Mrekullitë e Romës dhe habia e shtegtarëve
R.SH. / Vatikan
Shtegtarët që vinin në Romë nga veriu, duke udhëtuar përgjatë Udhës Francigjene, papritmas panë nga lart hapësirën e qytetit, nga Monte Mario, toponimi mesjetar i të cilit rrjedh nga Mons Gaudii, mali i gëzimit, në kujtim të zemrës që hovi në kraharorin e tyre dhe frymës, që i merrej nga emocioni. Kishin mbërritur! Mund ta shihnin Bazilikën e Shën Pjetrit nga afër, ashtu edhe shiritin e përdredhur të Tiberit, çatitë dhe kupolat e vendeve të tjera të shenjta, që i prisnin me dyer e krahë hapur!
Ata nuk ishin udhëtarë naivë: ishin pothuajse gjithmonë të pajisur me guidë "turistike" solide që do t'u printe hapave. Letërsia e udhëtimit nuk është zhanër i ri. Për të folur vetëm për periudhën e vonë antike, tashmë ekzistonin, që nga shekulli IV, itinerare me përshkrime më pak të sakta të vendeve të ndryshme, që synonin më tepër të shënonin fazat e udhëtimit përgjatë rrugëve. Ndërmjet tyre është i ashtuquajturi Itinerarium Burdigalense ose Itinerarium Hierosolymitanum, itinerari më i vjetër i krishterë, i shkruar në 333-334 nga një anonim gjatë udhëtimit të tij nga Burdigala, Bordoja e sotme, në Jerusalem, ndalesa e mbërritjes për të nderuar Varrin e Shenjtë. Roma shfaqet ende ndër vende të tjera, një skenë rrugëtimi, që nuk e pa si protagoniste, por që favorizoi Tokën Shenjte. Me rënien e Jeruzalemit, në 1187, dhe më në fund me rrethimin e San Giovanni d'Acre, i cili shënoi fundin e kryqëzatave, në 1291, Roma u bë gradualisht qendra kryesore e tërheqjes, e zgjeruar më vonë nga institucioni i Vitit të Shenjtë.
Numri i pafund i kishave romake
Itinerari i abatit Nikulas Munkathvera, ndërmjet viteve 1151 dhe 1154, është një nga më të famshmit dhe më të lashtit. Ai gjithashtu zbret në Romë nga Monte Mario dhe numëron vendet më të rëndësishme, pesë qendrat ipeshkvnore: njëra është në kishën e Shën Gjon Pagëzuesit, ku ndodhet Selia e Papës; e dyta, në kishën e Shën Mërisë, ku Papa kremton Meshë për Krishtlindje e për Pashkë; në perëndim, kisha e Shën Palit, ku ndodhet vendi i quajtur Catacumbas; pastaj është tregu i Shën Pjetrit Apostull, "shumë i gjerë e i gjatë", e, më pas akoma, kisha e nderuar e Shën Pjetrit. Tejet e madhe e po aq edhe e famshme: "Këtu merret ndjesa e plotë për njerëzit e mbarë botës..." kujtohet, për të vijuar me "sarkofagun" e Apostullit nën altar. Ai pohon edhe se ka qenë i burgosur këtu dhe se këtu ndodhet edhe kryqi i martirizimit të tij. Shton akoma se gjysma e eshtrave të Pjetrit dhe Palit do të ruheshin në altar, ndërsa gjysma tjetër do të gjendej në kishën e Palit. Përveç këtyre, Nikulas përmend Shën Agnese-n, Pantheonin dhe vende të tjera kulti e përfundon: "Askush nuk është aq erudit sa t’i njohë me siguri të gjitha kishat e Romës".
