Fjala e Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘B’
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do ti dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së para fundit të këtij viti liturgjik, të dielës së 33-të.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘B’
Ungjilli flet për mjerimin e atyre ditëve, kur dielli do të terratiset, hëna nuk do të lëshojë më dritë, yjet do të bien nga qielli e trupat qiellorë do të lëkunden. Atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut. Është dita e fundit e botës, sipas figurave të Ungjillit të Shën Markut, ashtu si ua përshkruan Jezusi apostujve.
E Jezusi jo vetëm kujton figurat e lashta të Biblës, por edhe i plotëson, madje i relativizon këto figura, me një vegim tjetër të fuqishëm: “Të gjitha fiset e dheut do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi e madhëri të madhe”. Biri i njeriu është vetë Jezusi, që lidh të tashmen me të ardhmen; fjalët e lashta të Profetëve gjejnë, më në fund, një qendër në Vetjen e Mesisë nazarenas: ngjarja e vërtetë, e madhe, është Ai, që në mes të tronditjeve të botës, mbetet përgjithnjë i patundshëm.
Skena, që pikturon Krishti, nuk ka qëllim të ngjallë shqetësim, përkundrazi. Zoti dëshiron të na bëjë të vetëdijshëm se gjithçka kalon, ndërsa Fjala e Zotit nuk kalon kurrë, nuk ndryshon, e përballë saj, secili nga ne do të japë llogari për sjelljen e vet, gjëja e vetme që ka rëndësi në fundin e kohëve.
Jezusi nuk përshkruan fundin e botës e, kur përdor figura apokaliptike, nuk sillet si vegimtar.
Përkundrazi, Ai dëshiron t’i largojë dishepujt e tij të çdo epoke nga kurioziteti lidhur me datat e parashikimet e pёrfundimit tё botёs, duke u dhënë në dorë kyçin për një lexim më të thellë, themelor e, mbi të gjitha, për t’u treguar rrugën e drejtë, në të cilën duhet të ecin, sot e nesër, që të hyjë në jetën e pasosur. Të gjithë elementet e kozmosit i binden Fjalës së Zotit, prej këndej, njeriu është i thirrur ta mbështesë, pa frikë, shpresën, mbi Jezusin, Fjalën e mishëruar të Hyjit.
Liturgjia e Fjalës se Zotit
Leximi i parë Dan 12, 1-3
Lexim prej Librit të Danielit profet
Në atë kohë do të ngrihet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe qysh se filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.
Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm. Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm. Fjala e Zotit.
Psalmi 16
Më ruaj, o Zot, sepse në ty shpresoj
----------
Zoti është pjesa e trashëgimit tim
dhe gota ime,
në dorën tënde është fati im!
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë,
nuk kam sesi të rrëzohem!
----------
Prandaj galdon zemra ime,
gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,
as s’do të lejosh
që Shenjti yt të kalbet në dhe.
----------
Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme
në të djathtën tënde.
----------
Leximi i dytë Heb 10, 11-14.18
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Çdo prift tjetër qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të njëjtat fli, të cilat assesi s’mund t’i shlyejnë mëkatet. Krishti, përkundrazi, duke pas kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme, rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tija. Dhe, vërtetësisht, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit. Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to! Fjala e Zotit.
Ungjilli Mk 13, 24-32
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Jezusi u tha nxënësve të vet: “Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës – prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.
Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut: Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera! Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë. Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.” Fjala e Zotit.
Homelia nga Dom Dritan Ndoci:
E DIELA XXXIII GJATË VITIT:QIELLI E TOKA DO TË KALOJNË, FJALËT E MIA NUK DO TË KALOJNË.
(Dan 12, 1-3; Ps 16 (15); Heb 10, 11-14, 18; Mk 13, 24-32)
Leximi i parë dhe Ungjilli i sotëm flasin për fundit e botës. Të folurit për fundit e botës është një fenomen që gjendet në shumë besime. Gjithashtu edhe shkenca flet për një fund të sigurt të botës. Por mënyra se si përdoret koncepti «fund i botës», është mjaft i ndryshëm mes shkencës dhe besimit, si edhe mes besimeve të tjera me krishterimin.
