CCEE, plotësohet ekipi i Sekretarisë
R.SH. – Vatikan
Pas emërimit të don Antonio Ammirati-t si sekretar, Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane plotëson Sekretarinë, me emërimin e një zv.sekretari dhe të një zëdhënëseje. Plotësohet kështu krejt ekipi, që i shërben Këshillit, i cili mbledh kryetarët e 33 konferencave ipeshkvnore të kontinentit evropian, së bashku me kryeipeshkvijtë e Luksemburgut dhe të Principatës së Monakos, kryeipeshkvin e Qipros së Maronitëve, ipeshkvin e Kishinaut (Moldavi), ipeshkvin e Eparkisë së Mukaçevos dhe ipeshkvin e Talinit (Estoni), i cili e ka selinë në Romë që nga qershori i kaluar.
Emërimet u njoftuan në Kretë, ku javën e kaluar u mbajtën dy veprimtari: mbledhja e komitetit të përbashkët të CCEE-së dhe të Këshillit Botëror të Kishave, si edhe seminari katolik ortodoks evropian.
Zv.sekretari i ri i CCEE-së është Át Charbel Bteich. I diplomuar në informatikë në vitin 2004, meshtar që nga viti 2014, ai është me origjinë libaneze, i inkardinuar në kryedioqezën maronite të Qipros. Po ndjek doktoraturën në Teologji Themelore në Universitetin Papnor Gregorian dhe është anëtar i Institutit Papnor të Shën Marisë së Shpirtit, kolegji i priftërinjve gjermanishtfolës në Romë.
Përgjegjësja e re e zyrës së shtypit është, ndërkaq, Monika Klimentova nga Republika Çeke, me liçencë në Komunikimin Shoqëror Institucional, marrë në Universitetin Papnor të Shën Kryqit. Klimentova ka punuar si zëdhënëse për kryeipeshkvinë e Olomuc-ut përpara se të fillonte punën në zyrën e shtypit të Konferencës Ipeshkvnore Çeke, në vitin 2010. Që nga viti 2018, ajo është drejtuese e zyrës së shtypit të kësaj Konference në Pragë.
Dy anëtarët e rinj të Sekretarisë së CCEE-së u paraqitën për herë të parë si të tillë në Kretë, ku më 5 dhe 6 nëntor, u mbajt takimi vjetor i Komitetit të përbashkët të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane dhe të Këshillit Botëror të Kishave, i cili diskutoi mbi ungjillëzimin në një Evropë gjithnjë e më të shekullarizuar. Në kuadrin e kësaj mbledhjeje, pati edhe një takim për rishikimin e Charta Œcumenica, dokumentit që përmban udhëzimet për bashkëpunimin ndërmjet Kishave të krishtera, nënshkruar në vitin 2001, në takimin ekumenik të Strasburgut. Rishikimi i Kartës, për të cilën, nga ana e CCEE-së, merret një komitet i udhëhequr nga kardinali Ryś, do të bëhet deri në fund të vitit, ndërsa Karta e rishikuar do të nënshkruhet në Vilnius, më 27 prill 2025.
Në takim morën pjesë kryeipeshkvi Gintaras Grušas i Vilnius-it, president i CCEE-së dhe kryepeshkopi Nikitas i Thateira-s dhe i Britanisë së Madhe, president i Këshillit Botëror të Kishave, që folën për punën e organizatave të kryesuara prej tyre.
Ndër relatorët, edhe don Manuel Barros Prieto, sekretar i përgjithshëm i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), i cili foli për dokumentin “Together Towards Life” (Së bashku drejt jetës).
Nga data 3 deri më 5 nëntor u mbajt seminari evropian katoliko-ortodoks me temën "Migrimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore si pasojë e luftës".