Të meditojmë me Ungjillin: Krishti, Mbret i Gjithësisë 'B'
R.SH. - Vatikan
Për të kremtuar Krishtin, Mbretin e Gjithësisë, në këtë të diel të 34-t të vitit kishtar,ciklit të dytë, Kisha na propozon skenën rrëqethëse të Ungjillit sipas Shën Gjonit (18,33b-37), në të cilën Jezusi i poshtëruar dhe i lidhur me zinxhirë qëndron para Pilatit, përfaqësuesit të një perandorie të fuqishme, asaj romake.
Por cili nga të dy është vërtet i gjithëpushtetshëm? Cili nga të dy është mbret? Edhe një herë, logjika e kësaj bote nuk vlen. Për Jezusin, vetëm një gjë ka rëndësi: e vërteta. Ja ç’do të thotë të jesh mbret i universit: të hysh në të vërtetën dhe të dëshmosh për të.
Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut. Pushteti mbretëror i Krishtit nuk është ai i të mëdhenjve të kësaj bote. Është pushtet, që përdoret për të mundur të keqen dhe vdekjen e për të ndezur shpresën edhe në zemrën më të ngurtësuar
Të ndjekim pjesën ungjillore nga Gjoni…
Në atë kohë, Pilati e thirri Jezusin dhe e pyeti: “A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi iu përgjigj: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë tjerët për mua?”
Pilati u përgjigj: “Pse, a mos jam unë judeas? Popullit yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan mua. Çka ke bërë?” Jezusi përgjigji: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bie në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”
“Pra, ti qenke Mbret?” – i tha atëherë Pilati. “Mirë thua!” – i përgjigji Jezusi – “Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time”.
Të lutemi së bashku
Pushteti yt, o Jezu Krisht
nuk ka të bëjë aspak
me të pushtetshmit e kësaj bote.
Tek Pilati, ndoshta, të paraqitën
si rebel, si dikush, që pretendon
t’u zërë vendin romakëve
në tokën e Palestinës,
duke e lëkundur sundimin e Çezarit.
Gënjeshtër kjo, që kishte për qëllim
ta bindte prokurorin romak
për të të dënuar pa u menduar shumë.
Por, edhe ai vetë, nuk mund
të mos e shohë se je mbret
vërtet i pazakonshëm:
pa stolitë e mbretërve,
pa dikë që të mbron,
pa qëllime luftarake,
e pa kërcënime për hakmarrje.
Vërtet, pushteti yt, o Jezu Krisht,
është pushteti i dashurisë, që nuk imponohet,
nuk e përdor forcën,
nuk dënon e as lëndon,
por dhurohet me gjithë shpirt.
Ti e jep vetveten krejtësisht,
je gati të vuash e,
madje, edhe të vdesësh.
Përtej dukjeve, pushteti yt o Krisht
është i vetmi vërtet i vlefshëm,
i vetmi që i reziston kohës,
sepse fal e shëlbon.