Gesù Misericordioso Gesù Misericordioso

Të meditojmë Ungjillin e dielës së 27-të vitit 'B': pazgjidhshmëria e martesës

Jeta bashkëshortore, karakterizuar nga/pazgjidhshmëria, besnikëria,/dukej e duket edhe në ditët tona/si plan i parealizueshëm./Prandaj, mendojmë se martesa është/një lloj kontrate, si gjithë të tjerat,/se mund të zgjidhet e të lidhet një tjetër,/duke respektuar disa rregulla./Ti, o Jezus, nuk e mendon/aspak kështu, prandaj,/na paralajmëron/se nuk është aq e lehtë të cenohet/shenjtëria e martesës,/sepse duke bërë kështu,/shkojmë kundër vetë Zotit,/pasi Ai i ka bashkuar ata dy shpirtra...

R.SH. - Vatikan

Në Ungjillin e kësaj së diele, e 27-ta e vitit kishtar, ciklit të dytë 'B', shën Marku na paraqet mësimin e Jezu Krishtit mbi pazgjidhshmërinë e martesës, si edhe qëndrimet që duhen mbajtur për të bërë pjesë në Mbretërinë e Hyjit. Më pas, sjellja e Jezusit me fëmijët vë në dukje besimin me të cilin duhet ta pranojmë Zotin si Atë, duke i kërkuar mbrojtje e siguri. Por, le të ndjekim pjesën ungjillore marrë nga kreu 10 (Mk 10, 2-16)…

Në atë kohë, Jezusit u afruan farisenjtë e, për ta sprovuar, e pyetën: “A ka leje burri ta lëshojë gruan?” Ai u përgjigj: “Çka ju urdhëroi Moisiu?” Ata iu përgjigjën: “Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e ndarjes e të lëshohet’”. Jezusi u tha: “Atë rregullore e shkroi për ju Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj. Por në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër. Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm. ‘Këndej pra, nuk janë më dy, por një trup i vetëm’. Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!” Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. Ai u tha: “Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”

Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: “Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.” Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.

Të lutemi së bashku

Jeta bashkëshortore, karakterizuar nga

pazgjidhshmëria, besnikëria,

dukej e duket edhe në ditët tona

si plan i parealizueshëm.

Prandaj, në fund të fundit,

mendojmë se martesa është

një lloj kontrate, si gjithë të tjerat,

se mund të zgjidhet e të lidhet një tjetër,

duke respektuar disa rregulla.

Ti, o Jezus, nuk e mendon

aspak kështu, prandaj,

e godet menjëherë e në rrënjë problemin:

ngushtësinë e zemrës,

atë ngushtësi, që fatkeqësisht,

e shohim të gjithë

kur na qëllon të jemi të pranishëm

në skena të dhimbshme e keqdashëse,

në të cilat shprehet dhuna dhe dëshira e sëmurë

për të goditur e për të plagosur.

Fatkeqësisht, burrat e gratë

janë në gjendje të sillen edhe kështu.

E Ti, o Jezus, na paralajmëron

se nuk është aq e lehtë të cënohet

shenjtëria e martesës,

sepse duke bërë kështu,

shkojmë kundër vetë Zotit,

pasi Ai i ka bashkuar ata dy shpirtra.

O Zot, Jezu Krisht, shoqëroi bashkëshortët

në shtegun e përvijuar prej Teje,

që të bëhen për ne të gjithë

shenjë e ndritshme e dashurisë dhe e shpresës.

05 tetor 2024, 14:09