Kërko

I Lumi dom Gjon Gazulli, meshtar I Lumi dom Gjon Gazulli, meshtar

Edhe në vorr, i gjallë…në kujtim të të Lumit Gjon Gazulli

Mbreti Zog donte ta varte dom Gjon Gazullin, për ta tmerrue popullin me pamjen e atij Djaloshi, që pak kohë ma parë e kishte pa tue u flijue në Elter, si Krishti, e tashti flijohej për Krishtin. Ashtu, i ngarkuem me zinxhirë si ishte, ra në dy gjunj... ishte adhurimi i mbram...dëshmia e Tij. E feja e Tij…

R.SH. / Vatikan

Në kujtim të të Lumit Gjon Gazulli

Edhe në vorr, i gjallë…

Ai ecte me hap të ngadalshëm, me kambët randue prej zinxhirëve, rrugëve të Qytetit të Veriut. Mbreti Zog donte ta varte, për ta tmerrue popullin me pamjen e atij Djaloshi, që pak kohë ma parë e kishte pa tue u flijue në Elter, si Krishti, e tashti flijohej për Krishtin, rrugëve të Qytetit të Veriut. Për ta tmerrue popullin e martirizuem nga qeveria, ashtu si po martirizohej ai. E si po  jepte edhe dishminë e fundit, në konop!

Ishte në lule të rinisë! E megjithatë, nuk mund të ecte. Duhej t’i hiqte zvarrë kambët e randueme me zinxhirë…

Ashtu përshkoi rrugët kryesore, të boshatisuna nga tmerri, deri sa mbërrijti te dera e Kishës së Fretënve. E sapo mbërrijti, ra papritmas përdhe në dy gjuj të mëdhaj. Ashtu, i ngarkuem me hekura! Dëshmi, kjo që e ruen brez mbas brezi i gjithë Qyteti i Veriut! Ishte adhurimi i mbram para asaj dere që e kishte shkapërcye me devocion të thellë gjithë jetën. Atë jetë aq të shkurtë – e njëkohësisht edhe aq të gjatë – që po i sosej në litar, për t’u naltue menjëherë mbas në naltësi të tjera, për të cilat po flijohej.

Ashtu, i ngarkuem me zinxhirë si ishte, ra në dy gjunj të mëdhaj përpara asaj dere. Derë Kishe, ku kishte shkelë aq shumë e ku do të kujtohej në shekuj emni i tij. Dëshmia e Tij. E feja e Tij…

në atë qytet, që e pa të varun në konop, e njëkohësisht të paharruem në kujtesë e të naltuem në Elter…

e edhe në vorrin e tij në Rrmaj, që shndritet ditë-natë nga qirat e besimtarëve, e në qiell, ndërmjet aradhes së martirëve të tjerë, shpallë të Lum para tij, e që do të shpallen edhe mbas tij!

16 nëntor 2024, 12:05