Shkenca nënkupton një fund të natyrshëm të globit tokësor, të planetëve të tjera, të diellit e të galaktikave, duke u bazuar tek fakti se edhe shumë planete e yje të tjerë tashmë janë shpërbërë si edhe tek fakti se vetë përbërja e tokës, e planeteve dhe e diellit është e një natyre të kufizueshme, që ka një jetëgjatësi të caktuar e jo të përjetshme.
Ndërsa besimet që flasin për fundin e botës nënkuptojnë jo një fund të natyrshëm të saj, por një ndërhyrje të mbinatyrshme të perëndive.
Në këtë aspekt edhe krishterimi ngjan me këto besime, por duke na treguar se Ai që do t’i japë fundin gjithçkaje është Jezu Krishti, Biri i Hyjit. Ndoshta më fort se të themi «fundi i botës», ishte dashur të përdornim fjalët «fundi i kohëve». Koha do të mbarojë e do të fillojë amshimi.
E këtu ka diçka shumë të rëndësishme. Kur flet për fundin e kohës, Jezusi është i qartë se këtë fund do të jetë pikërisht Ai që do ta vendosë. Do të na dukej shumë normale sikur Jezusi të fliste për një fund të vendosur nga të Tre Personat Hyjnorë, por, në fakt, Ai thotë se këtë fund do ta vendosë Ai vetë: «Atëherë do ta shohin “Birin e njeriut duke ardhur mbi re” me fuqi të madhe e me lavdi.» Do të jetë pikërisht Jezusi Ai që «do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës, prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.»
Po përse kjo ngjarje përfundimtare e historisë do të lihet në dorën e Birit? Kjo ngaqë Shkrimi Shenjtë thotë se pikërisht nëpërmjet Birit «u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë» (Gjn 1, 2) dhe se «çdo gjë qëndron në Të» (Kol 1, 17)? Jo vetëm kaq, por edhe ngaqë pikërisht nëpërmjet Tij Hyji na e tregoi dashurinë e vet dhe na shëlboi. Atëherë është e drejtë që pikërisht nëpërmjet Birit Ati ta mbyllë kohën.
Në ardhjen e Tij të parë, Jezusi erdhi si shërbëtor i njerëzimit, ndërsa atëherë do të vijë duke treguar se është Zotëruesi i gjithësisë e i historisë. Prandaj ata që i përkasin Jezusit, kur Ai të vijë, do të galdojnë në praninë e Tij. Ata që e ndoqën Jezusin shërbëtor në këtë jetë, do ta ndjekin edhe si Zotërues të gjithësisë në amshim. Ndërsa ata që nuk e bënë këtë, kur të gjenden para Tij, do ta kuptojnë se paskan ndjekur zotërinj të rrejshëm. Ardhja e Jezusit do të vërë në pah edhe kotësinë e jetës së tyre. Në këtë kuptim, Ai jo vetëm se do të mbyllë kohën, por do të jetë edhe gjykatësi i të gjallëve dhe i të vdekurve.
Sot në Ungjill Jezusi përdor disa fjalë që duken mjaft të frikshme. Thotë: «Në ato ditë, pas aso vështirësish, “dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit e trupat qiellorë do të lëkunden”.» Duket sikur Jezusi i përdor këto fjalë për të frikësuar, por është thjesht për të treguar kalueshmërinë e krijesave. Nëse, kur je duke dalë nga shtëpia, nëna jote të thotë se po vjen shtrëngata, nuk ta thotë për të të frikësuar, për për të ta kujtuar se duhet të marrësh një çadër. Po ashtu edhe Jezusi dëshiron të na e kujtojë se krijesat do të mbarojnë, por kush beson në Të, nuk ka pse të ketë frikë. Mjafton që të strehohet nën pushtetin e Birit, pra të ndjekë fjalën e Tij.
