Pse Kisha kujton besimtarët e vdekur?
R. SH. - Vatikan
Ideja për t’i përkujtuar me një festë gjithë të vdekurit, lindi për herë të parë në shekullin IX, falë abatit benediktin Shën Odilonit të Cluny. Në këtë festë besimtarët luten për shpirtrat e atyre, që na paraprinë nën shenjën e fesë dhe që flejnë gjumin e fundit, me shpresën e ringjalljes, si dhe për të gjithë ata, të cilëve vetëm Zoti ua njohu fenë.
Festa e të vdekurve
2 Nëntori është, pra, dita të cilën Kisha ia kushton përkujtimit të besimtarëve të vdekur. Populli e quan thjesht “Dita a festa e të vdekurve”. Por edhe në meshën e përditshme, liturgjia e ruan një çast të vogël, që quhet “kujtoju, o Zot…”, e propozon edhe lutje universale për pushimin në paqe të shpirtrave të të gjithë të vdekurve, që kaluan në Purgator. Kisha është nënë e dëshiron t’i ketë të gjithë të pranishëm, në një përqafim të madh, të vetëm! Ndaj lutet edhe për të vdekurit, ashtu si për të gjallët, sepse edhe ata janë të gjallë në Tënzonë! Prandaj mund të themi se dashuria amtare e Kishës është më e fuqishme sesa vdekja. “Kisha, ndërkaq, e di mirë se në të nuk do të hyjë asgjë e papastër”. E ngjyra liturgjike e këtij përkujtimi është ngjyra vjollcë, ngjyra e pendesës, e pritjes, e dhimbjes. Ngjyrë, që e shikojmë, me lot në sy, edhe nëpër funerale.
Çfarë kuptimi ka kjo festë?
Përkujtimi i besimtarëve të vdekur nisi që në shekullin IX, në vazhdimësi të kremtimeve në manastire, që i kushtonin një ditë të tërë lutjes për të vdekurit, që në shekullin VII. Amalario, murg i shekullit IX, përkujtonte në lutje gjithë të vdekurit, menjëherë pas shenjtorëve. Por kujtimi i gjithë të vdekurve më 2 nëntor nisi vetëm me abatin benediktin Shën Odilonin e Cluny-t. E edhe Shën Agostini dëshironte që të vdekurit të kujtoheshin jo vetëm në përvjetoret e vdekjes, por edhe në ditë të tjera, duke kujtuar se shpresa e krishterë e ka themelin e vet në Bibël, në mirësinë e pambaruar të Zotit. “E di se Shëlbuesi im është i gjallë e se do të na ngrejë përsëri nga pluhuri” - brohoret Jobi, nësa kalon çastet më të trishtuara të jetës. Nuk është, pra, shndërrimi në pluhur, fati përfundimtar i njeriut! Përkundrazi! Pas errësirës së vdekjes, vjen vegimi i Zotit. Këtë temë e preku me forcë të veçantë Shën Pali Apostull që, duke folur për Jezusin, na kujtoi lidhjen e ngushtë vdekje-ringallje. Dishepujt janë të thirrur për të njëjtën përvojë! Prandaj besimtarët luten për të dashurit e tyre të shuar e besojnë në ndërmjetësimin e tyre. Ushqejnë edhe shpresën se do t’i ritakojnë në qiell, për t’u bashkuar me të zgjedhurit në këngën e lavdisë kushtuar Zotit.
Pse të vdekurit kujtohen një ditë pas të Gjithë Shenjtorëve?
Në Besojmë ne, të krishterët, pohojmë: “Besoj në Shenjten Kishë Katolike, në shoqërinë e Shenjtorëve”. Kur kujton “shoqërinë e shenjtorëve” Kisha ka parasysh tërësinë e gjithë besimtarëve në Krishtin, si ata që vijojnë shtegtimin në rrugët e jetës, ashtu edhe ata, që kaluan në jetën tjetër, në Parriz e në Purgator. Nga Bashkësia e Shenjtorëve lind shkëmbimi i ndihmës reciproke ndërmjet besimtarëve, që vijojnë shtegtimin mbi dhe, e atyre që e kanë kapërcyer tashmë këtë prag. Kisha i favorizon këto lidhje e u kushton çaste të forta gjatë vitit liturgjik dhe riteve fetare të përditshme.
Pse u zgjodh data 2 nëntor?
Në kuvendin e Cluny-t jetonte një murg shenjt, abati Odilone, që kishte devocion të thellë për shpirtrat e Purgatorit deri në atë pikë, sa të gjitha lutjet, vuajtjet, pendesët, ia kushtonte Zotit, për lirimin e tyre nga Purgatori. Tregohet se njërin nga sivëllezërit e tij, që ishte kthyer nga Toka Shenjte, nësa kalonte nëpër Sicili e zu një stuhi e tmerrshme. Atje takoi një eremit, i cili i tregoi se dëgjonte shpesh britma e zëra, që këlthisnin nga dhimbja. Ishin zërat e shpirtrave të Purgatorit, që dilnin nga një shpellë, së bashku me britmat e djajve, të cilët nuk linin gjë pa thënë kundër abatit Odilone.
Ai, si i dëgjoi këto fjalë, i urdhëroi të gjithë murgjërit e Urdhërit të tij klunisenc të caktonin datën 2 nëntor, si ditë solemne për t’i përkujtuar të vdekurit. Ishte viti 928 pas Krishtit! E, që asokohe, festa e të vdekurve kremtohet në këtë ditë. E këtë ditë besimtarët e kalojnë duke kujtuar me mall jetën e kaluar me të dashurit, që ua rrëmbeu vdekja; kujtojnë edhe të mirat që i lanë pas njerëzimit dhe kontributin e tyre për thellimin e fesë, të shpresës, të dashurisë e të hirit të Kishës.
Çfarë thotë Martirologu Romak?
Në Përkujtimin e gjithë besimtarëve të vdekur, Kisha nxit të kremtohen me lavdet e duhura, të gjithë bijtë e saj, që gëzojnë lumninë e qiellit e u lutet të ndërmjetësojnë pranë Hyjit për shpirtrat e atyre, që na paraprinë e fjetën me shpresën e ringjalljes e për të gjithë ata të cilëve, që nga zanafilla e botës, vetëm Zoti ua njohu fenë, e që, të pastruar nga çdo njollë mëkati, hynë në bashkimin e jetës qiellore e gëzojnë vizionin e lumnisë së amshuar”.
Cilat janë kremtimet kryesore të kësaj dite?
Sipas Ritualit Romak, “bashkësitë e shprehin në shumë mënyra kuptimin e kësaj shprese të krishterë”. Për përkujtimin e gjithë besimtarëve të vdekur zakonisht shkohet me procesion në varreza e, me këtë rast, bekohen edhe varret. Në këtë rrethanë, a në të tjera, është e mira të kremtohet edhe riti i bekimit të varreve.