Kardinali Pizzaballa Kardinali Pizzaballa 

Kard. Pizzaballa: lutja e paqes për Jeruzalemin, britmë paqeje për botën mbarë

Mesazh për pjesëmarrësit në një takim organizuar në Universitetin Katolik Gjon Pali II të Lublinit, nga Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pizzaballa: marrëdhëniet ndërmjet banorëve të Tokës së Shenjtë duhet të jenë figura e pranisë së Zotit dhe e intimitetit me Të.

R. SH. - Vatikan

“Lutja për paqe në Jeruzalem, është thirrje për paqe në mbarë botën”- kështu shprehet Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark i Jeruzalemit të Latinëve, në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare “Kërkoni paqe për Jeruzalemin (Ps. 122.6)”, organizuar në Universitetin Katolik Gjon Pali II të Lublinit (KUL) në Poloni, ku morën pjesë teologë dhe studiues biblikë nga mbarë bota. Ngjarja u zhvillua nga data 5 deri më 7 nëntor në Universitet, me nismën e Qendrës Abraham J. Heschel për Marrëdhëniet Hebreo-Katolike, në bashkëpunim me Institutin e Shkencave Biblike. Ndërmjet të ftuarve, ishin të pranishëm profesor Abraham Skórka, rabin argjentinas dhe kardinali Pizzaballa, ish-doktor nderi i KUL(Qendrës Kulturale Polake)

Paqja është identiteti i Zotit dhe i Kishës

Në mesazhin e tij, lexuar në lidhje video, Kardinali deklaroi se marrëdhënia ndërmjet banorëve të Tokës Shenjte duhet të jetë figurë e pranisë së Zotit dhe e intimitetit me Të. Në vijim kujtoi se klithma biblike për paqe në Jeruzalem, është thirrje jashtëzakonisht aktuale në situatën e ndërlikuar e problematike të Tokës Shenjte. Ndaj nënvizoi se paqja është më e rëndësishme, se vlerat që i kanë për zemër besimtarët në Krishtin. “Për ne, të krishterët, paqja nuk është vetëm një nga aspektet e jetës së Kishës”, por “tipar përbërës i identitetit dhe misionit të Kishës” - nënvizoi Kardinali. “Paqja, para së gjithash, para se të bëhet veprim në të cilin na fton Zoti, na tregon edhe diçka për identitetin e Zotit” - shtoi Prelati - duke cituar Shkrimin Shenjt. "Misioni i Kishës është të kumtojë Zotin, e fytyra e Zotit është fytyra e paqes".

Jeruzalemi, dëshmi e pranisë së Zotit

Më pas, duke folur për misionin e Kishës në Tokën Shenjte, Kardinali Pizzaballa kujtoi dy figura të Apokalipsit: çadrën dhe Nusen. "Është, në një farë mënyre, identiteti i Jeruzalemit" - kujtoi. - Jeruzalemi është qyteti që “zbret nga qielli”, prani e Zotit, simbolizuar nga tenda dhe lidhja e ngushtë me Krijuesin. “Kjo na tregon sesi duhet të jetë jeta në Jeruzalem. Qyteti i Jeruzalemit, Kisha e Jeruzalemit duhet të jenë vendi ku prania e Zotit është e dukshme, ndërsa intimiteti me Zotin duhet të jetë i dukshëm në veprime.

Paqe për Jeruzalemin, paqe për botën

“Lutja për paqe në Jeruzalem, është edhe lutje për paqe për të gjithë popujt” - nënvizoi Patriarku - “sepse zemrat e të gjithë popujve rrahin në Jeruzalem”. Kardinali kujtoi edhe se banorët e Tokës Shenjte duhet ta dëshmojnë jetën me Zotin dhe aftësinë për t'u dhënë jetë të tjerëve.

"Të lutemi - përfundoi - për këtë, e të përpiqemi të jemi një shembull i vogël për këtë. E di sa të kufizuar jemi, por pavarësisht nga kjo, duhet të kujtojmë gjithnjë cila është dëshmia jonë, si banorë të Jeruzalemit".

08 nëntor 2024, 12:34