India. Consacrazione episcopale del cardinale designato George Jacob Koovakad (24-11-2024 India. Consacrazione episcopale del cardinale designato George Jacob Koovakad (24-11-2024

Indi. Imzot Koovakad shugurohet ipeshkëvIndi. Imzot Koovakad shugurohet ipeshkëv

Kremtimi u zhvillua në Katedralen Syro-Malabar të Shën Mërisë në Changanacherry, Kerala. Organizatori i shtegtimeve papnore do të krijohet kardinal më 7 dhjetor

R.SH. / Vatikan

Imzot George Jacob Koovakad, kryeipeshkëv titullar i Nisibi dei Chaldei dhe përgjegjës për shtegtimet papnore, mori sot shugurimin ipeshkvnor. Mesha u kremtua në Katedralen Syro-Malabar të Shën Mërisë në Changanacherry, në shtetin indian të Keralasë.

Ritin e kryesoi Kryeipeshkvi kryesor i Siro-Malabarëve, Mar Raphael Thattil. Bashkëkremues, kryeipeshkvi i Changanacherry, Mar Thomas Tharayil dhe kryeipeshkvi Edgar Peña Parra, zëvendës për punët e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Predikimin e mbajti Kardinali Cleemis Baselios, kryeipeshkëv kryesor i Siro-Malancaresve. Të pranishëm, edhe disa bashkëpunëtorë nga Zyra e Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, që organizon shtegtimet e Papës.

Në fund të kremtimit, imzot Peña Parra shprehu, në emër të kardinalit Pietro Parolin dhe të gjithë miqve të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, gëzimin dhe afërsinë shpirtërore me Imzot Koovakad për këtë rast të lumtur, duke kujtuar se për gati njëzet vjet ai i shërbeu besnikërisht Selisë së Shenjtë, fillimisht në nunciaturat e ndryshme apostolike në mbarë botën e, më pas, nga viti 2021, në Sekretarinë e Shtetit si organizator i shtegtimeve papnore.

Zëvendësi kujtoi se me 7 dhjetorin e ardhshëm Imzot Koovakad do të krijohet kardinal nga Papa, në Bazilikën e Shën Pjetrit: "njohje e qartë e fesë dhe e mirësisë së të gjithë Kishës në Indi".

Shugurimi ipeshkvnor i imzot Koovakad

Imzot Koovakad lindi në Chethipuzha (Indi) më 11 gusht 1973. U shugurua meshtar më 24 korrik 2004 dhe u inkardinua në Changanacherry. I diplomuar në Drejtësi Kanonike, hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë ditën e parë të korrikut 2006. Nisi shërbimin diplomatik në Algjeri, Kore, Iran dhe Kosta Rika. Nga 10 korriku 2020, punoi në Sekretarinë e Shtetit, në seksionin për Çështjet e Përgjithshme. Në vitin 2021, siç u kujtua, përgjegjës për organizimin e shtegtimeve papnore.

24 nëntor 2024, 16:45