Atë Patton: të mos heqim dorë nga shpresa, Betlehemi qytet paqeje
R.SH. / Vatikan
U kthefshin kohët e mira në Betlehem dhe qyteti u riktheftë në qytet paqeje dhe gëzimi! Kjo, shpresa e Atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, i cili sot, në fillimin e Kohës së Ardhjes, bëri hyrjen solemne në Betlehem, i shoqëruar fillimisht nga policia izraelite dhe, më pas, nën kontrollin e policisë palestineze. Rojtar i Tokës Shenjt, sapo kaloi portën e rëndë të çeliktë përgjatë murit ndarës, pranë Varrit të Rakelës, vazhdoi rrugëtimin në këmbë përgjatë rrugëve që të çojnë në Sheshin Manger, i rrethuar nga banorët, fëmijët e shkollës, autoritetet lokale, nga boyscout që e mbushnin vendin me tingujt e gajdeve dhe të daulleve.
Sot ishte një nga tre rastet solemne të hapjes së portës, dy të tjerat do të jenë në prag të Krishtlindjes, me hyrjen e Patriarkut të Jeruzalemit të Latinëve, Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, dhe më pas, më 5 janar, për Krishtlindjet ortodokse, do të jetë radha e Patriarkut ortodoks grek Teofili III.
Krishtlindja e dytë në luftë
Ceremonia përfundoi me një lutje në kishën e Shën Katerinës, e cila është e ngjitur me Bazilikën e Lindjes, ku më pas arrihet edhe në shpellë. Ishte çast i rëndësishëm për popullsinë e Betlehemit, që do të përjetojë Krishtlindjet e dyta në vetmi, varfëri dhe trishtim. Që nga 7 tetori i vitit të kaluar, shumë prej banorëve të qytetit, pa mbërritjen e shtegtarëve dhe pa mundur të kalojnë murin për të shkuar në punë, në Jerusalem, jetojnë edhe pa të ardhura, në kufijtë e varfërisë, në një atmosferë të keqësuar edhe në Betlehem.
Bazilika e Lindjes është e shkretë pothuajse në të gjitha orët. Shtegtarët nuk duken më në ato vise të pakrahasueshme; hoteli tradicional që i priste, Casa Nova, është mbyllur prej 12 muajsh, ashtu si edhe dyqanet e artizanëve, që bëjnë objekte fetare përgjatë rrugës Milk Grotto, e cila shkon përgjatë anës jugore të Bazilikës, janë pothuajse të gjitha të mbyllura.
O i krishterë, mos e humb kurrë shpresën!
Atë Patton ëndërron! Për të, kjo mund të jetë e fundmja ditë e luftës. Në mesazhin e tij për solemnitetin, Kujdestari i këtyre trojeve të pamort, na fton që të “mos heqim dorë nga shpresa. Sidomos kur gjithçka në botë duket se dëshiron ta heqë prej saj”.
Kjo është “Ardhja e një viti të ri liturgjik, i cili do të jetë edhe vit jubilar. E, në thirrjen e Jubileut, drejtuar mbarë popujve, Papa Françesku “u kujton besimtarëve ta ruajnë shpresën, madje të jenë përhapës të shpresës, shtegtarë të shpresës”. Përballë "të keqes, dëshpërimit, sëmundjes, dekurajimit, kësaj lufte të tmerrshme që na shqetëson dhe na plagos – e kjo është ftesa e Patton - ne nuk kemi alternativë tjetër, veçse ta mbajmë kokën lart".