Kërko

Katolikët dhe hebrenjtë diskutuan mbi Dhjetë Urdhërimet në Romë Katolikët dhe hebrenjtë diskutuan mbi Dhjetë Urdhërimet në Romë

Katolikët dhe hebrenjtë diskutuan mbi Dhjetë Urdhërimet në Romë

Universiteti Papnor i Shën Kryqit organizoi një kurs shumë-ditor kushtuar perspektivës së krishterë dhe hebraike mbi Dhjetë Urdhërimet e Tënzot, në përpjekjen për të nxitur kuptimin më të thellë të vlerave të përbashkëta të të dyja feve monoteiste

R.SH. – Vatikan

         U organizua nga 28 tetori deri dje, më 7 nëntor, në Universitetin Papnor të Shën Kryqit në Romë, në bashkëpunim me Institutin Universitar Isaac Abarbanel të Buenos Airesit, kursi "Një zbulesë dhe dy tradita: Dhjetë Urdhërimet e Tënzot dhe interpretimet e tyre hebraike dhe të krishtera".

Frymëzim papnor

"Gjithçka filloi me Atin e Shenjtë, siç ndodh shpesh. Gjithçka e ka zanafillën tek ai, që ka qenë gjithnjë entuziast për idenë e mësimit të përbashkët dhe na inkurajoi të gjejmë partnerë në Kishën Katolike", pohoi për mediat e Vatikanit rabini Ariel Stofenmacher, rektor i Institutit Universitar Isaac Abarbanel, universiteti i parë hebraik në Amerikën e Jugut.

Universiteti i Kryqit të Shenjtë ishte partneri i dytë katolik në këtë kurs hebraiko-kristian, pas Universitetit Papnor Gregorian. Rabini Stofenmacher vuri në dukje se një kurs si ky, ku meshtarët katolikë mësojnë nga një rabin, tregon lidhjen ndërmjet dy besimeve. "Ne kemi një Atë; jemi vëllezër," shtoi ai.

Profesor Juan Carlos Ossandon, organizatori i kursit nga Universiteti Papnor i Shën Kryqit, theksoi vlerën e nismës. "Si organizimi, ashtu edhe pjesëmarrja në këtë kurs, ishin përvoja shumë pozitive, që na pasuruan. Atmosfera ishte e ngrohtë" pohoi ai.

Dialogu kristian-hebre në praktikë

Gjatë gjithë kursit, pjesëmarrësit ndoqën leksione nga ekspertë të shquar, të cilët shqyrtuan Dhjetë Urdhërimet në kontekste historike, fetare dhe kulturore. Rabini Stofenmacher paraqiti interpretimin hebraik, duke u përqendruar në rrënjët e tyre në kulturën hebraike. Profesorë të tjerë e panë çështjen nga këndvështrime të ndryshme. Silvina Chemen diskutoi simbolikën e Librit të Daljes dhe takimin ndërmjet Popullit të Zgjedhur dhe Hyjit, ndërsa Iranzu Galdeano foli mbi rëndësinë e Rrëshajëve dhe lidhjet e kësaj feste me Dhjetë Urdhërimet. Filippo Serafini analizoi strukturën e Urdhërimeve.

Kursi përfshiu edhe një vizitë në Bibliotekën e Vatikanit, për t’u njohur me koleksionet e saj të çmuara. Gjithashtu, pjesëmarrësit vizituan sinagogën dhe muzeun hebraik të Romës, ku patën mundësinë të merrnin pjesë në lutjet e së shtunës. Në mbyllje të seminarit gati dy-javor, pati një sesion publik mbi Rrotullat e Detit të Vdekur, gjatë të cilit profesorët Adolfo D. Roitman dhe Joseph Sievers folën mbi botën e Jezusit dhe të dishepujve të tij, sipas teksteve të lashta nga Kumrani.

08 nëntor 2024, 11:12