Fjala e Zotit e dielës së 31-të gjatё vitit kishtar “B”
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia Fjalës e dielës së 31 gjatë vitit kishtar 'B'
Dashuria është masa e fesë, feja është shpirti i dashurisë, kёtё na kujton Jezusi nё Ungjillin e kësaj sё diele. dashuria për Zotin e për të afërmin janë faqe të së njëjtës medalje. “Do ta duash Zotin me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë mendjen tënde”, i përgjigjet Jezusi, në Ungjillin e Markut, një dijetari të Ligjit hebraik, i cili e pyet për urdhërimin më të madh të Zotit. E pastaj, shton menjëherë: “Duaje të afërmin porsi vetveten”. Jezusi, nuk i shpik nga vetja këto dy urdhërime, i gjen nga Shkrimi i Shenjtë, nga Libri i Ligjit të Përtërirë dhe nga Levitiku. Por shton një risi qё është bashkimi i këtyre dy urdhërimeve – dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin – duke na zbuluar se ata janë të pandashëm e plotësues, janë dy faqe të së njëjtës medalje.
Përmes dashurisë për të afërmin, çdo i krishterë mund të dëshmojë dashurinë për Zotin. Urdhërimi i dashurisë për Zotin e për të afërmin është i pari, jo sepse qëndron në krye të listës së urdhërimeve. Jezusi nuk e vendos në majë, por në qendër, sepse është zemra, nga e cila duhet të nisë gjithçka e ku gjithçka duhet të kthehet.
Në dritën e fjalëve të Jezusit, dashuria është masa e fesë dhe feja është shpirti i dashurisë. Nuk mund ta ndajmë më jetën shpirtërore, jetën fetare, jetën e përshpirtshme, nga shërbimi për vëllezërit, për ata vëllezër konkretë, që takojmë nё realitetin e jetёs sonё tё pёrditshme. Nuk mund ta ndajmë më lutjen, takimin me Zotin në Sakramente, nga dëgjimi i të tjerëve, nga afërsia me jetën e tyre, sidomos me plagët e tyre.
Jezusi hap një udhë të re: Në mes të pyllit të rregullave e normave – të legalizmave të djeshëm e të sotëm – Jezusi hap një të çarë, që na lejon të shohim dy fytyra: fytyrën e Atit e atë të vëllait. Madje janë një fytyrë e vetme, ajo e Hyjit, që pasqyrohet në shumë fytyra, sepse në fytyrën e çdo të afërmi, sidomos në atë të më të voglit, më të brishtit e më të pambrojturit, është i pranishëm imazhi i vetë Zotit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Lp 6, 2-6
Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu iu drejtua popullit të Izraelit: “Druaje Zotin, Hyjin tënd, e zbatoj të gjitha urdhërimet e ligjet e tij që po t’i paraqes ty, bijve e nipave të tu gjatë gjithë jetës sate, që të jesh jetëgjatë. Dëgjo, o Izrael, mbaji e zbatoji që të jesh mirë e që gjithnjë të shtohesh në vendin që rrjedh qumësht e mjaltë siç ta ka premtuar Zoti, Hyji i etërve të tu. Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji është një Zot i vetëm! Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde! Këto urdhërime që po t’i jap sot unë, mbaji gjithmonë në zemrën tënde! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Psalmi 18
Të dua, o Zot, fuqia ime
O Zot, Qeta ime, fuqia ime,
Shpëtimtari im!
Ti je Mbrojtësi im,
fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
Në ndihmë do ta thërras
Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
Më sulmuan në ditën më të keqen,
por Zotin e pata krah.
Ai më qiti në vend të shpëtimit,
më shpëtoi sepse më kishte për zemër.
Është Zoti!
Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet,
e përkrah të shuguruarin e vet.
Leximi i dytë Heb 7,23-28
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, izraelitët u bënë priftërinj në një numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithmonë. Kurse Ai, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë. Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta. Vërtet, një kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt – i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten. Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit – që vjen mbas ligjit – vë Birin që u bë i përsosur për amshim. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Aleluja. Aleluja.
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti.
Ati im do ta duajë, dhe tek ai do të vijmë. Aleluja.
Ungjilli Mk 12,28b-34
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, një nga shkribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Jezusi iu përgjigj: “I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde, e me gjithë fuqinë tënde!’ Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.”
Skribi iu përgjigj: “Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta. Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.” Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga Dom Dritan Ndoci:
E DIELA XXXI GJATË VITIT: DASHURIA PËR HYJIN E PËR TË AFËRMIN.
(Lp 6, 2-6; Ps 18 (17); Heb 7, 23-28; Mk 12, 28-34)
Në jetën e Shenjtes Faustina Kovalska, Shenjtëresha e njohur polake e shekullit XIX, asaj që iu shfaq Jezusi siç e njohim tek fugurja e Mëshirës Hyjnore, tregohet një fakt plot ëmbëlsi. Motrat një herë i kishin caktuar detyrën e derëtares, ku i duhej të priste personat e ndryshëm që vizitonin kuvendin e tyre. Një ditë i erdhi një udhëtar me veshje të varfra. Shenjtja e mirëpriti si të gjithë të tjerët, plot ëmbëlsi e dinjitet dhe ashtu qëndroi me të për disa kohë, derisa udhëtari i mistershëm u largua.
