2024.07.05 XIV domenica dell'Anno 'B' Gesù rifiutato

Të meditojmë Ungjillin e dielës së 31-të vitit 'B': duaje të afërmin si vetveten

Pse nuk je i kënaqur, o Jezus?/Pse nuk të mjafton/që una ta dua Zotin vetëm pak/që të bëj ndonjë vepër të devotshme/a ndonjë rit/në festa të rëndësishme?/Pse nuk të mjafton një lutje e shpejtë,/një qëndrim si duhet/në përkim me ndjenjat fetare të zakonshme,/Pse nuk je i kënaqur, o Jezus,/Pse nuk e vlerëson atë monedhën/që herë pas here jam gati ta nxjerr/nga xhepi për ndonjë të varfër?/Ti, o Jezus, më mëson gëzimin e takimit të vërtetë,/ të marrëdhënieve, që kanë shijen e lumnisë së amshuar

R.SH. - Vatikan

“Duaje Zotin, Duaje të afërmin”: këto janë këshillat e Jezu Krishtit në Ungjillin e së dielës së 31-të të vitit kishtar, ciklit të dytë, marrë nga kreu 12 i shën Markut (28-34). Edhe ne, ashtu si skribi i pjesës ungjillore, do të donim ta dëgjonim Krishtin që na përforcon në fe e na jep garancinë se nuk jemi larg nga Mbretëria e Zotit. Të ndjekim Ungjillin:

Në atë kohë, një nga skribët që kishte dëgjuar rragatjen e tyre, duke parë se Jezusi u përgjigj mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili urdhërim është i pari i të gjitha urdhërimeve?” Jezusi iu përgjigj: “I pari është: ‘Dëgjo, Izrael! Zoti Hyji ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde, e me gjithë fuqinë tënde!’ Urdhri i dytë është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Tjetër urdhër më të madh se këta nuk ka.” 

Skribi iu përgjigj: “Mirë fort, Mësues! Përgjigje ashtu siç është e vërteta. Ai është i Vetmi, e pos tij s’ka tjetër. Të duash Atë me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë fuqi e të duash të afërmin tënd porsi vetveten, vlen më shumë se të gjitha flitë e shkrumbimit e theroret.” Jezusi, duke parë se u përgjigj me urti, i tha: “Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit.” Dhe askush s’pati më guxim të hyjë me të në rragatje.

Të lutemi së bashku

Pse nuk je i kënaqur, o Jezus?

Pse nuk të mjafton

që una ta dua Zotin vetëm pak

që të bëj ndonjë vepër të devotshme

a ndonjë rit pak më të gjatë

në ditët e festave të rëndësishme?

 

Pse nuk të mjafton një lutje e shpejtë,

një mendim pak çastesh,

një qëndrim si duhet

në përkim me ndjenjat fetare të zakonshme,

një lloj emëruesi i përbashkët minimal?

 

Pse nuk je i kënaqur, o Jezus,

me gjestet sporadike të solidaritetit,

që shkaktohen nga ndonjë gjendje

më dramatike e më e mjeruar se të tjerat?

Pse nuk e vlerëson atë monedhën

që herë pas here jam gati ta nxjerr

nga xhepi për ndonjë të varfër?

 

Në fund të fundit, do të ishte fare lehtë!

Unë do ta vazhdoja jetën

me stilin e vendimet e zakonshme

e Ti mund të vije

firmën tënde të miratimit

për këtë jetën time e për shtrembërimet e saj,

për pretendimet e iluzionet e saj.

 

Por, në këtë autostradë të rehatshme

nuk do ta njihja kurrë

gëzimin e takimit të vërtetë,

të marrëdhënieve, që kanë shijen e lumnisë së amshuar.

02 nëntor 2024, 12:40