Për më tepër, në kohën e Jezusit, dielli, hëna, yjet, ishin të konsideruara si perëndi nga jo pak popuj. Jezusi kështu dëshiron të nxjerrë në pah kotësinë e tyre në krahasim me Të. Po ashtu edhe ato gjëra që ne mund t’i quajmë si «diej» apo «yje» të jetës sonë, përballë Jezusit do të dalë në pah se në fakt nuk ishin të tillë. Prandaj na duhet të bëjmë kujdes kur i japim tepër rëndësi gjërave të tjera më fort se Jezusit dhe fjalës së Tij.
Të gjitha do të kalojnë, por vetëm fjala e Tij nuk do të kalojë: ideologjitë, besimet, kulturat, strukturat e ndryshme shoqërore, familja, shëndeti, jeta, nëse nuk kanë brenda tyre fjalën e Jezusit do të bien poshtë, do të kuptohet se sa boshe ishin. Ndërsa gjërat që do të triumfojnë do të jenë ato që brenda tyre kanë fjalën e Jezusit. Prandaj Jezusi na thotë në Ungjill këto fjalë vërtet madhështore: «Qielli e toka do të kalojnë e fjalët e mia nuk do të kalojnë.»
Sa keq do ta ndjejnë veten para Krishtit ata që e kanë mohuar atë në këtë jetë, ata që kanë jetuar me mashtrime, me intriga, apo ata që kanë drejtuar struktura shoqërore që nuk iu hapën Atij e që nuk e kishin përzemër të vërtetën e drejtësinë. Do ta shohin me sytë e vet zbrazëtinë e mendjes së tyre.
Ja pra cili është kuptimi i jetës sonë, i jetës së botës, i jetë së historisë: orientimi kah Ungjilli. Çdo gjë tjetër kalon e vetëm ajo lloj jete që jetohet sipas Ungjillit të Krishtit, nuk do ta humbasë kurrë shkëlqimin e vet. Siç thotë edhe leximi i parë: «Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.»
«Dijetari» sipas Biblës është ai njeri që beson në Hyjin. Ja pra: ai që beson në Hyjin dhe që ua mëson këtë edhe të tjerëve, do të jetë trashëgimtari i jetës së Hyjit. Të tjerët jo.
Këtë, pra, na mëson sot Shkrimi Shenjt: ta ndjekim çdo ditë Krishtin dhe t’ia shpallim Atë botës! Çdo ditë e jetës sonë duhet të orientohet kah Ai! Gjithçka tjetër është e kalueshme dhe boshe, sado e shkëlqyeshme që mund të duket.
Jezusi thotë: «Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.» Zoti nuk ka dashur të na e thoshte se kur do të ndodhte fundi i kohëve, por, po ta mendojmë mirë, nuk do të duhej të kishte rëndësi ta dinim apo jo ditën dhe orën, sepse çdo ditë dhe çdo orë ne do të duhej të ishim duke jetuar sipas fjalëve të Jezusit. Mbase për këtë arsye Ati i amshuar nuk na e ka treguar, sepse kjo nuk ishte e domosdoshme për shëlbimin tonë. Psalmi e thotë shumë bukur: «Zotin e kam gjithmonë para sysh.»
Të jetojmë, pra, sipas fjalëve të Jezusit, t’ua mësojmë ato edhe të tjerëve, ta presim me bindje, gëzim dhe plot dëshirë ardhjen e Tij të dytë! Ta dijmë se jemi të krijuar vetëm për Të! Po ndoqëm dikë apo diçka tjetër, një ditë do ta shohim se sa boshe ishte. Vetëm Jezusi është drita e vërtetë e prandaj edhe ta presim me gëzim amshimin e lum që na pret në Të.
Psalmisti i sotëm i thotë Zotit: «Ti do të ma tregosh udhën e jetës, gëzimin e plotë para fytyrës sate, kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.»
Dom Dritan Ndoci