Kërko

Vangelo della XXXII DOMENICA DEL TEMPO ORDINARIO – ANNO B – Llofferta della povera vedova Vangelo della XXXII DOMENICA DEL TEMPO ORDINARIO – ANNO B – Llofferta della povera vedova

Fjala e Zotit e së dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “B”

Ungjilli i ditës na flet për vejushën e varfër, që hedh në thesarin e Tempullit dy kacidhe, ndërsa të pasurit, thjesht për t’u dukur, hedhin para pa kursim. Jezusi pohon se kjo vejushë kaq e varfër, hodhi më shumë se të gjithë, sepse të tjerët dhanë tepricat, ndërsa kjo, në mjerimin e saj, dha gjithçka kishte për të jetuar

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të Fjalës së Zotit të dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit Kishtar ‘B’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit Kishtar ‘B’

Lexime biblike tё kёsaj sё diele na flasin pёr m dy gra tejet të varfëra, pёr dy vejusha, por me besim të patundur në Zotin, përmes dy episodeve biblike siç na kujton Leximi I dhe Ungjilli, burim i një mësimi të çmuar mbi fenë nё Zotin.

Ungjilli nga Marku na flet për vejushën e varfër, që hedh në thesarin e Tempullit dy kacidhe, ndërsa të pasurit, thjesht për t’u dukur, hedhin para pa kursim. Jezusi pohon se kjo vejushë kaq e varfër, hodhi më shumë se të gjithë, sepse të tjerët dhanë tepricat, ndërsa kjo, në mjerimin e saj, dha gjithçka kishte për të jetuar. E para syve të Zotit, lëmosha e saj është shumë më e çmuar se lëmoshët e të pasurve, sepse ka dhuruar gjithçka kishte mbas shpirtit. Kështu vejusha bëhet model i fesë, sepse kishte mbështetur të gjitha shpresat në Zotin e na kujton se s’ka njeri aq të varfër, sa të mos ketë asgjë për të dhuruar.

Kështu dy vejushat bëhen modele të fesë, që shprehet si sjellje shpirtërore e njeriut, i cili e bazon jetën mbi Hyjin, mbi fjalën e Tij dhe lëshohet i tëri në dorë të Zotit. Por kushti objektiv i nevojës nuk mjafton. Zoti kërkon gjithnjë bashkimin e lirë me fenë, e cila shprehet në dashurinë për Të dhe për të afërmin. Askush nuk është aq i varfër, sa të mos ketë ndonjë gjë për të dhuruar. E vërtetojnë dy vejushat tona, që e dëshmojnë fenë e tyre, duke kryer vepra mëshire.

Dy gratë e veja, vërtetojnë, kështu, lidhjen e pakëputshme ndërmjet fesë e mëshirës, besimit e përdëllimit të krishterë, dashurisë për Zotin e dashurisë për të afërmin. Shën Leoni Madh na kujton se “mbi kandarin e drejtësisë hyjnore nuk peshon sasia e dhuratave; peshojnë zemrat”.

Mikpritja e bujaria shpërblehen, kompensohen nga mrekullia e Elisë profet ( Leximi I nga Libri i parë i Mbretërve 17,10-16). Po kështu edhe bujaria e përvujtë e vejushës së dytë, e cila meriton lëvdatën e jashtëzakonshme nga Jezusi (Ungjilli nga Marku 12,38-44). Këto dy gra të veja, në aftësinë e tyre të bujarisë, të dhurimit, të zemërgjerësisë së tyre shëmbëllejnë figurën e Krishtit, i cili ka ofruar vetveten, një herë e përgjithmonë, për shëlbimin e mbarë njerëzimit, pra për çlirimin e njerëzimit nga egoizmi, nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes.

Këta shembuj themelor për fenë e krishterë, i kujton edhe lutja e dytë e Meshës se kesaj se diele te XXXII, e cila na fton si besimtarë, t'i kërkojnë Zotit ndihmë në mënyrë që “…të gjithë të mësojmë të falim, të mësojmë të dhurojmë, sipas shembullin të Atij që ka dhuruar vetveten…”.

                                                 Liturgjia e Fjalës së Zoti


Leximi i parë 1 Mbr 17, 10-16


Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të vejë duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të pi.” Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!” 
Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy-tre dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.” Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Në tinar mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë – derisa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë’.” 
Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë. Fjala e Zotit.

Psalmi 146
Lum skamnorët në shpirt: sepse e tyre është Mbretëria qiellore
----------

Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
----------
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
----------
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
----------

Leximi i dytë Heb 9, 24-28

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; - përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes. 
Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.  Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 12, 38-44

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!”. Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qittë para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, domethënë një të katërt të asit.
Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.” Fjala e Zotit!:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XXXII GJATË VITIT: KJO VEJUSHË SKAMNORE QITI MË SHUMË SE TË GJITHË TË TJERËT.