Mrekullitë e Romës
Duke nisur nga shekulli i 12-të, duken përshkrime reale të Romës, Mirabilia Urbis Romae, "Mrekullitë e Romës". Ndonjëherë flitet për vende që nuk kuptohen dhe që përfundojnë duke i përshkruar në mënyrë naive, të prekura gradualisht nga legjendat dhe fantazitë e pabesueshme. Në fund të fundit, aspekti më magjepsës dhe misterioz i këtij qyteti kompleks mbetet në sytë e shtegtarëve: kontrasti ndërmjet qytetit pagan dhe atij të krishterë. Një e kaluar që ka lënë gjurmë monumentale, funksionin origjinal të së cilës ata nuk e kuptojnë, teknikat e ndërtimit të së cilës, me blloqe të mëdha katrore travertini dhe mermeri, ngjallin habi, dekorimet e gdhendura magjepsin dhe shtatoret interpretohen duke u mbështetur në një botë fantastike dhe shumë shpesh demoniake.
Redaktimi më i vjetër i Mirabilia-s i atribuohet një kanoniku të Shën Pietrit, Benedettos, ndërmjet viteve 1140 dhe 1143, i përfshirë më pas në Liber Pontificalis. Kjo vepër nuk u krijua si udhërrëfyes, por nga nevoja për të vëzhguar trashëgiminë ndërtimore të qytetit për inventarët papnorë dhe për ta ruajtur atë nga grabitjet. Në broshurat e para nuk janë vetëm viset që do të vizitohen nga shtegtarët, por pikat e interesit, në përgjithësi: nga muret e Romës dhe kullat e deri te fortifikimet dhe portat; harqet e triumfit, kodrat, banjat, ndërtesat e lashta, ato argëtuese, vendet e lidhura me martirizimin e shenjtorëve; pastaj ura, varreza dhe në fund histori dhe një itinerar nga Vatikani në Trastevere.
Itinerari urban
Nga Vatikani kalohet nëpër Castel Sant'Angelo, arrihet në Campus Martius për t'u ngjitur në Kodrën e Kapitolinës, zbritet përsëri në Forumet Perandorake duke kaluar nën Harkun e Titit. Në Palatine ndodhet masa e madhe e Koloseut, pastaj Circus Maximus, Caelian dhe Lateran. Nga këtu përsëri Esquiline, Viminale, Quirinale, duke mbyllur rrethin për t'u kthyer përsëri në Circus Maximus dhe Castel Sant'Angelo. Pas Trasteveres, vizitohet ishulli Tiber.
Hiri i Jul Cezarit
Përveç relikteve më të famshme të bazilikave, ka edhe diçka tjetër për t’i tërhequr shtegtarët. Disa vende mbanin, e në shumë raste edhe ruajnë, dëshmi të kalimit të apostujve, shenjtorëve dhe martirëve. Përveç të krishterëve, ka edhe të tjerë për të cilët tregohen histori të lashta edhe të njerëzve të shquar. Ky është rasti të soditësh, në majë të një lapidari në Sheshin e Shën Pjetrit, një mollë të artë që përmbante hirin e Jul Cezarit. Arsyeja është gjithmonë antiteza Roma pagane - Roma e krishterë me rezultate edhe morale, në fakt ajo sferë e artë e lashtë përfaqësonte një lavdi kalimtare tashmë të zhdukur, e cila nuk ekziston më. Në të njëjtin vend, megjithatë, tani shkëlqen lavdia e përjetshme e një martiri, një të fundmi, që Zoti e kishte zgjedhur si themel të Kishës së tij. Vlen gjithashtu të kujtohet se besohej që Varri i Shën Pietrit fillimisht ishte vendvarrimi i Romulus. Dhe në këtë lojë mbivendosjesh simbolike besohet se reliket e kryqit të Krishtit u vendosën në globin tokësor mbajtur nga dora e djathtë e shtatores së Kostandinit, në Kostandinopojë.
Koni i artë i pishës i Muzeut të Vatikanit
Koni i madh i pishës prej bronzi, që sot ndodhet në oborrin me të njëjtin emër, në oborrin e Muzeve të Vatikanit, ishte fillimisht pjesë e një shatërvani në banjat e Agrippa-s, në Campo Marzio. Ndër variantet e ndryshme të legjendës mesjetare thuhet se shërbeu si "tapë" e syrit të Panteonit dhe se kur tempulli pagan u shndërrua në kishë, një djall që fshihej brenda fluturoi duke marrë me vete konin e pishës, të cilin e vendosi në oborrin e Shën Pjetrit, duke e lënë të hapur vrimën në qendër të kupolës. Një histori tjetër thotë se koni i pishës përmbante hirin e perandorit Adrian dhe ndodhej në majë të mauzoleumit të tij, domethënë, në Castel Sant'Angelo.
