Kërko

Shën Isaku i Ninives Shën Isaku i Ninives

Isaku i Ninives përfshihet në Martirologun Romak

Ia kumtoi Papa në audiencë catholicos Mar AwaIl. Murgu dhe ipeshkvi i gjysmës së dytë të shekullit të VII-të, është ndër etërit më të nderuar të traditës siriane lindore. Dikasteri për Nxitjen e Unitetit të Krishterë: "Përfshirja në Martirolog dëshmon se shenjtëria nuk u ndal me ndarjet dhe se ekziston përtej kufijve konfesionale"

R.SH. - Vatikan

Shën Isaku i Ninives, i njohur edhe si Isaku Sirian, një nga Etërit më të nderuar të traditës lindore-siriane, do të përfshihet në Martirologun Romak. Njoftimin e dha sot në mëngjes, e shtunë 9 nëntor, Papa Françesku gjatë audiencës në Vatikan me Mar Awa III, patriark katolik i Kishës Asiriane të Lindjes, me rastin e tridhjetë vjetorit të Deklaratës së përbashkët Kristologjike ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Asiriane si dhe dyzetëvjetorit të vizitës së parë në Romë të një patriarku asirian.

Njoftimi i Papës

Gjatë fjalimit të tij, Papa kujtoi "unitetin në fe", i cili "tashmë është arritur nga shenjtorët e kishave tona. Ata janë udhërrëfyesit tanë më të mirë në rrugën drejt bashkimit të plotë"- theksoi - për të kumtuar më pas se i madhi Isaku i Ninives do të përfshihet në Martirologun Romak.

Murg dhe ipeshkëv

Murg dhe ipeshkëv në gjysmën e dytë të shekullit të VII-të, Shën Isaku i përkiste traditës paraefesiane, pra kishave të traditës asiro-kaldease. I lindur në Katarin e sotëm, ku pati përvojën e tij të parë monastike, u shugurua ipeshkëv i qytetit të Nineveh, afër Mosulit të sotëm (Irak), nga katolikosi i Seleucia-Ktesifonit, George I. Pas disa muajsh shërbimi ipeshkvnor, kërkoi të kthehej në jetën murgare dhe u tërhoq në manastirin Rabban Shabur, në Beth Huzaye (në Iranin e sotëm jugperëndimor). Këtu krijoi përmbledhje të ndryshme fjalimesh me përmbajtje asketike-shpirtërore, të cilat e bënë të famshëm. Pavarësisht se i përkiste një kishe që nuk ishte më në bashkësi me asnjë tjetër, sepse nuk kishte pranuar Koncilin e Efesit të vitit 431, shkrimet e Isakut u përkthyen në të gjitha gjuhët e folura nga të krishterët: greqisht, arabisht, latinisht, gjeorgjisht, sllavisht, etiopisht, rumanisht e të tjera. Kështu Isaku u bë autoritet i rëndësishëm shpirtëror, veçanërisht në rrethet monastike të të gjitha traditave, të cilat e nderuan shumë shpejt ndërmjet shenjtorëve dhe etërve të tyre.

Shenjtëri përtej ndarjeve dhe kufijve konfesionalë

Siç nënvizon në një shënim Dikasteri për Nxitjen e Unitetit të Krishterë, "përfshirja e Isakut Sirian në Martirologjinë Romake tregon se shenjtëria nuk u ndal me ndarjet dhe ekziston përtej kufijve konfesionalë". Koncili II i Vatikanit deklaron: “Të njohësh pasurinë e Krishtit dhe veprat e virtytshme në jetën e të tjerëve, të cilët dëshmojnë për Krishtin, ndonjëherë deri në derdhjen e gjakut, është e drejtë dhe e shëndetshme” (Unitatis Redintegratio). Shën Gjon Pali II, nga ana e tij, deklaroi se "communio sanctorum flet me një zë më të lartë për faktorët e ndarjes" (Tertio Millenio Adveniente) dhe se "në një vizion teocentrik, ne të krishterët tashmë kemi një martirologji të përbashkët" (Ut Unum Sint). Edhe Sinodi i kohëve të fundit për sinodalitetin, nënvizon Dikasteri, kujtoi se "shembulli i shenjtorëve dhe dëshmitarëve të besimit të kishave dhe bashkësive të tjera të krishtera është dhuratë që ne mund ta marrim, duke e përfshirë kujtesën e tyre në kalendarin tonë liturgjik" (Dokumenti Përfundimtar).

Dikasteri për Unitetin e Krishterë "shpreson se përfshirja në Martirologjinë Romake të Isakut të Ninives, dëshmi e trashëgimisë së çmuar shpirtërore të krishterë të Lindjes së Mesme, do të kontribuojë në rizbulimin e mësimeve të tij dhe në unitetin e të gjithë dishepujve të Krishtit".

09 nëntor 2024, 14:05