Kërko

Një moment nga asambleja e Familjes rregulltare Vinçenciane Një moment nga asambleja e Familjes rregulltare Vinçenciane

Etërit Vinçencianë, në Romë për takimin ndërkombëtar mbi sinodalitetin dhe bamirësinë

Mbi 200 kongregata, organe dhe shoqata të frymëzuara nga Shën Vinçenc de’ Paoli do të mblidhen për katër ditë reflektimesh mbi karizmën e përbashkët dhe të ardhmen e projekteve të përbashkëta. Prania e pjesëmarrësve në Sheshin e Shën Pjetrit pritet më 17 nëntor për Ditën Botërore të të Varfërve, gjatë së cilës Papa do të bekojë nismën “13 shtëpi për Jubileun'. Atë Tomaž Mavrič, president i komitetit ekzekutiv të Familjes Vincenciane: "T’u përgjigjemi menjëherë nevojave".

R.SH. / Vatikan

Është gjithmonë befasuese të shikosh nga afër ribashkimin e një familjeje të madhe, që ndan bashkë gjithçka: gëzimet, hidhërimet, shpresat. E mbetesh pa fjalë nëse kjo familje, me emrin vinçenciane, ka një numër të pafund fëmijësh në mbarë botën: më shumë se dyqind kongregata, shoqata dhe organe që kanë si emërues të përbashkët karizmën e Shën Vinçenc de Paolit, që njihet si shenjtor i bamirësisë. Dhe është edhe më emocionuese të dihet se tema e takimit ndërkombëtar, që u hap dje pasdite në Romë, është 'Ta mbajmë zjarrin të ndezur: sinodaliteti vinçencian në veprim', i cili të kujton tri përmasat, që caktoi Papa për udhëtimin e të gjithë Kishës: bashkim, pjesëmarrje dhe mision.

Pyetje themelore

Në bazë të diskutimit vëllazëror, i cili do të përfundojë të dielën, më 17 nëntor, kur pjesëmarrësit do të shkojnë në Sheshin e Shën Pjetrit për meshën e kremtuar nga Françesku me rastin e Ditës Botërore të të Varfërve, është një pyetje e lashtë, që pret gjithmonë përgjigje të reja: si të veprohet në një botë të tronditur nga luftërat e dhunshme, pre e padrejtësisë dhe e abuzimit? Busulla e lëvizjes mbetet karizma e themeluesit, gjestet e bujarisë vetëmohuese të të cilit madje e shtynë Luigjin XIII, Mbretin e Francës, ta emërojë atë si këshilltarin e tij të besuar. “Ka një sfidë që na shqetëson për të ardhmen: të kemi sytë hapur dhe të reagojmë menjëherë ndaj nevojave të 160 kombeve në të cilat ndodhemi. Duhet të ndërhyjmë aty, ku njerëzit kanë nevojë për ndihmë, shpirtërore dhe materiale”. Atë Tomaž Mavrič, president i komitetit ekzekutiv të Familjes Vinçenciane dhe epror i përgjithshëm i Kongregatës së Misionit dhe i Bijave të Bamirësisë së Shën Vinçenc de Paulit shpjegon, për mediat e Vatikanit, se ky objektiv arrihet me bashkëpunimin e të gjitha realiteteve Vinçenciane të cilat, së bashku, shndërrohen në një fuqi të së mirës.

Veprim së bashku

Në vijim shpjegon se "themeluesi nuk veproi i vetëm, u përpoq gjithnjë t’i përfshinte edhe të tjerët, për të kryer projekte ungjillëzimi dhe bamirësie". Takimi botëror i këtij viti, i dyti pas atij të 2020-ës në Castel Gandolfo, vë qartë në dukje atë që Atë Mavrič e mbështet prej disa kohësh: "Unë mendoj se Familja Vinçenciane duhet të quhet tani Lëvizja e Familjes Vinçenciane. Dallimi qëndron në faktin se më parë Familja Vinçenciane përbëhej nga kongregacione të jetës së përkushtuar dhe shoqata laike, por tani vërehet se ka shumë që, pavarësisht se nuk i përkasin asnjë dege, jetojnë të njëjtën karizëm. Në total, ne i kalojmë 4 milionë vetë”.

Projekti i bamirësisë për Jubileun

Të dielën e ardhshme Papa do të ndihmojë të mbajë gjallë zjarrin e dashurisë për të tjerët. Atë zjarr, që rri gjithmonë ndezur në zemrat e çdo Vinçenciani: do ta bëjë këtë duke bekuar 13 çelësat që kanë të bëjnë me projektin '13 shtëpitë', i cili ka si qëllim - veçanërisht gjatë Jubileut - të nxisë bashkësinë ndërkombëtare të gjejë zgjidhje për të pastrehët që jetojnë në 13 vende të ndryshme. “Ideja, e lindur shumë kohë më parë, vjen pas nismës së Shën Vinçenc de Paulit, i cili ndau një pjesë të trashëgimit të tij personal, për të blerë 13 shtëpi për të varfërit. Deri më tani, në shumë vende të botës, projekti ka bërë të mundur strehimin e rreth 100 mijë njerëzve”, kujton Atë Valerio Di Trapani, epror provincial i misionarëve Vinçencianë në Itali. Një nga 13 shtëpitë e reja, që do të hapen në po aq vende, do të jetë në Katania. “Do të quhet shtëpia e atit dhe do të jetë strehë për burrat e varfër që, për shkak të një ndarjeje, jetojnë në kushte edhe më të pasigurta ekonomike. Jo vetëm kaq. 13 shtëpi do të hapen edhe në Siri me mbështetjen e Atit të Shenjtë. Dhe për ne kjo ndihmë është vërtet e rëndësishme”.

15 nëntor 2024, 14:10