Kisha kujton martirët shqiptarë. Kremtimet në Blinisht

Më 5 nëntor, kur Kisha Katolike përkujton Martirët e Lumë Shqiptarë, në Kishën e Blinishtit, kushtuar atyre, u kremtua mesha nga ipeshkvi i Sapën, imzot Simon Kulli dhe besimtarët morën pjesë në “Ecjen në gjurmët e martirëve”. Në këtë kishë janë vendosur eshtrat e Imzot Vincenc Prendushit, Dom Luigj Prendushit dhe Dom Ndoc Sumës

R.SH. – Vatikan

Festa liturgjike e imzot Luigj Prendushit me 37 shokë martirë u kremtua kudo në Kishën Katolike, por natyrisht, më në veçanti në Shqipëri, që i ka këta martirë të lumët e vet, në pritje të kanonizimit. Duke përmendur sidomos ata, që prehen në kishën kushtuar martirëve në Blinisht - Imzot Vincenc Prendushin, Dom Luigj Prendushin dhe Dom Ndoc Sumën – ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, i ftoi besimtarët të ecin në gjurmët e martirëve, një shtegtim, që tashmë është bërë traditë. Imzot Kulli kremtoi edhe meshën shenjte, siç na njofton Violeta Marashi...

Dëgjoni informacionin e Violeta Marashit...

Çdo javë të parë të nëntorit, Kisha Katolike në Shqipëri përkujton Martirët e Lumtur Shqiptarë.  Për nder të figurës dhe lavdisë së tyre edhe në famullitë e dioqezës së Sapës u organizua nëntëditëshi i lutjes kushtuar këtyre Martirëve që dhanë jetën për fenë e Krishtit. E kemi bërë traditë tashmë dhe është viti i pestë që si dioqezë të ecim dhe të shtegtojmë në gjurmët e martirëve tanë, pikërisht në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht, ku edhe falë relikeve të martirëve që gjenden në këtë kishë është një mundësi kjo që na ofrohet për të përjetuar sa më me shumë devocion dhe për të vlerësuar figurën e martirëve që dhanë jetën për fenë e Krishtit.

 Kumti i këtij kremtimi ishte Mesha Shenjte me datën 5 nëntor 2024, në Kishën e Blinishtit ku janë të vendosur eshtrat e Imzot Vincenc Prendushi, Dom Luigj Prendushi dhe Dom Ndoc Suma.

Besimtarët të udhëhequr nga famullitarët dhe motrat morën pjesë në këtë shtegtim me plot devocion, duke u lutur dhe kërkuar hire Martirëve të Lumtur. Këtij shtegtimi iu bashkua edhe bariu i kësaj grigje, Imzot Simon Kulli, i cili së bashku me besimtarët bëri ecjen në gjurmët e martirëve, një iniciativë kjo e lindur po nga dëshira e vetë bariut. 

Në predikimin e rastit, Imzot Simoni tha se ndërsa jemi bashkuar sot në këtë kishë të Martirëve Shqiptarë, dua të vë në pah figurën e tyre që nuk iu dorëzuan kurrë fortunave të kohës, por dëshmuan dhe qëndruan të fortë në fenë e Krishtit Zot. Edhe sot, mijëra të krishterë vuajnë kërcënime dhe dhunë fizike, për shkak të Ungjillit. Ashtu siç kanë vuajtur edhe martirët tanë si Dom Ndoc Suma, axha i Motër Marie Kaletes që ka jetuar në Pistull. Ndërsa shtoi më tej se Dom Ndoci vuajti dhe vdiq si martir për t’i qëndruar besnik Krishtit dhe Kishës së Tij. E për këtë martirizim hyjnor ishte frymëzuar duke duruar torturat e tmerrshme dhe duke u mbështetur në Kryqin e tij shëlbues.

E me lutjet drejtuar Virgjërës Mari, shenjtërve dhe martirëve tanë për ndërmjetësinë e tyre në nevojat tona shpirtërore, u mbyll edhe ky shtegtim kushtuar Martirëve të Lumë të Shqipërisë, që tashmë shumë shpejt do t’iu shtohen edhe dy martirë të tjerë ku në radhën e 38 martirëve do bashkohen dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliq.

06 nëntor 2024, 16:08