Atë Luigj Palaj e dom Gjon Gazulli, martirë të Lum të Kishës dhe Kombit Shqiptar Atë Luigj Palaj e dom Gjon Gazulli, martirë të Lum të Kishës dhe Kombit Shqiptar

Atë Luigj Palaj e dom Gjon Gazulli, martirë të Lum të Kishës dhe Kombit

Kisha Katolike në Shqipëri me gëzim të madh kremtoi e përjetoi, të shtunën e kaluar, 16 nëntor, eventin historik të Lumturimit të dy Martirëve Shqiptarë, dom Gjon Gazulli i Dioqezës Sapë & Atë Luigj Palaj, ofm, nga Kosova, të cilët përmes miratimit të Papa Françeskut u shpallën të Lum këto dy martirë të Kishës dhe të kombit Shqiptar.

R.SH. / Vatikan

LUMTURIMI I DOM GJON GAZULLIT & ATË LUIGJ PALAJ, OFM

nga dioqeza e Sapës, shërbimi Violeta Marashit:

Violeta Marashi

Kisha Katolike në Shqipëri me gëzim të madh kremtoi e përjetoi, të shtunën e kaluar, 16 nëntor, eventin historik të Lumturimit të dy Martirëve Shqiptarë, dom Gjon Gazulli i Dioqezës Sapë & Atë Luigj Palaj, ofm, nga Kosova, të cilët përmes miratimit të Papa Françeskut u shpallën të Lum këto dy martirë të Kishës dhe të kombit Shqiptar.

Në ceremoninë kremtuese të datës 16 nëntor 2024, mijëra besimtarë shtegtuan ana –anës drejt Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër për të marrë pjesë në këtë kremtim të shenjtë ku dy meshtarë po lartësoheshin në elterin e Hyjit.

Autoriteti i lartë i Vatikanit, përfaqësuesi i Atit të Shenjtë, Prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Çështjet e Shenjtorëve, Eminenca e Tij, Kardinal Marcello Semeraro kryesoi Meshën Shenjte në bashkëcelebrim me praninë e Kardinalit Shqiptar, Ernest Troshanin, të gjithë Ipeshkvinjtë e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë dhe mbarë klerin shqiptar.  Të pranishëm ishin edhe familjarët e tyre, motrat rregulltare, autoritete të larta civile në vend si dhe përfaqësues të besimeve fetare.

Kardinali me anën e Letres Apostolike të firmosur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, shpalli zyrtarisht të lumturuar 2 martirët e Kishës Katolike shqiptare, të cilët tashmë i bashkohen listës së 38 martirëve të tjerë që patën fatin të shpallen të Lum në vitin 2016.

Në fjalën e tij, Kardinali Semerano tha se: “Shumë të krishterë kanë hequr e vuajtur në jetën e tyre. Ndër këto janë edhe këto dy martirë që me historinë e tyre të vuajtjes dhe vdekjes kisha i shpalli sot të Lum. Për të dy është realizuar fjala e Jezusit: “… kur për shkak timin, do t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë”. Ashtu si Shën Pali, edhe ne e kemi bindjen se asgjë nuk mund të na ndajë prej dashnisë së Hyut që na u dëftua në Jezu Krishtin Zotin tonë. Dashuria e tij është një dashuri që arrin ti shndërrojë humbjet në fitore, në mënyrë që të gjitha këto ne jemi më tepër se ngallnjyes në sajë të atij që na ka dashur”.  – përfundoi Kardinali.

Gjithashtu, edhe Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër – Pult, Imzot Angelo Massafra, shprehi mirënjohjen dhe falenderimin ndaj Atit të Shenjtë për këtë vlerësim që i bëhet Kishës Katolike në Shqipëri.

E tashmë me lumturimin e dy martirëve, Dom Gjon Gazulli & Atë Luigj Palaj këto dy meshtarë vendosen krah figurave të shquara të katolicizmit në Shqipëri dhe jashtë saj. Edhe dioqezën e Sapës dhe bariun e saj Imzot Simon Kulli, falenderojnë Zotin për martirin nga Dajçi i Zadrimës dom Gjon Gazulli që së bashku me Atë Palaj, janë krenari për dëshminë e tyre duke dhuruar jetën për Krishtin, por edhe angazhim që të mbështetemi gjithnjë në fenë e Krishtit Zot duke ecur në gjurmët e tyre e duke dashur e nderuar vendin tonë.

Violeta Marashi  

19 nëntor 2024, 10:07