Shën Augustini, mjeshtër i fesë, arsyes dhe kërkimit të Zotit për Kishën e sotme
R.SH. – Vatikan
Ishin mbi njëqind, ekspertët, studiuesit, rregulltarët, murgeshat dhe laikët nga vende të ndryshme të botës, që morën pjesë në kongresin ndërkombëtar “Sub Regula Augustini. Ndikimi i figurës dhe i doktrinës së Shën Augustinit mbi jetën rregulltare përgjatë historisë”, në Institutin Papnor Augustinianum në Romë.
Promovuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Institutin Patristik Papnor dhe për Studimet Augustiniane, në bashkëpunim me Institutin Historik Augustinian, veprimtaria, e cila filloi të hënën e kaluar, përfundoi sot, më 22 nëntor, me një vizitë në qytetin e Viterbos, ku ndodhet kuvendi augustinian i epokës së Rilindjes, me një kiostër të mrekullueshëm, me afreske nga historia e ipeshkvit të Iponës dhe nga episode biblike. Dje pasdite, në orën 18.00, kremtimi liturgjik në Bazilikën e Shën Augustinit në Campo Marzio, në Romë, ndërsa të mërkurën, pjesëmarrja në audiencën e përgjithshme të Papës Françesku, i cili i përshëndeti studiuesit në mënyrë të veçantë.
Shën Augustini, mësues shpirtëror për kohën tonë
Për ndikimin e Shën Augustinit në magjisterin e Papëve të kohëve të fundit foli rregulltari augustinian Kolawole Chabi, i cili vuri në dukje sa shpesh i janë referuar atij Papët e fundit në enciklika, fjalime dhe predikime, duke e propozuar vazhdimisht si mësues shpirtëror për vizionin e tij mbi fenë, arsyen e mbi kërkimin e Zotit, ende me vlerë për Kishën bashkëkohore. Duke u nisur nga Papa Piu XII, studiuesi permendi enciklikën “Ad salutem humani”, ku nënvizohet ndikimi i rëndësishëm i Atit të Kishës mbi teologjinë e krishterë, mbi filozofinë dhe kulturën perëndimore. Piu XII e konsideronte ipeshkvin e Iponës udhërrëfyes shpirtëror dhe intelektual, sidomos përsa i përket shpjegimit të qartë të çështjeve morale dhe teologjike dhe përgjigjes së urtë e të thellë për sfidat e kohës së tij.
Atë Chabi theksoi edhe qëndrimin e Papës shenjt Gjoni XXIII, që e shihte Shën Augustinin si shembull hapjeje, kthese dhe kërkimi të pandërprerë për të vërtetën. Gjithashtu, kujtoi se Papa Pali VI u impenjua shumë për përhapjen e mendimit të Shën Agustinit, aq sa deshi ta përuronte personalisht Institutin Augustinianum më 4 maj 1970. Edhe shenjti tjetër, Papa Gjon Pali II e vlerësoi jashtëzakonisht thellësinë intelektuale dhe shpirtërore të ipeshkvit të Iponës, "duke e konsideruar si dikë, që ka diçka për t'i ofruar çdo njeriu të kohës sonë".
E janë të panumërta citimet augustiniane të Benediktit XVI, i cili “kishte një admirim të veçantë për Shën Augustinin”. Pikërisht te Papa Ratzinger del në pah “një fe, që nuk i trembet dialogut me kulturën dhe filozofinë bashkëkohore”, sipas shembullit të Shën Augustinit, i cili përpiqej ta kuptonte fenë përmes intelektit. Atë Chabi përmendi enciklikën e parë të Papës gjerman, “Deus caritas est”, në të cilën vetë Ati i Shenjtë pohon se i detyrohet shumë mendimit të Shën Augustinit. Për të mos folur sa shpesh e përmend edhe Papa Françesku, që nxit gjithmonë të lexohen shkrimet e tij. Në enciklikën “Dilexit nos”, Papa e përmend katër herë atë, që ka hyrë në histori me emrin Doktori i Hirit Hyjnor.