Tetori misionar, kard. Marengo: kumti i Ungjillit të mos shndërrohet në fjalë të përgjithshme
R.SH. – Vatikan
“Ekziston një specifikë e kumtimit të parë të Ungjillit. E kur reflektojmë për misionin e Kishës, dua të shprehem në favor të kësaj specifike”, e cila "nuk duhet të avullohet në diskutime tepër të përgjithshëm mbi misionin". Fillon tetori, muaji i Sinodit të ipeshkvijve mbi sinodalitetin, por edhe muaji, që Kisha ia kushton Rruzares e misionit. Prefekti Apostolik i Ulanbatorit, kardinali Giorgio Marengo, misionar i Zojës Ngushëlluese, bën, me këtë rast, një bisedë me agjencinë katolike të lajmeve Fides. Vetë ai është i pranishëm në punimet sindale në Vatikan, që duhet të reflektojnë mbi horizontin misionar të çdo vepre të Kishës, siç duket qartë edhe nga titulli i asamblesë: “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”.
Misioni “ad gentes” dhe vështirësitë e tij
Rizbulimi i thirrjes për të qenë të gjithë misionarë, vulosur në Pagëzim – vëren kardinali – është Provani e Hyjit. Por tani, duket sikur e kemi humbur nga sytë specifikën e thirrjes misionare, që e quajmë “ad gentes”, pra, në mesin e njerëzve. Është sikur, në epokën e globalizimit dhe të zvogëlimit të dukshëm të distancave gjeografike, të mos kishte më vend për këtë horizont të punës misionare, që nënkupton daljen nga rrethi yt dhe hyrjen në kontekste njerëzore të ndryshme nga ato personale. Por, unë besoj se pikërisht në kohën tonë duhet kuptuar se ka një specifikë në kumtin e parë të Ungjillit, të Ungjillit të shpallur për ata, që nuk e dinë vërtet se çfarë është. Duhet të mos e zvetënojmë këtë specifikë, të mos e avullojmë në diskutime tepër të përgjithshme mbi misionin. Në këto kohë, perceptimi dhe mbajtja parasysh e kësaj specifike më duket jetike për gjithë veprën e Kishës në botë dhe për rrugëtimin e saj në histori.
Misioni mundëson takimin me Krishtin
Nëse t'i përkasësh Kishës – vijon më tej kardinali Marengo - do të thotë të ecësh së bashku me Jezusin dhe pas Jezusit, misioni mund të përshkruhet dhe të formulohet si "të mundësohet takimi me Krishtin". Prefekti i Ulanbatorit është bari i një grigje tejet të vogël katolikësh, prej rreth 1500 vetësh, por që patën rastin të prisnin Papën Françesku, i cili vizitoi Mongolinë në shtator 2023. Kuptohet qartë se misioni e misionarët për këtë grigjë janë tejet të rëndësishëm.
Takimi me Krishtin - vëren kardinali në intervistën e tij me agjencinë Fides - mund të ndodhë gjithmonë në mënyra të panjohura për ne. Por normalisht, është e nevojshme lidhja me një realitet njerëzor, që e lehtëson dhe e bën të mundur këtë takim. Sepse kjo përvojë transmetohet gjithmonë përmes tërheqjes dhe kontaktit. E ky dinamizëm shihet dhe perceptohet qartë sidomos aty ku mundësitë reale për të hyrë në një farë mënyre në kontakt me personin e Krishtit janë objektivisht të pakta. Për shembull, në vendet ku Kisha nuk ekziston, ose sapo ka lindur, si në rastin e Mongolisë.
Përshtatja e misionit me situatën
Edhe në kohën aktuale, kur ka gjithnjë e më pak njerëz, që hyjnë në institutet rregulltare, ose ndiejnë thirrjen për t’u bërë meshtarë, mbetet, gjithsesi – nënvizon kardinali Marengo – nevoja e vazhdueshme për të kumtuar Ungjillin, nevojë që ka sjellë lindjen e atyre instituteve. Ndoshta nuk do të na duhet më një shumicë njerëzish si dikur, vëren ai, prandaj, nuk duhet të shkandullohemi për uljen e numrit të rregulltarëve e murgeshave. Gjithsesi, për misionin, është ndryshe kur Kisha përbëhet nga karizma e shërbesa të shumta e, ndryshe kur ka vetëm një meshtar autokton, siç ndodh në Mongoli. Ndryshe kur gjendemi në shoqëri jashtëzakonisht kritike ndaj krishtërimit, për shkak të historisë e, ndryshe kur duhet të veprojmë në shoqëri që, në vetvete, nuk janë kundër e as e kritikojnë tejet mase krishtërimin, pasi historia e tyre nuk është ndërthurur kurrë me të.
Në kontekste dhe situata të ndryshme, misioni i kumtit të parë ungjillor është ai, që, gjithsesi, lejon përjetimin e risisë së fesë së krishterë. Si kur kjo ndodh në kontekste, që nuk janë përballur me të historikisht, ashtu edhe kur kjo fe rizbulohet si risi në vende ku ka formuar brezat e mëparshëm, por ku tashmë është zhdukur disi nga horizonti i përbashkët.
Tiparet e shpalljes së parë të Ungjillit
Më pas, kardinali Marengo reflekton mbi tiparet e shpalljes së parë të Ungjillit. E flet më se qartësisht:
Hyji, Ati ynë, - vë në dukje ai - nuk dërgoi ndonjë mesazh, por u bë njeri, duke dërguar Birin e tij të njëlindur.
Zoti u përul për të përqafuar gjendjen njerëzore. E për analogji, misioni, që atëherë, është i thirrur t'u nënshtrohet ligjeve të kohës dhe të hapësirës, duke marrë si model Jezu Krishtin.
Nëse mesazhi i Krishtit do të ishte thjesht mesazh, një mësim jete, nuk do të ishte e nevojshme t'u kërkonim burrave dhe grave të shkonin deri në skajet e botës, siç bën vetë Jezusi në Ungjill.
Jezu Krishti u bë pjesë e një populli dhe e një kulture të caktuar. Tridhjetë vjet jetoi pa u dukur, tri vjet pati veprimtari publike dhe tri ditë mundime, që çojnë në ringjallje. Të gjithë ata që e ndjekin janë të thirrur ta lënë Shpirtin Shenjt t’i plazmojë për të jetuar të njëjtin mister. Ky është misioni.