Shtegtarët në Romë dhe Gjiroja e Shtatë Kishave
Monte cavallo
Grupi skulpturor i dy dioskurëve, Castor dhe Pollux, në aktin e mbajtjes së kuajve nga frerët, është vendosur që në lashtësi në Kodrën Quirinale, e cila në mesjetë, pikërisht për këtë arsye, quhej Monte Cavallo. Supozohet se vendndodhja origjinale ishte në Banjat e Konstandinit aty pranë. Emrat e gdhendur në bazamente, Opus Phidiae dhe Opus Praxitelis, vepër e Phidias dhe Praxiteles, zgjuan interes dhe i dhanë shkas interpretimeve të ndryshme. Në mesjetë, pikërisht Mirabiliat raportuan se ishin dy filozofë, bartës të së vërtetës "lakuriqe", "dhe ashtu siç ishin, të zhveshur, ashtu edhe e gjithë shkenca e botës ishte e hapur dhe e zhveshur në mendjet e tyre". Kështu varianti i parë, po versione të tjera i konsiderojnë falltarë. Ishte Petrarka, disa herë në Romë, që i njohu ato si vepra të dy skulptorëve të famshëm grekë, duke u mbështetur në Naturalis Historia të Plinit.
Bazilika Ara Coeli dhe oguri i një premtimi
Ajo qëndron në majë të një shkalle të pjerrët, e shtrënguar ndërmjet Piazza del Campidoglio dhe Altare della Patria. Është pika më e lartë e kodrës Kapitoline, një vend veçanërisht i shenjtë në Romën e lashtë. Emri, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite me toponimin latin, do të thotë “altar i qiellit”. Ishte arx, harku, ndoshta vendi i auguraculum, rrethimi i favorshëm, pika më e favorshme nga e cila mund të flitej për fatin, duke vëzhguar fluturimin e zogjve. Poshtë tempullit rrethor të Shën Elenës ndodhet një altar kozmatesk i shekullit të 12-të, ku në anët e harkut të një dere të rreme me qengjin, ka relieve të Augustit dhe Virgjërës me Fëmijën, duke iu referuar një legjende në të cilën përzihet ende bota pagane dhe bota e krishterë sikur donte të gjente rrënjët e fesë së re në një kohë që ishte ende e pavetëdijshme. Këtu, përsëri sipas Mirabilia Urbis Romae, perandori August kishte pasur një vegim: në qiell, një grua e ulur në një altar me një fëmijë në prehër. Dhe një sibilë i kishte thënë: Haec est ara filii Dei! - "Ja altari i birit të Zotit!".
Koloseu, institucioni jubilar i Via Crucis
Kjo ndërtesë e jashtëzakonshme sigurisht që i trondit dhe i mahnit shtegtarët, me vëllimin e saj të madh dhe të rëndë. Ata nuk e kuptojnë funksionin e tij, aq sa ka hipoteza se ishte tempull. Autori i shekullit të katërmbëdhjetë i Librit Perandorak ndalon për ta përshkruar. Një ndërtesë “madhështie dhe lartësie të madhe”, kolona të mëdha, shtatë mure dhe një numër i pafund dyersh. Në qendër të asaj që është arena, një kolonë joproporcionale mbi të cilën qëndronte shtatorja e artë e Jupiterit. Mund të shihej nga larg dhe të gjithë, duke e parë, gjunjëzoheshin.
Funksioni i vërtetë origjinal i saj si një ndërtesë shfaqjeje dhe për rrjedhojë si vend martirizimi, u kuptua vetëm më vonë dhe lulëzoi më 1750, kur Benedikti XIV, më 27 dhjetor 1750, në kujtim të atij Viti të Shenjtë, themeloi kremtimin e Via Crucis në Koloseum.
