Kërko

Laboratorio artigianale di Betlemme Laboratorio artigianale di Betlemme

Të krishterët e Palestinës, tek katolikët amerikanë: na ndihmoni të jetojmë në Tokën Shenjte!

Gjatë Meshës së së dielës në Kishën e Shëna Ndout, në Teksas, disa besimtarë që mbërritën nga Bregu Perëndimor, u takuan me famullitë e Kishës së Bekuar të Sakramentit, të cilët u ofruan mbështetje: "Është e rëndësishme, ne nuk duam të largohemi nga toka e Jezusit".

R.SH. / Vatikan

David David, Jack Odeh dhe Sami Mubarak vijnë nga Beit Sahour,  qytet palestinez pak më shumë se tri kilometra larg Betlehemit, në Bregun Perëndimor. Të dielën, më 13 tetor, ata ishin mysafirë të famullisë së Sakramentit të Bekuar në San Antonio, Teksas. Kishin sjellë artikuj të bukur fetarë prej druri të ullirit nga Toka e Shenjtë për t’i shitur: kryqe, shtatore, skena të lindjes së Krishtit. Janë puna dhe shpresat e 500 familjeve të krishtera palestineze, me një ëndërr: të mund të qëndrojnë në tokën e tyre falë shitjes së objekteve, të cilat në të njëjtën kohë u japin atyre që i blejnë, mundësinë të rriten në fe!

"Unë jam këtu për të kryer misionin tonë në favor të familjeve të krishtera palestineze", shpjegon Jack Odeh "sepse kemi shumë probleme atje". Para së gjithash, problemin që të krishterët të qëndrojnë në Tokën Shenjte, “vend shumë i rëndësishëm - vazhdon Odeh – ndaj është e rëndësishme që familjet e krishtera të mbeten atje".

Nuk mund ta lëmë Tokën Shenjte

Shpërthimi i konfliktit, pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen e njerëzve që jetojnë në territoret palestineze. Turistët, të cilët blinin në dyqanet tona, në Betlehem, "tani kanë frikë të vijnë", shpjegon Odeh, e cila ka nisur të udhëtojë me zell në Shtetet e Bashkuara pikërisht për të qenë në gjendje të shpërndajë artikuj fetarë në famullitë e SHBA: "Të gjitha të ardhurat i shkojnë familjeve të krishtera, q të mos lëvizin nga Toka e Shenjtë, sepse ne duam që askush të mos largohet nga Toka e Shenjtë: është vend i shenjtë, është Tokë e Shenjtë. Aty lindi dhe vdiq Jezusi. Ne nuk mund ta lëmë këtë tokë!".

Të  lidhur ngusht me Tokën

Ndërsa janë për rrugë, mbeten gjithnjë në lidhje me të dashurit e tyre në shtëpi. “Ka përleshje të hebrenjve me myslimanët, e edhe të krishterët janë në mes - shpjegon Odeh - ne duam paqe, nuk na pëlqen kjo jetë, por nuk mund të largohemi, sepse familjet janë atje. I telefonoj shtëpisë më shumë se dhjetë herë në ditë, sepse mund të bombardohet në çdo çast. Ajo që jetojmë atje, nuk mund të kuptohet nëse nuk e jetoni vetë”. Lajmi është i keq, “të krishterët e Tokës së Shenjtë e dinë se çfarë po ndodh, por lajmi nuk qarkullon dhe njerëzit kanë nevojë për ndihmë. Ju nuk mund të qëndroni gjatë kur ka një luftë, të gjithë duan të ikin, por Jezusi vdiq atje,  nuk mund të braktiset, e ne do të vdesim për Jezusin".

19 tetor 2024, 15:57