Kërko

E diela I e Ardhjes E diela I e Ardhjes

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ardhja në magjisterin e Papëve

Të dielën, 1 dhjetor, fillon Koha liturgjike e Ardhjes, periudhë që Kisha Katolike ia kushton përgatitjes për lindjen e Jezu Krishtit, Shëlbuesit të njerëzimit. Ju propozojmë magjisterin e Papëve të fundit, kushtuar pikërisht kësaj Kohe

R. SH. - Vatikan

Po afrohet një nga peridhat më të rëndësishme të vitit për Kishën Katolike. Të dielën, 1 dhjetor, fillon viti i ri liturgjik me Kohën e Ardhjes, kohë që të krishterët ia kushtojnë përgatitjes shpirtërore për kremtimin e lindjes së Jezu Krishtit, Bir i Hyjit e Shëlbues i njerëzimit. Çdo Papë i ka kushtuar kësaj Kohe fjalë të rëndësishme gjatë papnisë. Sot, ju propozojmë magjisterin e Papëve të fundit mbi Kohën e Ardhjes.

Papa Piu XII e Koha e Ardhjes

Papa Piu XII e kujtonte kështu këtë periudhë para Krishtlindjes: “Në këto ditë të Kohës së Ardhjes liturgjia e Kishës - burim i çmuar e i përhershëm drite e hareje - e vë shpirtin tonë në pritje të Krishtlindjes. Është e tëra  një shkrirje misterioze lutjeje përplot me afsh e, njëherësh me ëmbëlsi”.

Fjalë, këto të Papës Piu XII që, për fat të keq, nuk mbetën të regjistruara. Ishte 7 dhjetori i vitit 1952 e Ati i Shenjtë po priste drejtuesit dhe anëtarët e Shoqatës artistike të punëtorëve në Romë, aktive edhe në fushën e bamirësisë: “Ditë pritjeje, domethënë, ankthi e ëmbëlsie njëherësh", nënvizonte Papa Pacelli.

Gjoni XXIII: përtëritja e shpresës

Në Radiomesazhin e Krishtlindjes të vitit 1961 Papa Gjoni XXIII u drejtohej besimtarëve me fjalët: “Lindja e Krishtit është fillesa e popullit të krishterë; lindja e Kreut është edhe lindja e trupit...Prandaj madhështia e dhuratës që na u dorëzua, kërkon nderim të denjë për shkëlqimin e  saj”.

Lutje e re, shpresë e re

Në gjysmën e viteve ’80, vite efikasiteti, materializmi e hedonizmi, Papa Gjon Pali II, në lutjen e Engjëllit të Tënzot  të 1 dhjetorit 1985 shqipton këtë fjalë, sa të lashtë, aq moderne: shpresë! E shenjti tjetër, Papa Pali VI na siguron: “Shpresa rikthehet përsëri në fjalët kyçe të kësaj kohe të re, që hapet këto orë. Rast i çmuar për njerëzit e kohëve tona, që ta njohin fatin e tyre e dinjitetin e tyre”.

Benedikti XI: Koha e Ardhjes, kohë shprese

Thënë me fjalë të tjera, në një shekull tjetër e në një mijëvjeçar tjetër nga një Papë tjetër, Benedikti XI, i cili nënvizonte: “Koha e Ardhjes është gjithnjë kohë shprese. Çdo vit kjo gjendje e veçantë shpirtërore ndihet fort  në zemrat e të krishterëve që, ndërsa  përgatiten të kremtojnë festën e madhe të lindjes së Krishtit Shëlbues, përtërijnë pritjen e rikthimit të Tij të lumnueshëm në fundin e kohëve. Pjesa e parë e Kohës së Ardhjes ngulmon pikërisht mbi Parusinë, ardhjen e Krishtit në fund të kohëve. Antifonat e Mbrëmësoreve të para janë plot me atmosferën e pritjes, me besimin e plotë në ardhjen e Zotit”.

Papa Benedikti XVI dhe siguria se Zoti është gjithnjë mes nesh

Më 1 dhjetor 2007, Benedikti XVI kryesonte kremtimin e mbrëmësoreve të para të së Dielës së Ardhjes. Në qendër të vëmendjes kishte sigurinë se Zoti është gjithnjë mes nesh. Mesazhi i Kohës së Ardhjes është plot me frymë ngushëlluese...  “Zoti vjen! Vjen përsëri sot, ashtu si atëhere kur u pëmbushën kohët, dymijë vjet më parë. E nuk pushon së vepruari në historinë, që vijon ecjen në mijëvjeçarin e tretë. Liturgjia e Kohës së Ardhjes na bën ta jetojmë  plotësisht misterin e Ardhjes së Zotit: pritjen e pafundme të shekujve; çastin e hyrjes së Tij në gjenealogjinë njerëzore përmes misterit amënor të Virgjërës; ardhjen përfundimtare, kur koha do t’ia lëshojë vendin amshimit. Kështu përtërihet çdo vit ndjenja gazmore e pritjes e bëhet gjithnjë më këmbëngulëse nevoja për pendesë”.

Papa Françesku: “Krishti vjen në shpirt sa herë që jemi gati ta pranojmë”

E Papa Françesku, në Engjëllin e Tënzot të 3 dhjetorit 2017, shpjegoi pse duhet të jemi gjithmonë vigjilentë dhe ta presim Zotin me shpresën për ta takuar. “Ardhja është koha që na jepet për të pritur sa më mirë Zotin, që vjen të na takojë, si edhe për të verifikuar dëshirën tonë për Zotin, për të ecur përpara dhe për t’u përgatitur për kthimin e Krishtit. Ai do të kthehet tek ne në festën e Krishtlindjes, kur do të përkujtojmë ardhjen e tij historike në përvujtërinë e gjendjes njerëzore; por ai vjen në shpirtin tonë sa herë që jemi gati ta pranojmë dhe do të vijë përsëri në fund të kohrave për të ‘gjykuar të gjallët dhe të vdekurit’”.

Maria na çon për dore te Jezusi

Së fundi, këshilla e Papës Françesku, i cili ia beson njerëzimin Shën Marisë: “Zoja, Virgjëra e Ardhjes, na ndihmoftë të mos e konsiderojmë veten pronarë të jetës sonë, të mos i rezistojmë Zotit kur vjen për ta ndryshuar atë, por ta lejojmë që Ai të na vizitojë, mik i mirëpritur dhe i vlerësuar, edhe kur na i prish planet”. (Engjëlli i Tënzot, 27 nëntor 2016)

28 nëntor 2024, 12:48