La maison des missionnaires de la Charité attaquée en Haïti La maison des missionnaires de la Charité attaquée en Haïti

Haiti, sulmohet shtëpia e Motrave të Shën Nënë Terezës

Kuvendi dhe spitali i Motrave të Nënë Terezës, në kryeqytetin Port-au-Price, u rrënuan dhe u dogjën nga një grup i armatosur. Murgeshat mirëprisnin dhe kujdeseshin për 30 mijë njerëz në vit.

R.SH. / Vatikan

Deri në natën e së shtunës, 26 tetor, ishte një nga vendet e fundit të respektuara në një vend, si Haiti, i kapërthyer nga dhuna. Atë mbrëmje një bandë plaçkiti kuvendin dhe spitalin e Misionareve të Bamirësisë, në kryeqytetin Port-au-Prince, përpara se t'i vinte flakën gjithçkaje. Fatmirësisht asnjë murgeshë nuk u lëndua.

Në fund të shtatorit policia u kërkoi murgeshave të largoheshin nga zona dhe ta mbyllnin shtëpinë, pasi përplasjet me bandat po bëheshin të rrezikshme për jetën e tyre. Më 26 tetor, vandalët hynë në shtëpi, shkatërruan një pjesë të mureve dhe boshatisën plotësisht kuvendin dhe spitalin. Stola, shtretër, pajisje mjekësore, gjithçka u grabit. Më pas disa artikuj u rishitën në tregun e zi të qytetit, gjatë këtij akti të ri të tragjedisë së një populli të harruar, viktimë e dhunës në vijim…

Mosndëshkimi për bandat

Është hera e parë që Misionarët e Bamirësisë sulmohen kaq drejtpërdrejt në vend. Deri tani edhe bandat e respektonin misionin e tyre, jetik për popullatën. Jimmy Chérizier, lideri i padiskutueshëm i bandës, pas sulmit, është veçanërisht i rrezikshëm, pohon një burim lokal: "Ka humbur çdo arsye, çdo respekt për murgeshat dhe për njerëzit, ndonëse e di shumë mirë se janë më të varfërit ata që përfitojnë nga shërbimi i murgeshave, a më mirë të themi, që kanë përfituar prej tyre gjatë gjithë këtyre viteve”. Rreth 30 mijë endacakë ndjeheshin si në shtëpinë e tyre çdo vit në shtëpinë e murgeshave, ku ishin të sigurt. Gjatë verës, siguria u keqësua në lagjen Bas Delmas të Port-au-Prince, shumë shtëpi u dogjën dhe shumicës së civilëve iu desh të iknin. Misionarët aktualisht u pritën në bashkësinë tjetër, që murgeshat e Nënë Terezës e kanë gjithmonë të hapur në Haiti.

Shtëpi e themeluar nga Nënë Tereza

Asnjëherë më parë misionarëve nuk iu desh të largoheshin nga shtëpia e tyre, e cila ishte bërë zemra e lagjes. Qe hapur nga vetë Nënë Tereza në vitin 1979, pasi kishte parë të sëmurë të lënë për të vdekur në oborrin e spitalit të përgjithshëm në Port-au-Prince. Që atëherë, mijëra haitianë kaluan nëpër duart e dashura të murgeshave, duke marrë ndihmë ushqimore, ndihmë mjekësore, kujdes kirurgjik ose kujdes të thjeshtë mjekësor. Në një vend të zhytur në dhunë, ky sulm i drejtpërdrejtë kundër murgeshave mund të rrezikojë të gjithë misionin e tyre në Haiti.

03 nëntor 2024, 13:49