Imzot Forte: historia përtërihet në paktin e dashurisë së njeriut me Zotin
R.SH. – Vatikan
Letra e Atit të Shenjtë Françesku për ripërtëritjen e studimit të historisë së Kishës, botuar më 21 nëntor 2024, mund të komentohet në mënyra të ndryshme, për shkak të pasurisë që i ofron mendimit intepretimi i historisë. Në gazetën kishtare italiane “Avvenire”, imzot Bruno Forte, kryeipeshkvi metropolit i Chieti-Vasto, e sheh atë nga një pikëpamje teologjike, duke i dhënë përgjigje pyetjes se ç’thotë letra e Ipeshkvit të Romës për përdorimin, që i bën teologjia historisë dhe ç’mund të bëjë puna kërkimore historike për perspektivën teologjike, bazuar në Zbulesën biblike dhe në transmetimin e saj në kohë nga Kisha.
Në letrën e Papës, vëren teologu italian, imzot Bruno Forte hidhet poshtë me vendosmëri përdorimi ideologjik i historisë: “Ndjeshmëria korrekte historike – shkruan Françesku - na ndihmon të kemi sensin e përpjestimeve, sensin e masës dhe aftësinë për ta kuptuar realitetin pa abstraksione të rrezikshme dhe të pamishëruara, ashtu siç është ai e jo si e imagjinojmë, ose si do ta dëshironim. Kështu është e mundur të krijojmë marrëdhënie me realitetin, që kërkojnë përgjegjësi etike, shkëmbim dhe solidaritet".
Në fakt, vëren imzot Forte, konceptet moderne mbi progresin historik përpiqen ta shpjegojnë katërcipërisht botën dhe evolucionin e saj kohor: produkt i arsyes moderne, filozofia e historisë ka marrë mbi vete këto pretendime totalizuese, por pa marrë parasysh vetë realitetin, i cili reagon ndaj ideologjisë me mjetet e tij. Vërtet, nuk mjafton të ndryshosh ideologjinë mbi botën për ta ndryshuar edhe atë vetë, pasi realiteti karakterizohet nga një kompleksitet tejet konkret. “Dialektika e iluminizmit” – propozuar nga Max Horkheimer dhe Theodor Adorno menjëherë pas tragjedisë së Luftës II Botërore – është pikërisht denoncimi kritik i kufijve të arsyes së emancipuar dhe të projektit të saj totalizues mbi historinë.
Bota e "programuar", që përvijohet nga ideologjia, mbetet produkt i mundësive të tashme, nxjerrë nga gjithçka kemi në dispozicion e nga gjithçka që mund të llogaritet: ajo që i mungon është "e reja", e ardhmja, e cila nuk mund të përcaktohet e të programohet që tani, pra, e ardhmja, në përmasën e saj më të pastër. Filozofia e historisë, e konceptuar në mënyrë ideologjike, rezulton të jetë një mendim pa të ardhme, e paaftë jo vetëm të japë arsyet e vdekjes, por edhe të hapet para të papriturave të realitetit, të pamendueshme nga parashikimet ideologjike.
Pikërisht nga ky interpretim totalizues i ngjarjeve historike, realizuar nga ideologjia, lind sfida që “teologjia e historisë” i bën “filozofisë së historisë”. Teologjia niset nga Tjetri hyjnor, që është mishëruar në histori e me ardhjen e tij i ka dhënë asaj një afat të fundëm, por edhe një dinjitet të pafundëm, komenton më tej imzot Bruno Forte. Themeli i domosdoshëm i çdo teologjie të historisë është dhe nuk mund të mos jetë Zbulesa: është falë saj që vizioni teologjik i historisë mbetet një mendim i hapur, i përshkuar nga mahnitja dhe adhurimi para të ardhurit të ri në kohë. Këtu qëndron e vërteta e përhershme e teologjisë së historisë së Shën Augustinit: çfarë e cilëson ardhmërinë historike është mënyra me të cilën ajo lidhet me të Amshuarin, zbuluar në Jezu Krishtin.
Është Krishti plotësimi eskatologjik i kohërave, vendi i vërtetë i Kohës së Ardhjes, e vetmja risi nën diellin e historisë, prandaj, Ai është norma dhe masa përfundimtare me të cilën krahasohet gjithçka e parafundit: Ai është Zoti i ekzistencës personale dhe kolektive të njerëzimit. Prandaj, nuk është përparimi i thjeshtë linear drejt së ardhmes ai, që karakterizon teologjinë e krishterë të historisë: ky përparim mund të mbetet vetëm sasior dhe të mbyllet në kuadrin e ideologjive të kësaj bote. Për krishtërimin, kuptimi njerëzor mbi botën, që e bën njeriun ta planifikojë të ardhmen sipas mënyrës së vet, zëvendësohet nga kuptimi që Zoti i jep historisë me planin e Tij shëlbues.
Rënia e pretendimeve ideologjike kompensohet nga shpresa e bazuar në fe: pranimi i kufizimeve të veta bëhet për krijesën hapësirë për njohjen e Transhendencës, e cila e mbështet dhe e drejton historinë. Pasojat e gjithë kësaj në konceptimin dhe në ushtrimin e lirisë së njeriut në histori janë lehtësisht të kuptueshme: për dashuri, Zoti i gjallë, duke e krijuar njeriun të lirë e ka lënë të lirë edhe të realizojë, ose jo, me Të një pakt besëlidhjeje, fryt i dashurisë së vërtetë, me të cilën ndryshohet njëmend historia.