Të nesërmen iu shfaq Jezusi dhe i tha: «Dje isha tek ti.» Ajo i tha se nuk ishte e vërtetë. Por Jezusi i tha: «Isha unë ai i varfri që prite dje. E lash për pak kohë lavdinë e qiellit, për të shijuar më nga afër përvujtërinë dhe dashurinë tënde». Një rast në mes shumë të tjerëve në jetën e shenjtërve, ku shohim se si dashuria për Hyjin dhe dashuria për njeriu e kishte brumosur të tërën këtë shenjtëreshë.
Në Ungjillin e sotëm na flitet pikërisht për këtë dashuri që duhet të kemi ndaj Hyjit dhe ndaj njëri-tjetrit. Jezusit i afrohet një skrib dhe i bën një pyetje: «Cili është i pari i të gjitha urdhërimeve?» E pyetja nuk ishte dosido, sepse pasqyronte atë “shqetësim” të rabinëve të asaj kohe për t’u gjetur një përmbledhje ligjeve të shumta që ishin në Izrael.
E, në fakt, ligjet ishin vërtet shumë: 613 numërojnë rabinët. E kush mund t’i mbante mend të gjitha? Një përpjekje për t’i thjeshtësuar gjërat mund të ishte mësimi përmendësh i Dhjetë Urdhërimeve, por, me sa duket, as kjo nuk i kënaqte teologët hebrenj të asaj kohe. E ndoshta me të drejtë, sepse e kishin perceptuar se shumica e urdhërimeve fillojnë me «Mos». Pra e kuptonin se qëllimi i Zotit ishte që të vinte një kufi të cilin njeriu nuk duhej ta kalonte, por, të dish cilët janë kufijtë që nuk duhen kaluar, nuk mund të jetë një ideal jete. Teologët e kuptonin se Urdhërimet, edhe pse ishin dhurata më e madhe që Zoti u kishte dhënë, nuk e shprehnin në plotësi zemrën e Hyjit të tyre që ishte «Hyji i dashur e i mëshirshëm». Prandaj edhe përpiqeshin të gjenin ndonjë tjetër urdhër që ta shprehte më mirë këtë të vërtetë.
Kështu pra, skribi, në një farë mënyre dëshiron të shohë sa është i informuar Jezusi rreth ekzistencës së këtyre shkollave teologjike të kohës. E duket sikur Jezusi e pranon “sfidën”. Por Jezusi nuk rri dot pa e treguar risinë e Tij edhe në këtë: skribi e pyeti për një urdhërim («Cili është i pari urdhërim i të gjitha urdhërimeve?»), ndërsa Jezusi i thotë dy. Risia e vërtetë, këtu, është vetë Jezusi: Ai nuk mund t’i ndajë dashurinë për Hyjin dhe dashurinë për njeriun.
Urdhërimi i parë të cilin Jezusi e citon, është në librin e Ligjit të Përtërirë dhe e dëgjuam edhe në leximin e parë: «Dëgjo, Izrael! Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde!» Duke filluar me fjalët «Dëgjo», Hyji e fton popullin e Tij në një qëndrim dëgjimi aktiv. Atëherë i kërkon edhe një dashuri të fuqishme për Të: «Me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde». Hyji na ka krijuar në përngjasimin e Tij dhe e di se vetëm në Të ne arrijmë të gjejmë lumturinë tonë të vërtetë. Duke iu përgjigjur me dashuri Hyjit tonë që është Dashuri, në realizojmë qëllimin e jetës sonë.
Thuhet se Shën Françesku i Asizit, kur delte nëpër qytet, ndonjë herë, duke qarë, thoshte: «Dashuria nuk është e dashur. Dashuria nuk është e dashur.» Shihte kaq shumë “harresë” për Hyjin, saqë i vinte të qante. Vetëm në Hyjin gjen pushim të vërtetë zemra jonë: «Na ke krijuar për ty, o Zot, dhe zemra jonë nuk gjen paqe derisa të mos pushojë në ty», shkruante Shën Augustini. Menjëherë, kësaj dashurie të fuqishme e të pashoqe për Hyjin, Jezusi i shton edhe dashurinë për njëri-tjetrin: «Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!» Këtë urdhërim Jezusi e merr nga libri i Levitikut.
Në mënyrë të nënkuptuar, është interesante të shohim se kjo pjesë e Besëlidhjes së Vjetër, «urdhëron» edhe dashurinë ndaj vetvetes. E në fakt, nëse nuk e duam veten, nuk do të dijmë t’i duam as të tjerët.
