Kërko

   Betlehemi Betlehemi

Toka Shenjte, pa shtegtarë e me shumë varfëri

Hani al-Hayek, ministër i Turizmit dhe i Trashëgimisë Kulturore të Shtetit Palestinez, flet për gjendjen dramatike ekonomike, në të cilën ndodhen banorët, veçanërisht në Betlehem dhe Jerusalem, për shkak të luftës, e cila po bllokon shtegtimet. “Rreziku më i madh është largimi i familjeve në kërkim të një ardhmërie më të mirë, kjo do të çonte në uljen e mëtejshme të popullsisë së krishterë në rajon”

R.SH. – Vatikan

 Krahas raketave dhe bombave, një luftë tjetër përflak Lindjen e Mesme. E ata, që paguajnë edhe dëmet e saj, janë gjithnjë civilët. Është lufta e pasojave ekonomike mbi popullsinë palestineze, e cila, që nga 7 tetori i vitit të kaluar, ka gjithnjë e më pak burime jetese e të ardhura. Një pjesë e madhe e popullsisë palestineze të Betlehemit dhe Jerusalemit punon në sektorin e turizmit, por shtegtimet janë pezulluar, po ashtu edhe lejet e daljes për punëtorët, që punojnë në Izrael, prandaj shumë shtresa të popullsisë kanë kaluar në mjerim.

Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” i bën një intervistë ministrit të Turizmit dhe të Trashëgimisë Kulturore të Shtetit Palestinez, Hani al-Hayek, i cili nënvizon se “turizmi është burimi kryesor i të ardhurave për palestinezët, por sulmi izraelit mbi Gazën, Bregun Perëndimor dhe Libanin, që pasoi 7 tetorin, ka një ndikim të tmerrshëm mbi ekonominë dhe punonjësitë e industrisë së turizmit. Si ardhjet nga jashtë, ashtu edhe turizmi i brendshëm, kanë shënuar një rënie të përgjithshme. Vlerësimet tregojnë se po humbasim më se 2,5 milionë dollarë të ardhura në ditë – denoncon ministri, i cili vë në dukje se vetëm Betlehemi humbet 1,4 milionë dollarë. - 12.000 punonjës turistikë janë pushuar nga puna, në Betlehem, të paktën 6.000 kanë humbur punën. Këtyre u duhen shtuar mijëra punëtorë të tjerë, që mund t'i përkufizojmë si të lidhur me këtë industri, si tregtarë, taksistë dhe artizanë, që bëjnë objekte fetare me dru ulliri”.

Shteti palestinez, arsyeton më pas ministri, nuk jep asnjë formë integrimi apo subvencioni për të ardhurat e munguara, sepse po përjeton një krizë të rëndë financiare, për shkak se Izraeli, në mënyrë të njëanshme, ka vendosur të mos ia kalojë Autoritetit Palestinez taksat e mbledhura në Palestinë. Por, nënvizon ai, “e kemi përjashtuar industrinë e turizmit nga çdo taksë, licencë apo detyrim, edhe kur kjo vendoset nga autoritetet lokale”.

Hani al-Hayek deklaron për gazetën “L’Osservatore Romano” se mungesa e punës dhe e të ardhurave, mund ta detyrojë “një numër gjithnjë e më të madh familjesh të largohen nga Palestina, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”. E shton se meqë “një pjesë shumë e madhe e punonjësve të impenjuar në sektorin e turizmit dhe të shtegtimeve janë të krishterë, ky eksod do të sjellë një ulje të mëtejshme të popullsisë së krishterë në rajon”.

Ministria e Turizmit dhe e Trashëgimisë Kulturore të Shtetit Palestinez nuk ka asnjë bashkëpunim me homologen e saj izraelite, por bashkëpunon rregullisht me bashkësitë e krishtera, pasi shumë shenjtërore në Palestinë administrohen nga Kishat lokale përkatëse.  Ministria po studion me to projekte për t’i mbështetur, pasi të përfundojë lufta. “Shtegtarët e krishterë – përfundon ministri - përfaqësojnë 70% të të gjithë shtegtarëve që vizitojnë Palestinën, prandaj, ata përbëjnë një faktor vendimtar në zhvillimin e industrisë së turizmit në rajon”.

30 tetor 2024, 13:22