Konferenca Episkopale e Shqipërisë Konferenca Episkopale e Shqipërisë

Asamblea e LXXII e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë

Ipeshkvijtë e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri në Asamblenë e LXXII në Tiranë trajtojnë situatën kishtare lokale, ngjarjet e rëndësishme, si për Kishat vendore ashtu edhe për Kishën universale, nga Sinodi te Lumnimi i dy martirëve dhe situatën e rëndë shoqërore në vend.

R.SH. / Vatikan

Ipeshkvijtë e dioqezave të  Kishës katolike në Shqipëri në Asamblenë e LXXII  në Tiranë trajtojnë situatën kishtare lokale, ngjarje të rëndësishme si për Kishat vendore ashtu edhe për Kishën universale, nga Sinodi te Lumnimi i dy martirëve dhe situata shoqërore në vend. Më hollësisht njoftimi i zëdhënësit të  Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dom Mark Pashkja:

dom Mark Pashkja

Në Tiranë hapi zyrtarisht punimet Asambleja e LXXII e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Barinjtë e Kishës katolike në vendin tonë u mblodhën për të diskutuar, trajtuar dhe analizuar situatën kishtare lokale dhe kontekstin universal, në të cilin duhet të vendoset edhe Kisha jonë. Në fjalën e tij përshëndetëse Sh.T.Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rreshenit dhe President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë analizoi kontekstin në të cilin zhvillohet ky takim duke theksuar se :

Kjo plenare këtë herë bie në një kontekst të mbushur plot me ngjarje të rëndësishme, si për Kishat tona të veçanta ashtu edhe për Kishën universale. Gjatë punimeve do të kemi rastin të dëgjojmë për dy ngjarje tashmë të kaluara, por që mund të njohin zhvillime baritore me rëndësi për Kishën tonë në Shqipëri, sikurse takimi i të rinjve të mesdheut, i zhvilluar në muajin shtator në Tiranë dhe Lumnimi i dy martirëve të fesë, dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq.

Po ashtu Imzot Meta përmendi edhe përfundimin e Sinodit dhe Jubileun e Shpresës në vitin 2025 si dy evente që duhen analizuar dhe përjetuar mirë nga ana e Kishës tonë lokale. Duke qenë të pranishëm në Sinod bashkë më Imzot Arjan Dodajn, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës, ai pohoi si tashmë : “u takon kishave lokale që të nisin atë proces transformimi sinodal që kërkohet nga dokumenti i Sinodit i cili po mbaron së përkthyeri pikërisht në këto ditë dhe të cilin Papa Françesku ia ka dorëzuar të gjithë popullit të Hyjit.

Së pari dua të them vazhdoi ai, se një transformim sinodal nuk mund të ndodhë nëse nuk shoqërohet me një ndryshim të brendshëm personal. Ky ndryshim i brendshëm ka si qëllim një kthim relacional për të cilin aq shumë është folur përgjatë Sinodit. Transformimet strukturore të kishës, në të gjitha nivelet e saj, do të mbeteshin thjesht ndërhyrje kozmetike nëse nuk shoqërohen apo nuk paraprihen nga një ndryshim i brendshëm dhe nga një kthim relacional. Nuk mund të ketë një kthim sinodal pa një kthim relacional. Ky në të gjitha nivelet e Kishës: midis ne ipeshkvijve, midis nesh dhe meshtarëve, midis meshtarëve me njëri-tjetrin, midis klerikëve, laikëve dhe rregulltareve e pse jo midis nesh dhe realitetit që na rrethon. Kjo është një premisë e domosdoshme për çdolloj rrugëtimi transformativ strukturor.

Ku transformim i brendshëm mund dhe duhet të prekë edhe institucionet tona të pjesmarrjes nga Konferenca ipeshkvore e deri te grupi më i thjeshtë i famullive tona që na kërkohet të jenë sinodale dhe misionare. Besoj që sfida jonë e ardhshme si ipeshkvinj është pikërisht ky transformim sinodal dhe misionar i strukturave tona.”- Përfundoi Imzot Meta fjalën e tij përshëndetëse në cilësinë e Presidentit të Konferencës Ipeshkvore. Punimet i përshëndeti edhe Sh. T. Imzot Luigi Bonazzi, Nunci Apostolik në Shqipëri.

Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohet një punë intensive në prezantimin dhe trajtimin e sfidave të ndryshme të secilës dioqezë në vendin tonë dhe të institucioneve që ndodhen në varësi të drejtpërdrejt të Konferencës Ipeshkvore. Një vëmendje jo e vogël do ti kushtohet edhe situatës aktuale shoqërore të vendit tonë, ku episode të vazhdueshme dhune dhe vrasje kanë qenë të pranishme në mënyrë permanente.

19 nëntor 2024, 14:25