(1Mbr 17, 10-16; Ps 146 (145); Heb 9, 24-28; Mk 12, 38-44)

Këtë të dielë Shkrimi Shenjt përmend disa herë vejushat. Në leximin e parë na tregohet se si një vejushë strehoi e ushqeu në shtëpinë e vet profetin Eli. Edhe Ungjilli flet për vejushat: një herë Jezusi i përmend ato duke vënë në pah padrejtësitë që skribët bënin kundër tyre e pastaj i del zot një vejushe skamnore e cila qiti pak para në arkën e tempullit.

Për vejushat Shkrimi Shenjt flet shpesh, sidomos në Besëlidhjen e Vjetër. Madje në porositë e Tij ndaj popullit të Izraelit, Zoti është shumë këmbëngulës në respektin që secili duhej të kishte ndaj vejushës e ndaj jetimit.

Vejushat ishin kategoria më e rrezikuar në atë kohë edhe për shkak të hapësirave tepër të pakta që i rezervohej gruas në jetën publike e kështu nuk kishte kush t’i përfaqësonte e t’i mbronte botërisht. Kështu, duke i dalë zot kësaj kategorie të popullit, Hyji bëhej mbrojtësi i drejtpërdrejtë i tyre. Prandaj gjejmë në Shkrimin e Shenjtë shprehje si: «Zoti i jep të drejtën bonjakut dhe vejushës, e do të ardhurin, i jep ushqim dhe e vesh.» (Lp 10, 18) Psalmi i sotëm thotë: «Zoti u ndihmon bonjakëve e të vejave.» Një psalm tjetër rezervon deri edhe fjalë prekëse në këtë aspekt: «Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave, është Hyji në banesën e vet të shenjtë.» (Ps 68, 6)

Prandaj edhe Moisiu i thoshte Izraelit fjalë shumë të forta në lidhje me këtë: «Qoftë mallkuar ai që i shkel të drejtën ardhacakut, bonjakut dhe vejushës.» (Lp 27, 19) Mallkimi donte të thoshte përjashtim nga bashkësia e Izraelit.

Me një fjalë: dashuria për vejushat dhe jetimët, ngjante me një aparaturë matëse të dashurisë. Kemi aparatura për të matur temperaturën, tensionin, etj.: atëherë le ta imagjinojmë edhe një të tillë që matka dashurinë.

Shkrimin Shenjt sot na tregon disa raste konkrete se si Hyji përkujdeset për vejushën dhe jetimin. Në leximin e parë, Hyji e bën këtë duke mos lejuar që t’i mbaronte mielli vejushës që kishte mirëpritur në shtëpinë e saj profetin Eli. Ajo u tregua bujare me Hyjin, duke qenë se e pranoi me bujari të dërguarin e Tij e Hyji ia shpërbleu. Duke parë se ajo nuk u kursye edhe pse s’kishte tjetër ushqim, Hyji e inkurajoi nëpërmjet profetit: «Mos ki frikë aspak, por shko e bëj siç the [...], sepse kështu thotë Zoti Hyj: “Në tinar, mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë deri sa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë”.» E ashtu ndodhi.

Po ashtu edhe në Ungjill, Jezusi përkujdeset në mënyrë të veçantë për vejushat. Pa kursim, Jezusi e nxjerr në pah egoizmin e skribëve të kohës së vet, duke treguar se sa i rremë ishte besimi që ata thoshin se kishin në Zotin: «I përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata. Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë.»

Të njëjtën gjë e bën edhe Jezusi duke mbrojtur dinjitetin e asaj vejushe skamnore që erdhi atë ditë në tempull për të lënë lëmoshën e saj. Në arkën e tempullit ishte zakon të liheshin para dhe, me shumë mundësi, aty ishte edhe ndokush që mbante shënim se sa u la. Ndoshta emrat lexoheshin edhe publikisht. Kështu që shumëkush shkonte të linte jo edhe aq për nevojat e tempullit, por për të rënë në sy për “bujarinë” e tij. Ves ky që edhe sot rrezikon të kanoset mbi kokat e shumë “bamirësve”, qofshin ata edhe brenda Kishës.

Por, si i bëhet për ata që nuk kanë shumë? A nuk paskan mundësi ata të jenë bujarë? Jezusi e mbron dinjitetin e kësaj vejushe që po rrezikon të përdhoset nga fryrja egoiste e pasanikëve. Prandaj edhe i fton rreth vetes nxënësit e vet dhe u thotë: «Për të vërtetë po ju them: Kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.»

Ja sa bukur Jezusi e mishëron në veten e Tij përkujdesjen e Hyjit ndaj kësaj kategorie: Jezusi, aty, në tempull, po e përmbush atë bindjen e psalmit që cituam më sipër: «Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave, është Hyji në banesën e vet të shenjtë.»

Duke lexuar këtë pjesë, ndokush edhe mund të ketë tundimin që të mendojë se ky tekst dashka të na mësojë se si duhet të sillemi përsa i përket lëmoshës që lëmë në kishë, duke menduar se u dashka të lëmë gjithçka që kemi. Por jo, nuk është ky qëllimi i kësaj pjese ungjillore. Këtu Jezusi na mëson që të mos kemi qëllime dashakeqe kur lëmë lëmoshë, pra të mos e bëjmë për t’u dukur. Jezusi na mëson që t’i ruhemi egoizmit.

