Në Kamerun, një Kishë e re kushtuar Gjon Palit II
R. SH. - Vatikan
“Sot ungjillëzimi duhet të përtërihet, mbasi evolucioni i shpejtë i shoqërisë lind sfida të reja, të ngjashme me ato që i jetuan disa kisha të lashtësisë. Prandaj, me mjete shpesh shumë të kufizuara, duhet të bëni vendosmërisht një baritori të përshtatshme për këtë lloj të ri problemi".
Fjalët e shqiptuara dyzet vjet më parë nga Papa Gjon Pali II, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Kamerun, të rilexuara sot, tingëllojnë më profetike se kurrë, nëse kemi parasysh historinë e një grupi misionarësh polakë të Kongregacionit të Klerikëve Marianë, të cilët u nisën për në Kamerun në vitin 1999.
Struktura, e drejtuar nga misionarët
Të frymëzuar nga fjalët e bashkatdhetarit të tyre, Papës, misionarët polakë mbërritën në vitin 2014 në Minkama, qytet në Dioqezën e Obalas, ku ndërtuan një kishëz të vogël, e treta e Klerikëve Marianë në Kamerun. E para ishte në Atok, e dyta në Ngoya, ku realizuan një seminar. Dhjetë vjet pas ndërtimit të kishës së parë në Minkama, në fund të ritit të kushtimit të altarit të ri gjatë solemnitetit të Krishtit Mbret, ipeshkvi i Obala-s, Sosthène Léopold Bayemi, dha njoftimin për botimin e dekretit, që e lartoi kishën e re në shenjtore. Struktura e re do të drejtohet nga misionarë të së njëjtës kongregatë, që mbërriti në këtë pjesë të Kamerunit dhjetë vjet më parë.
Riti i kushtimit të altarit
Të pranishëm në ritin solemn të kushtimit të altarit ishin, ndër të tjerë, Kryeipeshkvi José Avelino Bettencourt, nunc apostolik në Kamerun; Damase Zinga Atangana, ipeshkvi i Dioqezës së Kribit dhe Paul Lontsie-Keune, ipeshkvi i Dioqezës së Bafoussam. Të pranishëm, edhe eprori gjeneral i Kongregatës së Klerikëve Marianë, Atë Joseph Roesch, MIC; eprori i provincës polake, At Eugeniusz Zarzeczny, MIC dhe disa priftërinj të cilët përfaqësonin famullitë polake që mbështetën ndërtimin e kishës. Ndërtim i kryer dorë për dorë nga vetë besimtarët e famullisë, shumica e të cilëve punojnë në një shoqëri ndërtimi. E tani hapësirat mund të shfrytëzohen edhe nga të rinjtë. Çdo vit, në muajt e festave, rreth 400 të rinj, të ardhur nga dy sektorët e mëdhenj në të cilët është ndarë territori gjigant i famullisë, vijnë për t'u lutur, për të ndjekur katekizmin dhe për të ofruar ndihmë aty ku duhet.
Shumë shërbime për njerëzit
Vitet e fundit, falë veprimit të misionarëve, u krijuan shërbime të ndryshme në sferën sociale, që i ofron famullia: nga ndihma e vajzave-nëna e deri tek mbështetja për banorët me arsim të ulët. Deri më sot, famullia, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 1100 metrash katrore, ka gjithsej 3000 katolikë të pagëzuar. Ceremonia e së dielës së kaluar, në të cilën morën pjesë dhjetëra njerëz, e paraprirë nga çaste lutjesh dhe takimesh meditimi, ishte mundësi për të lartuar një këngë falënderimi drejt Qiellit. E kjo sepse në të njëjtën festë u përkujtuan katër përvjetorë të rëndësishëm: 350 vjetori i lindjes së Kongregacionit të Klerikëve Marianë të Zojës së Papërlyer, 25 vjetori i pranisë së tyre në Kamerun, dhjetëvjetori i shenjtërimit të Shën Gjon Palit II dhe, siç u nënvizua më parë, dhjetëvjetori i “lindjes” të së njëjtës famulli.