Kërko

2024.11.16  Scutari, in Albania,  Messa di beatificazione  presieduta dal cardinale Semeraro. 2024.11.16 Scutari, in Albania, Messa di beatificazione presieduta dal cardinale Semeraro.

Lumnohen në Shkodër Át Luigj Palaj e dom Gjon Gazulli: homelia e kardinalit Semeraro

Nga homelia e prefektit të Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve: I pari, Luigj Palaj, është meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël, lindur në Janjevë të Kosovës, tokë që dikur Shën Gjon Pali II e pati kujtuar si “të pasur me histori të lavdishme…” (Audienca e 15 nëntorit 1989); tjetri, Gjon Gazulli, është meshtar dioqezan e kësaj Kishe të shenjtë të Shkodrës. Për të dy u plotësua fjala e Jezusit: “...për shkak timin, do t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë…”

R.SH. - Vatikan

 “Duke gënjyer, do të flasin keq për ju”: është marrë nga lumnitë e përshkruara në Ungjillin sipas Mateut (5,11), titulli që i vë homelisë së tij të sotme, prefekti i Dikasterit vatikanas për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Marcello Semeraro, i dërguar i Papës Françesku për të kremtuar Meshën e Lumnimit të dy martirëve shqiptarë, Át Luigj Palajt, françeskan i Urdhërit të Fretërve të Vegjël (1877-1913) dhe, dom Gjon Gazullit, meshtar dioqezan (1893-1927).

Mesha solemne u kremtua sot në orën 10.00, në Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit, në Shkodër, pas vigjiljes së djeshme të lutjes, në Gjuhadol. Ndërkaq, nesër, në orën 10.00, po në Katedralen e Shkodrës, do të kremtohet Mesha e falënderimit për të Lumët e rinj, ndërsa në orën 11.00, gjithë besimtarët do të nisen në procesion për në Varrezat e Rrmajit, ku do të përurohet monumenti në nder të dom Gjon Gazullit.

Ja homelia e plotë e kardinalit Semeraro:

Panorama, që na hap para syve shpallja e Lumnive ungjillore (shih Mt 5,1-12), është e shkëlqyer dhe me frymëmarrje të gjerë, pak e ngjashme me atë që admiron shtegtari, kur del në atë “dritare” të mrekullueshme mbi Detin e Galilesë, që është “Mali i Lumnive”. Kemi këtë fjalë, “Lum [ata]”, që përsëritet si notat e një simfonie e çdo herë, hap skenarë bukurie shpirtërore: ngushëllimin e lotëve, paqen e drejtësinë, mospërdorimin e dhunës, forcën e faljes…

E, çdo herë, kjo fjalë, “Lum [ata]”, është si të na paraqiste një aspekt të fytyrës së Jezu Krishtit, Shëlbuesit tonë; sa herë që e dëgjojmë nga goja e tij, është sikur Jezu Krishti t’i dukej secilit prej nesh ashtu siç është në bredësinë e tij më intime e, çdo herë, të na thoshte: “pranoni t’ju mësoj unë, që jam zemërbutë e i përvujtë” (Mt 11,29). Lumnitë janë vizatimi, qëndisja e fytyrës së Jezu Krishtit.

Por, papritmas, ky skenar, kaq i mbushur me premtime, që hapin drejt shpresës, sikur mjegullohet, ashtu siç ndodh kur një re e zezë na e mbulon diellin e, atëherë, dëgjojmë fjalët: “Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi… Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!” Ndodh, atëherë, që këto fjalë, në fund të shpalljes së Lumnive, na kujtojnë historitë e dhimbshme, vuajtur nga shumë të krishterë, nga zanafilla e deri edhe sot, ndoshta, na kujtojnë edhe shumë histori personale tonat.

Na kujtojnë edhe historinë e vuajtjes e të vdekjes, përjetuar nga dy martirët, që sot Kisha i shpall të Lumë, duke i bashkuar me 38 martirët e lumnuar tetë vjet më parë, gjithnjë këtu në Shkodër, më 5 nëntor. I pari, Luigj Palaj, është meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël, lindur në Janjevë të Kosovës, tokë që dikur Shën Gjon Pali II e pati kujtuar si “të pasur me histori të lavdishme…” (Audienca e 15 nëntorit 1989); tjetri, Gjon Gazulli, është meshtar dioqezan e kësaj Kishe të shenjtë të Shkodrës. Për të dy u plotësua fjala e Jezu Krishtit: “do t’ju shajnë e do t’ju salvojnë, për shkak timin, do t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë…”!

Në tekstin ungjillor kemi këtë fjalë të tmerrshme, që e rëndon gjithçka dhe të bën të dridhesh: në rrenë! Është saktësimi, që bën Shën Mateu ungjilltar në krahasim me pohimin në Ungjillin sipas Lukës: aty, të krishterët persekutohen pikërisht sepse janë të tillë, këtu saktësohet se akuzohen edhe për sjelljen e tyre. Por, gjithçka në rrenë, me gënjeshtra.

Shën Jeronimi, një shenjt doktor i Kishës, me origjinë nga kjo anë e Mesdheut, komentonte se pikërisht këtu qëndron arsyeja për Lumnitë ungjillore: sepse janë shumë ata, që persekutohen dhe vriten, por nuk janë të Lumë; të tillë janë ata, që “mallkohen”, pra, që merren nëpër gojë me shpifje, që shtypen e ua marrin jetën, për shkak të Jezu Krishtit. Përfundon shenjti: aty ku kemi Krishtin, në atë rast, të jesh i mallkuar do të thotë të bëhesh i Lum (shih Comment. in Matthaeum I, 24: PL 26, 35).