Këto vejusha sot – ajo e leximit të parë dhe ajo e Ungjillit – na mësojnë diçka që është thelbësore për jetën tonë shpirtërore: bujaria ndaj Hyjit. Duket pak, por këtu është problemi i shumë “ngërçeve” që ndodhin në ecjen tonë shpirtërore. Zoti na flet me Fjalën e Tij, na kërkon që ta ndjekim, na kërkon që të rritemi gjithnjë e më shumë në dashuri, por nganjëherë ne nuk jemi të gatshëm për këtë. I gjithë problemi është se nuk jemi bujarë me Të.

Të jesh bujar me Hyjin, do të thotë të japësh pa zemër të thyer, të japësh kur e sheh se është e nevojshme dhe të mos rrish duke llogaritur shpenzimet që t’u desh të bëje për të mirën e arritur. Na kërkohet të jemi të gëzuar nëse e kemi çuar në vend atë që Hyji na e kërkoi. Shën Pali, në letrat e tija, thotë: «Hyji e do atë që jep me gëzim.» (2 Kor 9, 7)

E ndodh që Hyji të mos na kërkojë gjithnjë thjesht tepricat apo kursimet, por edhe «gjithçka patëm për jetesë». Këto vejusha pikërisht këtë na mësojnë.

Shpesh jemi koprracë me Zotin. Si ka mundësi, përshembull, që shumë të krishterë thonë se nuk kanë kohë të luten? Si ka mundësi që gjatë gjithë ditës apo në mbrëmje nuk arritkan t’i gjejnë të paktën pesë minuta për Zotin? Si qenka e mundur që të pohojmë se dikë e kemi përzemër, kur për të nuk “sakrifikojmë” pak nga koha jonë?

Por ndoshta e vërteta e hidhur është një tjetër: e quajmë humbje kohe kontaktin me Zotin, prandaj nuk arrijmë të lutemi. Nuk duam të humbim asgjë për hir të Tij. Nuk duam të jemi bujarë me Të.

Edhe për sa i përket thirrjeve për jetën meshtarake apo të shuguruar, të shumtë janë ata që nuk e vënë as në diskutim mundësinë e një thirrjeje të tillë (apo edhe nëse ndodh, e flakin menjëherë larg tutje këtë mendim), pikërisht ngaqë nuk duan të jenë bujarë me Hyjin. Deri sa Hyji u kërkon tepricat e kursimet, janë bujarë, madje edhe të gëzuar, por kur Ai u kërkon gjithçka, këtu ndodh “ngërçi” që përmendëm më sipër.

Në jetën e Shën Luigj Gonzagës, një djaloshi të një familjeje të pasur italiane në shekullin XVI, thuhet se nuk e pati lehtë të kishte miratimin e të atit kur deshi t’i hynte rrugës për t’u bërë meshtar. I ati i tha që as të mos e diskutonte një mundësi të tillë, por ai vazhdonte të lutej për këtë dhe vazhdonte të ngulte këmbë para të atit. Por ky as që tundej. I ati kishte vënë në këtë djalë tërë shpresën e markezatit të vet e nuk donte të humbiste gjithçka. Madje ndonjë herë i ati shpërthente edhe dhunshëm kundër tij, sepse ndihej i tradhtuar nga i biri.

Filloi të përpiqej ta shpërqendronte nga ai vendim, duke e mbuluar më të mira, por i biri nuk tërhiqej.

Megjithatë, një ditë ndodhi diçka që të atin e gjunjëzoi më në fund. Ai dërgoi dikë ta thërrasë Luigjin nga dhoma e tij e të paraqitej tek i ati, por Luigji nuk u paraqit. I thanë se i biri ishte futur në dhomë dhe e kishte mbyllur atë nga brenda. Dy prindërit u afruan të shihnin përmes një të çare të derës dhe panë se Luigji, duke qarë, po frushkullonte vetveten para Kryqit.

Më vonë Luigji vetë do të tregonte se po frushkullonte atë anë të veten që ende nuk i ishte hapur krejtësisht Zotit. Kur pa këtë skenë, i ati u dorëzua dhe e lejoi të vazhdonte në zgjedhjen e tij.

Ja se ç’do të thotë të jesh bujar me Hyjin: të përpiqesh me çdo kusht ta mposhtësh egoizmin tënd personal. Këtë gjë na mësojnë dy vejushat për të cilat sot foli Shkrimi Shenjt dhe këtë gjë na e mësojnë të gjithë shenjtërit. Të mos i rezervojmë Zotit vetëm kursimet apo tepricat tona, por gjithçka që kemi dhe gjithçka që jemi!

Vlen edhe në lidhje me Zotin ajo lloj dashurie të cilën aktori dhe komiku i njohur italian, Roberto Benigni, thoshte se duhet të kemi në lidhje me njëri-tjetrin: «Të duash, do të thotë të dhurosh atë që nuk ke. Duhet të dhurojmë kohën tonë, veten tonë, ditët tona!» E këtë e thoshte seriozisht.

 

Dom Dritan Ndoci

 

09 nëntor 2024, 12:16