Hyji na e «urdhëron» ta duam veten edhe për faktin se Ai vetë na do: do ta fyenim, nëse do ta urrenim vetveten. Ajo shprehja që Jezusi thotë diku tjetër në Ungjill «Kush nuk e urren vetveten, nuk mund të vijë pas meje», nënkupton urrejtjen e egoizmit të tepruar që çon në kundërvënie ndaj Hyjit. Përndryshe Jezusi s’kishte pse ta citonte këtë pjesë të Levitikut që dëgjuam sot. Duke nënkuptuar, pra, dashurinë edhe ndaj vetvetes, Jezusi mëson se na duhet ta duam të afërmin tonë, që mund të jetë kushdo që gjendet në nevojë. Shën Gjoni, në letrën e tij, e shpjegon me fjalë shumë praktike detyrimin që ta duam njëri-tjetrin: «Kush nuk e do vëllanë që e sheh,
Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë.» E prapë Shën Gjoni thotë: «Kush nuk e do vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë.» Ky apostull e kishte kuptuar shumë mirë Zotin e vet që mësonte domosdoshmërinë e dashurisë vëllazërore: «Kush e do vëllanë e vet, ai është vazhdimisht në dritë.» Sa urgjente është ta duam njëri-tjetrin! Luftrat bëhen ngaqë nuk kuptohet urgjenca e kësaj dashurie. Varfëria në botë shtohet po për të njëjtën arsye. Shumë plagë shpirtërore shkaktohen vetëm nga mungesa e dashurisë.
Është interesante të dijmë se edhe psikologjia e vërteton se shumë trauma në jetën psikike të njeriut kanë si orgjinë ndonjë mungesë dashurie nga ana e ndokujt. Dashuria, pra, është ilaçi kundër varfërisë dhe luftërave, si edhe ilaçi që zbut e shëron shumë plagë të shpirtit njerëzor.
Jemi të krijuar për të dashur e jo për të urryer. Kur do ta kuptojmë këtë? Jezusi, për këtë arsye, nuk mund t’i ndante këto dy urdhërime. Duke mbledhur nga tekstet e Besëlidhjes së Vjetër këto dy urdhërime që flasin për dashurinë ndaj Hyjit dhe ndaj njerëzve, Jezusi na ofron një model jete. Prandaj nuk citon Dhjetë Urdhërimet, që ishin më fort si kufiri që s’duhej kapërcyer në jetë, sepse kufiri nuk mund të ishte model jete. Ndërsa dashuria po.
Me përgjigjen e Tij Jezusi ofron një zgjidhje dinamike të atij problemi që kishin rabinët e kohës për t’i përmbledhur gjithë ato urdhërime e rregullore të shumta që kishin: Jezusi u ofron si zgjidhje dinamizmin e dashurisë. E, në fakt, dashuria nuk mund të ketë kufi. Dashuria për Hyjin e për njeriun të shtyn të gjesh forma nga më të ndryshmet për t’u shprehur. Kjo dashuri të ndihmon t’i ikësh me gjithë zemër së keqes e të duash po me gjithëë zemër të mirën, sepse e kupton se je i krijuar për të dashur.
Por, e thamë, risia e vërtetë e gjithë kësaj pjese ungjillore është vetë Jezusi. Është ai që e ka dëshmuar pandashmërinë e dashurisë për Atin e Vet dhe për njerëzit, deri në vdekje në kryq. Prandaj Jezusi s’mund të gjente urdhërime të tjera jashtë logjikës së dashurisë, sepse Ai vetë e mishëronte Dashurinë Hyjnore e njerëzore në Personin e Tij.
«Duaj dhe bëj çfarë të duash» – thoshte Shën Augustini. E thoshte ngaqë ishte i sigurt se dashuria nuk na lejon të bëjmë të keqen, por na dikton gjithnjë horizonte të reja përkujdesjeje e dashamirësie. Kur skribi mori një përgjigje të tillë nga Jezusi, i entuziazmuar e miratoi se Jezusi kishte shumë të drejtë. Duke parë këtë entuziazëm të tijin, Jezusi i thotë po aq entuziast: «Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit».
Fjalët «nuk je larg», lënë të kuptohet se ende nuk ishte «brenda». Brenda bashkimit me Jezusin, «Mbretëria e Hyjit», jemi kur fillojmë ta praktikojmë dashurinë. Edhe ne Jezusi na fton si atë skribin që, tani që e dijmë vlerën e dashurisë për Hyjin e për njëri-tjetrin, edhe ta praktikojmë atë.
Duke iu kthyer atij episodit që treguam në fillim mbi jetën e Shenjtes Faustinë, mund të themi se, duke dashur e zbatuar këta urdhërime të dashurisë për Hyjin e për njëri-tjetrin siç na mëson Jezusi, edhe do të shndërrohemi brenda nesh e do të jemi në përngjasimin e Jezusit. Atëherë Jezusi, me ëndje, do ta “lërë” lumturinë e Parrizit e të vijë të na bëjë vizitë, sepse do të ndihet si në Parriz.
Në fakt, vetë Jezusi e ka thënë këtë në Ungjill: «Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë.»
Dom Dritan Ndoci