Procesioni me martirët në Shkodër, para meshës së lumnimit të tyre Procesioni me martirët në Shkodër, para meshës së lumnimit të tyre

Çelësi i fjalëve të Kishës: martirët e krishterë

Ç’është martirizimi i krishterë? Letra drejtuar Hebrenjve përmban një nxitje për qëndresë dhe një inkurajim për të mos u lëkundur në fe dhe në besimin në jetën përtej vdekjes, pra një inkurajim për martirizimin e durimit. Ndërsa Ungjilli është kumt i ngushëllimit për të krishterët, që e kanë dhënë jetën për fenë e Krishtit, pasi jeta e tyre nuk ka shkuar kot, por ata janë në duart e Hyjit, në shtëpinë e Atit Qiellor

R.SH. – Vatikan

Kisha Katolike sapo kremtoi, më 5 nëntor, festën liturgjike të martirëve të Kishës katolike në Shqipëri, të periudhës së regjimit komunist, atë të imzot Vinçenc Prennushit dhe të 37 shokëve të tij, ndërsa bëhet gati për lumnimin e dy martirëve të tjerë, jo të epokës së komunizmit: dom Gjon Gazulli dhe atë Luigj Paliq. Ajo është krenare për martirët e saj, por absolutisht nuk i shtyn besimtarët drejt martirizimit, siç mund të bëjë ndonjë ideologji ekstremiste. Sot, do të shpjegojmë pikërisht ç’është martirizimi i krishterë.

Martirizimi si akti më i lartë i dashurisë

Ne të krishterët kemi nevojë për ngushëllim dhe inkurajim edhe sot, kur shikojmë botën dhe historinë e shekullit të kaluar. Në fund të mijëvjeçarit të dytë dhe në fillim të të tretit, krishterimi u kthye sërish në një Kishë martire, kryesisht për shkak të diktaturave antikristiane dhe neopagane të nacionalsocializmit dhe komunizmit sovjetik. I krishteri nuk e kërkon martirizimin me vullnetin e tij të lirë, por është i gatshëm ta vuajë atë kur bëhet i pashmangshëm dhe kur feja në Zotin duhet të dëshmohet me flijimin e jetës. Martirizimi i krishterë nuk karakterizohet nga përbuzja për jetën dhe dëshira për vdekje, por nga zgjedhja e jetës që Zoti na ka dhënë. Karakteristika që përcakton martirizimin e krishterë është pra dashuria: "Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet" (Gjn 15,13). Në këto fjalë të Jezusit përmblidhet i gjithë misteri i martirizimit të krishterë.

Jezusi është martiri i parë

Kjo vlen para së gjithash për vetë Jezusin, i cili e shndërroi dhunën e ushtruar nga njerëzit mbi të në një akt dashurie dhe dha jetën në kryq si shërbim suprem miqësie e shëlbim për njerëzit. Kryqi i Jezu Krishtit është dashuria në formën e saj më radikale dhe më të lartë; e Jezusi është martiri i parë. Mundimet e Jezu Krishtit si martirizim i zanafillës janë edhe modeli i martirizimit të atyre, që e pasuan atë, si pjesëmarrje në misterin e Pashkëve të Tij. Kjo formë kristologjike e martirizimit është veçanërisht e qartë në vuajtjet dhe në vdekjen e Shën Polikarpit të Smirnës në shekullin II. Në dokumentin e Akteve, martirizimi i tij përputhet deri në hollësitë më të vogla me Mundimet e Krishtit dhe përvijohet si kremtim eukaristik.

Martirizimi i krishterë, pranim i lirë i vdekjes për hir të fesë

Ashtu si Jezusi e ndoqi plotësisht vullnetin e Zotit, në favor të jetës dhe të shpëtimit të njerëzve, duke vdekur në kryq nga dashuria e Tij për ne, po ashtu edhe martiri i krishterë karakterizohet nga fakti se ai nuk e kërkon aspak martirizimin, por e pranon si pasojë të besnikërisë ndaj fesë së tij. Prandaj, tradita e krishterë nuk e sheh martirizimin si vrasje. Nuk është dënimi apo vdekja në vetvete, që e bën të krishterin martir, por arsyeja e brendshme e veprimeve të tij, siç thoshte Shën Agustini: “Christi martyrem non facit poena, sed causa” (Nuk është ndëshkimi që e bën Krishtin martir, por shkaku). Meqenëse martiri dëshmon me fakte fitoren e dashurisë mbi urrejtjen dhe vdekjen, martirizimi i krishterë është akt suprem i dashurisë për Zotin dhe për vëllezërit. Ai është pranim i lirë i vdekjes për hir të fesë.

Kuptimi i fjalës martir

Fjala martir vjen nga greqishtja "martys", që do të thotë "dëshmitar". Në kuptimin origjinal, ajo i referohet çdo të krishteri, që dëshmon me jetë dhe fjalë besimin në Zotin Njini e Trini dhe zbulesën e Tij në Jezu Krishtin. Vetëm mbi këtë bazë të përbashkët, termi përdoret për të përcaktuar të krishterin, që persekutohet, për shkak të fesë dhe jep jetën për të. Duke qenë se martiri është dëshmitar i fesë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, ai konsiderohet ndër dëshmitarët më të besueshëm.

Martirizimi është ekumenik

Papa shenjt Gjon Pali II pa në dëshminë e shumë martirëve të shekullit të kaluar "provën më kuptimplote se çdo element ndarjeje mund të tejkalohet dhe të kapërcehet në dhuratën e plotë të vetvetes për kauzën e Ungjillit". Ekumenizmi i martirëve, ose siç thotë Papa Françesku, ekumenizmi i gjakut, është pra, pa dyshim, shenja më bindëse e ekumenizmit të sotëm. Bashkësia e martirëve flet një gjuhë shumë më të mirë se ajo e përçarjeve, që ekzistojnë ende në botën e krishterë.

Qëndrimi themelor i martirit të krishterë

Shën Pjetri, në Letrën e tij të parë, e përcakton qartë cili është qëndrimi i çdo të krishteri para mundësisë për martirizim: “Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit, që ju kërkon arsyen e shpresës që është në ju, - shkruan apostulli, që Krishti e caktoi si shkëmbin mbi të cilin do të ngrinte Kishën e vet - por me butësi dhe nderimin e duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, të cilët flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën shpifin për ju, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend, nëse kjo është vullnesa e Hyjit, është më mirë të vuani duke bërë mirë sesa duke bërë keq” (1 Pt 3,15-17).

07 nëntor 2024, 09:49