Të meditojmë Ungjillin e dielës së 29-të vitit 'B': më i madhi të jetë shërbëtor
R.SH. - Vatikan
Në kreun 10 të Ungjillit sipas Markut (10,35-45) të kësaj së diele, e 29-ta e vitit kishtar, ciklit të dytë, Jezu Krishti reagon me forcë kundër tundimit për të qenë i pari, për të pasur gjithnjë e më tepër pushtet. Qëndrimi i tij është tejet i rreptë, gati solemn. Ai propozon një ekonomi të re shoqërore: atë të bashkësisë pa pushtet, rregulla e së cilës është shërbimi deri në dhënien e jetës për vëllezërit. Të ndjekim pjesën ungjillore…
Në atë kohë, Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.” “Çka dëshironi – u tha Jezusi – të bëj për ju?” Ata i thanë: “Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.” Jezusi iu përgjigj: “Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?” “Jemi të zotët!” – iu përgjigjën ata. Jezusi vijoi: “Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën, ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati”. Kur e morën vesh dhjetë të tjerët, u hidhëruan me Jakobin e Gjonin. Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha: “Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë”.
Të lutemi së bashku
Na fal, o Jezu Krisht,
na fal ne, që themi
se jemi dishepujt e Tu,
na fal ne, që formojmë Kishën Tënde,
sepse i kemi tradhtuar
mijëra herë fjalët e Tua,
nuk i kemi respektuar këshillat e Tua
që, gjithsesi, janë krejt të qarta.
Kemi përdorur në bashkësitë tona
kritere e sjellje tipike
për shoqërinë, në të cilën jetojmë,
me të gjitha difektet e veset.
I kemi lënë të hyjnë në to
veshjet plot shkëlqim të oborrtarëve perandorakë,
titujt e nderit kaq në modë ndër ata, që u duket vetja dikushi,
e mbahen me të madh nëpër kolltuqe
si gjeli majë plehut,
por, ç’është më keq, për ta justifikuar gjithçka,
t’i kemi ngjitur edhe Ty
nëpër kuadro, në shtatore, në afreske,
këto xhingla e mingla, simbole të pushtetarëve të kësaj toke.
Por Ti erdhe ndërmjet nesh
për të shërbyer e për të dhuruar jetën,
jo për të mbretëruar e për të ushtruar pushtetin,
e shërbimi e dhurimi është gjithçka u kërkon
atyre, që të duan e të ndjekin.
Na fal, o Jezu Krisht, se, sistematikisht e pa mëshirë,
kemi bërë kërdinë
kundër vëllazërimit, që Ti bëre të lindë,
jo me ndonjë urdhër,
por me gjakun Tënd të dlirë.