Gesù - Vangelo Gesù - Vangelo

Të meditojmë Ungjillin e dielës së 28-të vitit 'B': eja e më ndiq

Nuk është e lehtë ta ndjekim Jezusin./Jo, nuk mjafton të respektojmë ligjin/dhe të sillemi sipas urdhërimeve të Tënzot./Mësuesi nuk kërkon vetëm të shkëputemi nga pasuria,/por edhe të jemi vëllezër me të varfrit/e të ecim bashkë me Të./ Këto të tria: varfëria, vëllazërimi/dhe ndjekja e gjurmëve të Krishtit/janë të lidhura ngushtë dhe të ndërvarura./E, është kjo harmoni e nevojshme ungjillore/që e bën të frytshëm udhëtimin personal,/ose komunitar të çdo dishepulli...

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i së dielës së 28-të të vitit kishtar (B), marrë nga kreu 10 i Shën Markut, na bën të kuptojmë ç’duhet bërë për ta ndjekur me të vërtetë Jezu Krishtin. I pasuri, që u bindej urdhërimeve të Tënzot, iu drejtua Jezusit, sepse dëshironte siguri për jetën e amshuar, ashtu siç e kishte të sigurt edhe jetën aktuale, pasi mund t’i plotësonte të gjitha nevojat me pasurinë e tij. Por Jezu Krishti është ai, që na thotë se për ta fituar jetën, duhet ta humbasim. Të ndjekim pjesën ungjillore

Në atë kohë, kur Jezusi doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Jezusi iu përgjigj: “Pse më thua ‘i mirë’? Askush s’është i mirë përveç një Hyji të vetëm! Urdhërimet i di: Mos vrit! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!”

Ai u përgjigj: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”  Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë, dhe, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta. Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: “Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!”

Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! Më lehtë është të përshkohet deveja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!” Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush do të mund të shëlbohet?” Jezusi ua nguli sytë dhe tha: “Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin: Hyji mund të bëjë gjithçka”.

Të lutemi së bashku

Nuk është e lehtë ta ndjekim Jezusin.

Jo, nuk mjafton të respektojmë ligjin

dhe të sillemi sipas urdhërimeve të Tënzot.

Mësuesi nuk kërkon vetëm të shkëputemi nga pasuria,

por edhe të jemi vëllezër me të varfrit

e të ecim bashkë me Të.

 

Këto të tria: varfëria, vëllazërimi

dhe ndjekja e gjurmëve të Krishtit

janë të lidhura ngushtë dhe të ndërvarura.

E, është kjo harmoni e nevojshme ungjillore

që e bën të frytshëm udhëtimin personal,

ose komunitar të çdo dishepulli.

 

Edhe sot, o Jezu Krisht,

përplasen shpesh ndërmjet tyre

dy logjika krejtësisht të kundërta.

Ne pyesim ç’duhet të bëjmë “për ta pasur” jetën,

kurse Ti na thua “të ndajmë me të tjerët,

për të të ndjekur”.

Ne kujtojmë se mjaftojnë veprat e mira

për të siguruar jetën e amshuar,

kurse Ti na nxit drejt logjikës së dhuratës,

të besimit, të dashurisë, pa pritur shpërblime.

 

Bëj, o Zot, të kemi guximin

për të të ndjekur deri në fund

për t’i besuar Fjalës tënde

pa u trishtuar për çka mund të humbasim për Ty në këtë botë.

12 tetor 2024, 10:26