Papa Françesku, i cili pikërisht në kuadrin e thirrjes universale për shenjtërim, na ka lënë një koment mbi Lumnitë Ungjillore, me pak fjalë tejet efikase, e ka aktualizuar praninë e gënjeshtrës në persekutimin e të krishterëve. Ka shkruar se nganjëherë, është fjala edhe për “tallje, që synojnë ta shpërfytyrojnë fenë tonë e të na paraqesin si njerëz qesharakë”. Dëshiron të na thotë se fjalët e Lumnive ungjillore janë aktuale edhe aty, ku nuk ka persekutim, por ka indiferencë, ose përqeshje. Nxjerr kështu përfundimin se “pranimi çdo ditë i rrugës së Ungjillit, pavarësisht se na sjell probleme, kjo është shenjtëria” (Gaudete et exsultate, n.94). Dy të Lumët tanë bënin të mira, por shpifën për ta dhe, me mashtrime, u dënuan.

Kështu ndodhi për Át Palajn - historia e të cilit bën pjesë në Luftën I Ballkanike - kur në famullinë e Pejës, ku shërbente, pushtuesit nga Mali i Zi, aleat i Serbisë, ushtronin një politikë shtypëse kundër popullsisë me etni shqiptare, duke kryer qëllimisht dhunë e vrasje. Ai, duke shkuar drejt vendit të martirizimit, tha: “O Jezu Krisht, për hatër të dashurisë sate”.

Edhe vrasja e të Lumit Gazulli u motivua me gënjeshtra e në zanafillën e vdekjes së tij qe një proces-farsë: u dënua me akuza të rreme dhe u var në periferinë e Shkodrës, në zonën e quajtur “Fusha e druve”. Ai, si Jezu Krishti, “martir” i njëmendtë dhe “dëshmitar besnik” (Zb 1,5), vdiq, duke i falur vrasësit.

Sa e rëndësishme është bërë, sidomos në epokën tonë, kjo tema e gënjeshtrës, e falsitetit, e mashtrimit! Sigurisht, mund të themi se këto sjellje të trishta njerëzore kanë ekzistuar gjithmonë; por, sot, në atë që quhet epoka pas-së-vërtetës (post-truth), çështja është ndërlikuar më tej. Mjafton të mendojmë sa çinformim e sa gënjeshtra, që ia shkatërrojnë jetën të afërmve dhe popujve, kalojnë në internet, aq sa të bëhet jashtëzakonisht problematike ndarja e së vërtetës nga gënjeshtra (ndarja e shapit nga sheqeri).

Po sot, a na intereson ende “e vërteta”? Nuk është çështje për t’u trajtuar në një homeli, gjatë një kremtimi eukaristik si ky, që është kaq i bukur e ngushëllues. Por së paku, një pohim duhet të na mbetet në mendje e në zemër rreth shkëlqimit dhe shenjtërisë së të vërtetës. Po e marr nga Shën Toma i Akuinit, i cili përsëriste gjithmonë se “e Vërteta, kushdo që ta thotë, vjen nga Shpirti Shenjt”. Për këtë, Shën Pali Apostull shkruante: “kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit?” (Rm 8,35). Gënjeshtra ndan: largon jo vetëm nga Krishti, por edhe nga vëllezërit, nga të tjerët, sepse mashtrimi është përçarës, krijon armiqësi, luftë, vdekje. Ndërsa e vërteta bashkon: jo vetëm na bashkon ndërmjet nesh, por na bashkon me Zotin tonë Jezu Krisht, që është e Vërteta dhe Jeta (shih Gjn 14,6).

Nga lumnimi i dy martirëve tanë të bartim me vete këtë fjalë, që na orienton e na ngushëllon. Si Shën Pali, të jemi të bindur se asgjë “nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë”. Vërtet, e tija, është dashuri, që arrin t’i shndërrojë dështimet në fitore, prandaj, në të gjitha gjërat, “jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur” (shih Rm 5,37-39). Amen.

Katedralja e Shkodrës. 16 nëntor 2024

Dekreti i Selisë së Shenjtë

 Kujtojmë se dekreti për lumnimin e At Luigj Palajt dhe dom Gjon Gazullit u shpall nga Selia e Shenjtë më 20 qershor 2024. Ja një biografi e shkurtër e tyre:

DOM GJON GAZULLI, MARTIR

Lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 mars 1893.

Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, ku shkoi jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti. U shugurua meshtar më 4 gusht 1919. Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike. Insistimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe u var. Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular qenë: “Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rroftë Kisha Katolike, Nëna jonë! Rroftë Papa, Ati ynë! Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë!”. Kjo ndodhi më 5 mars 1927. Kjo dëshmi u tregua nga një oficer i pranishëm në momentin e vdekjes së tij.

ÁT LUIGJ PALAJ (PALIQI) ofm, MARTIR

Lindi në Janjevë (Kosovë), në Arqipeshkvinë Shkup- Prizren, më 21 shkurt 1879.

Pas shkollës fillore në vendin e lindjes, u transferua në Shqipëri ku hyri në familjen rregulltare të Fretërve Minorë, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë). Në Troshan bëri noviciatin. Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896- 1901.

U shugurua meshtar më 21.09.1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e shën Antonit në Gjakovë. Ndërroi emër nga Mati në Luigj, sepse ishte shumë i prekur nga jeta e Shën Luigj Gonzagës. Pas shugurimit u ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studime pas-universitare. Gjatë viteve 1905-1907 qe famullitar në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Gjatë viteve 1907-1912 u emërua rektor i shenjtërores së shën Antonit në Gjakovë (Kosovë). U martirizua në Janosh afër Gjakovës, për faktin se nuk pranoi të bëhej prift ortodoks, më 7 mars 1913.

16 nëntor 2024, 11:39