Kërko

Papa Françesku hap Portën Shenjte per Jubileun e Mëshirësm 8 dhjetor 2015 Papa Françesku hap Portën Shenjte per Jubileun e Mëshirësm 8 dhjetor 2015

Jubileu 2025: ç’do të thotë të jesh shtegtar

Ndërsa shtegtarët përgatiten për Jubileun e vitit 2025, një meshtar, një guidë turistike dhe një teolog reflektojnë se çfarë do të thotë Viti i Shenjtë për ta

R.SH. – Vatikan

Duke filluar nga ky prag Krishtlindjesh, Roma, Qyteti i Amshuar, do të hapë portat për rreth 35 milionë shtegtarë, që do të vijnë në kryeqytetin italian për Jubileun e Shpresës 2025. Viti i Shenjtë katolik kremtohet zakonisht një herë në 25 vjet dhe u jep mundësinë besimtarëve të vizitojnë vendet e shenjta, të kryejnë vepra të përshpirtshme dhe të kërkojnë faljen e mëkateve. Shtegtarët që vijnë në Romë do të mund të marrin ndjesën e plotë, sipas rregullave të zakonshme të Kishës, që nga 24 dhjetori, dita e hapjes së Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Jubileu i ardhshëm 2025 pason Vitin e Lutjes 2024, të cilin Papa Françesku e shpalli si periudhë përgatitore për meditimin personal mbi Zotin dhe mbi thirrjen katolike të secilit. Tema e vitit 2025 është “Shtegtarë të Shpresës”, zgjedhur për të nxitur arritjen e paqes në një botë të kërcënuar nga ndryshimet klimatike dhe luftërat e vazhdueshme.

Doracaku i bashkësisë anglofone
Doracaku i bashkësisë anglofone

Shtegtarët e rinj thirren në Qytetin e Amshuar

Steve Kerekes është themeluesi i WorldYouthDay.com dhe JMJ Pilgrimages, që organizon itinerare jubilare për studentët dhe besimtarët e rinj katolikë në shumë vende të botës. Gjatë shtegtimeve jubilare në Romë do të organizohen vizita në vendet kryesore të krishtërimit si në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran dhe në katakombet e rrugës Appia, duke kulmuar në një audiencë me Papën Françesku në Tor Vergata.

Për Kerekes, pjesëmarrja në shtegtim është jetike për edukimin e fesë, pasi mundëson një takim të afërt me Zotin, që të rinjtë mund të mos jenë në gjendje ta realizojnë në shtëpi. "Të rinjtë mund të jenë duke kërkuar jashtëzakonisht të vërtetat themelore të fesë dhe ne i mësojmë si ta bëjnë këtë gjatë shtegtimit", pohon Kerekes. “Largimi nga vendi i tyre është shumë i rëndësishëm për të dalë nga grupi i mbyllur e për t’ia hapur zemrën hirit të Zotit”.

Kerekes e sheh shtegtimin si akt dashurie, i cili i lejon të rinjtë të rimbushin boshllëqet shpirtërore, që të mund të bëhen forcë hiri dhe mëshire në kulturën bashkëkohore. “Duke jetuar në mes të trazirave të botës, në të cilën duhet të jetojnë, nëse duan të shëlbohen, pasi kështu ka vendosur Zoti për ta, të rinjtë nuk duhet të kenë frikë t’i dhurojnë gjithçka atij”, nënvizon Kerekes.

Atë Matt Barrios
Atë Matt Barrios

Anglofonët në Romë

Edhe çdo bashkësi me prejardhje të huaj në Romë po përgatitet për të pritur fluksin e shtegtarëve, që do të vijnë nga vendet e tyre të origjinës. Kështu po ndodh me famullinë amerikane të Shën Patrikut, për shembull, që do të presë edhe shtegtarë nga Australia, Kenia, Gana dhe Singapori. Kisha do të qëndrojë hapur më tepër orë dhe do t’u ofrojë një udhërrëfyes për Romën të gjithë shtegtarëve. Në të ka këshilla praktike dhe udhëzime shpirtërore mbi shtegtimin e shtegtarët, siç shpjegon rektori, atë Matt Barrios, rregulltar paulin me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e sheh shtegtimin si rast thellimi të marrëdhënieve me Zotin, përmes përvojës shqisore dhe njohurive të reja historike. "Nganjëherë arti, poezia dhe muzika janë mjetet më të mira për të shprehur aspektet përcaktuese të fesë sonë”, nënvizon ai. "Thirrja e krishterë – vijon ai - ka të bëjë me të qenit fener shprese, nuk është thjesht udhëtim drejt diçkaje, që dëshirojmë. Shpresa, pjesërisht, përcaktohet nga diçka jashtë nesh. Në shumë mënyra, thirrja e krishterë është dritë e nuk ndizet drita për ta fshehur pastaj”.

Filomeno Lopez
Filomeno Lopez

Rruga e shtegtarit

Jubileu është mundësi për Kishën globale që të ripërtërijë impenjimin në favor të kësaj bote të fragmentuar e të shkatërruar nga lufta. Fjala “jubile” rrjedh nga hebraishtja “jobel”, bri dashi, që përdorej për të shpallur një periudhë njëvjeçare, në të cilën bujqit i linin arat të palëruara, për të pushuar e për t'u shëruar. 1300 vjet pas vitit të parë jubilar katolik, Viti i Shenjtë mbetet një kohë dhe një hapësirë, gjatë së cilës besimtarët mund të mendojnë si të kujdesen më mirë për jetën në Tokë. Në një botë, që ka në qendër produktivitetin dhe individualizmin, Jubileu tregon një mënyrë jetese më të qëndrueshme.

“Shtegtimi është hapësirë ​​ku përforcohet ideja e bashkimit, në mënyrë që kur secili kthehet në shtëpi, të ketë vërtet diçka të re me vete”, pohon Filomeno Lopez, shkrimtar dhe teolog nga Guinea Bissau. “Kjo është veçanërisht e vërtetë për ne afrikanët, sepse e dimë se pjesa më e rëndësishme e jetës është bashkësia”.

Pjesëmarrja në një shtegtim të gjatë dhe të mundimshëm, sipas Lopez, që është redaktor i programit afrikan të Radio Vatikanit, ndihmon për të kuptuar përvojën e migrantëve. Vetë Krishti erdhi në Tokë si migrant dhe përvoja njerëzore përbëhet nga udhëtime të përkohshme dhe nga kërkimi i shpëtimit. “Jubileu – nënvizon Filomeno Lopez - është periudhë për t'u ndalur dhe për të menduar ç’na nevojitet vërtet në jetë. Si shtegtarë, jemi për një periudhë të shkurtër në këtë tokë. Para se të largohemi, çfarë mund t'u lëmë të tjerëve?”

28 nëntor 2024, 10:25