Një itinerar gjithnjë e më i pasur
Me fillesën e Jubileut, sidomos duke nisur nga gjysma e dytë e shekullit të 14-të, listat e indulgjencave filluan të përfshijnë kisha të reja. Pasi Shën Pietri dhe Shën Pali, më 1300, Shën Gjoni më 1350 dhe Santa Maria Maggiore, më 1390 u përfshinë në një seri bulash të lëshuara në mars 1400, vizita e nevojshme për të fituar faljen u shtri në bazilikat e Shën Lorencit jashtë mureve, Shën Marisë në Trastevere dhe Shën Marisë della Rotonda, ose Panteonit.
Përhapje e madhe
Me fillimin e shtypit, shumohen veprat dhe përhapja e tyre, inkunabulat, indulgjencat dhe ditarët e udhëtimeve. Përshkrimet e monumenteve shndërrohen në udhërrëfyes të vërtetë, sidomos në fund të shekullit të 15-të, me rastin e Jubileut të vitit 1475. Shfaqen Indulgentiae ecclesiarum urbis Romae të cilat nuk ndalen në historinë e Romës, por përqendrohen në përshkrimin e shtatë kishave kryesore dhe të relikteve, me indulgjencat që mund të fitoheshin në secilën prej tyre.
Këto vepra u pasuruan me ilustrime, fillimisht të kufizuara me pamjet e shenjtorëve titullarë të kishave të ndryshme, më pas të zgjeruara, për të treguar pamje të qytetit. Në shekullin e 18-të, artistët e peizazhit të Romës u shumuan, duke arritur kulmin e tyre në veprat e famshme të Giuseppe Vasi-t, artist peizazhi i shekullit të 18-të, autor i serisë Madhështitë e Romës antike dhe moderne, si dhe i gdhendjeve ëndërrimtare dhe të fuqishme të Giovanni Battista Piranesit.
Shtatë Kishat
Një itinerar jashtëzakonisht fetar është turneu i shtatë kishave, i cili nisi që nga shekulli i VII: një rrugë prej rreth 20 km që u përshkua në dy ditë dhe u bë e veçantë për periudhën e Pashkëve. Vizitoi bazilikat kryesore, plus tri të vogla: San Pietro, San Paolo, Santa Maria Maggiore, San Giovanni in Laterano, Santa Croce in Gerusalemme, San Lorenzo, San Sebastiano. Gjatë rrugës, kishte shumë vende të kujtesës së lashtë të krishterë dhe në veçanti katakombet e Commodilla, Domitilla dhe San Callisto.
Në vitin 1552, Shën Filip Neri e përtëriu këtë shtegtim të lashtë, i cili u zhvillua spontanisht, fillimisht me disa miq dhe djem nga oratori, pastaj me një turmë të vërtetë shtegtarësh. U nisëm - tregon - nga kisha e Shën Jeronimit për të arritur në Shën Pjetër e për të kaluar aty natën. Të nesërmen u ndaluam në Shën Palin jashtë Mureve, për të vazhduar në Shën Gjonin e Lateranit, bazilikën e Shën Lorencit, Shën Marinë e Madhe, bazilikën e Sh’na Kryqit në Jeruzalem dhe, në fund, bazilikën e Shën Sebastianit ku, në katakombet, në Ditën e Rrëshajëve 1544, zemra e tij u prek nga "Shpirti Shenjt", siç tregoi vetë Shën Filipi. Numri shtatë nuk ka të bëjë vetëm me kishat që duhen vizituar, por përfundon duke mbushur çdo çast dhe çdo vend të këtij shtegtimi me kuptim shpirtëror: thohen shtatë psalme pendestare për të kërkuar faljen e shtatë mëkateve të mëdha dhe për të kërkuar shtatë virtytet, duke medituar mbi shtatë fazat kryesore të Jezusit gjatë Mundimeve, shtatë derdhjet e gjakut të Krishtit, shtatë fjalët e Krishtit në kryq, shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt, shtatë sakramentet, shtatë veprat e mëshirës. Praktika, që u përhap shumë shpejt dhe gjerësisht, vazhdon edhe sot e kësaj dite..