Kërko

JOSE MARIA RUIZ MONTES - ESCULTOR - ESPAÑA - CRISTO JOSE MARIA RUIZ MONTES - ESCULTOR - ESPAÑA - CRISTO

E vërteta e Krishtit Mbret, shpallur në kryq nga dashuria që njeh historia

Në Jezusin e kryqëzuar realizohet zbulesa më e madhe e mundshme e Hyjit në këtë botë, sepse Hyji është dashuri dhe vdekja e Jezusit në kryq është akti më i madh i dashurisë në mbarë historinë. Krishti Mbret i universit është i vetmi Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër.

R.SH. / Vatikan

Kisha katolike universale, këtë të diele kumton të vërtetën e Jezu Krishtit Mbret, shpallur në kryq nga akti më heroik i dashurisë që njeh historia. Vdekja e Jezus Krishtit në kryq është akti më i madh i dashurisë që njihet në të gjithë historinë e njerëzimit: këtë të vërtetë, që i është dorëzuar, Kisha e ruan plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës dhe shpall në solemnitetin e Krishtit Mbret.

Krishti Mbret i universit është i vetmi Zot, e përballë tij të gjithë jemi vëllezër. Mbarë hjerarkia e Kishës, çdo karizëm e çdo shërbim, gjithçka e të gjithë, jemi në shërbim të sundimit të Tij. Por pushteti mbretëror i Krishtit është krejt i veçantë sepse manifestohet mbi kryq: Jezusi i përbuzur e i tallur, zbulon lavdinë e tij duke ndenjur mbi Kryq, si Qengj i flijuar. Në mënyrë të papritur, pohon Ungjilli i kësaj feste nga Gjoni (Gjn 18, 33-3), hajduti i mirë e pranon pushtetin mbretëror të të Drejtit të pafajshëm: e sheh të kryqëzuar dhe e quan Mbret; e kupton se të kesh jetë, do të thotë të rrish me Krishtin, sepse atje ku është Krishti, është edhe Mbretëria; e kështu lavdia hyjnore tashmë bëhet e pranishme, ndonëse e fshehur pas shpërfytyrimit të të kryqëzuarit. 

Në Jezusin e kryqëzuar realizohet zbulesa më e madhe e mundshme e Hyjit në këtë botë, sepse Hyji është dashuri e vdekja në kryq është akti më i madh i dashurisë në mbarë historinë.  Kisha, pra, është e thirrur t’ i shërbejë besnikërisht të së vërtetës së Krishtit, që vdiq dhe u ngjall për shëlbimin e njerëzimit mbarë.

Kisha është rojtare e misterit të Krishtit, plot përvujtëri, pa hijen e mburrjes ose të arrogancës, sepse është fjala për dhuratën më të lartë që ka marrë, pa kurrfarë merite, dhuratë të cilën është e thirrur t’ia ofrojë falas njerëzimit të të gjitha epokave, për t’i hapur kështu horizontin e domethënies së shëlbimit. Nuk është filozofi, s’është as dije, ndonëse i përfshin si njohjen, ashtu edhe dijen. 

Mbretëria e Hyjit, siç thoshte Jezusi, nuk është e kësaj bote e vetë Krishti nuk e pranoi titullin e mbretit në kuptimin politik të kësaj fjale, por kjo mbretëri realizon gjithçka të mirë që ekziston në zemrën e njeriut e në histori. Në se vemë në jetë dashurinë për të afërmin, sipas lajmit ungjillor, atëherë i hapim rrugën sundimit të Zotit e mbretëria e tij vjen mes nesh. 

Kjo është, në mënyrë të veçantë, detyra jonë, të nderuar vëllezër besimtarë: t’i kumtojmë botës vërtetësinë e Krishtit, shpresë për çdo njeri dhe për mbarë familjen njerëzore. Me këtë mision lidhet ngushtë impenjimi për paqen ndërmjet të gjithë njerëzve, si shenjë e paqes që Jezusi erdhi t’ia sillte botës përmes kryqit. 

23 nëntor 2024, 09:33