e Kuvendit botëror të Radio Marisë, ardhur nga vende të ndryshme dhe i nxis të përhapin vlerat e vëllazërimit e të solidaritetit, duke u bërë jehonë e jetës dhe e Kishës”.
Në studion e Radio Vatikanit - Vatican News, ftuam dy përfaqësues të trojeve shqiptare në kuvend e në takimin me Papën Françesku. Janë don Shtjefën Dodes, drejtor i programeve të Radio Marisë në Kosovë dhe Emanuel Demaj, presidenti i saj. Fillimisht na folën për kuvendin botëror, pastaj, për takimin me Atin e Shenjtë e, edhe për perspektivat e Radio Marisë në të ardhmen. T’i dëgjojmë…