Kërko

Të meditojmë me Ungjillin e dielës së 32-të vitit 'B': dy kacidhet e vejushës

Në Tempull, o Jezus,/para “thesarit” /ne vendin ku mblidhen ofertat për shtëpinë e Zotit. Po, pa dyshim, kacidhet që s’vlenin shumë, /bënin një zhurmë të ndryshme/nga monedhat e mëdha, /që vetëm të pasurit mund t’i kishin. /Ungjilli /na tregon se pas kësaj/e ndieve të nevojshme t’u flisje të tuve. /Cila është vërtet masa/me të cilën i ofrojmë diçka Zotit? /Pesha e monedhave? /Jo, sipas Teje, diçka tjetër e tërheq vëmendjen e Hyjit. /Ai sheh ç’përfaqëson ajo dhuratë/në jetën e atij njeriu...

R.SH. - Vatikan

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diel të 32-të të vitit kishtar 'B' nga Marku, Jezu Krishti vë përballë njëri-tjetrit dy qëndrime fetare. I pari është ai i skribëve, që mbahen me të madh dhe e përdorin fenë për t’u dukur. Jezusi i dënon pa mëshirë. Qëndrimi i dytë është ai i vejushës së varfër, që, sipas opinionit të përgjithshëm, bën një gjest krejt të parëndësishëm, por që mund t’i kushtojë jo pak, pasi i heq vetes bukën e gojës. Pikërisht, këtë lloj sakrifice, Krishti e lëvdon dhe e jep si shembull.

Të ndjekim pjesën ungjillore marrë nga kreu 12 i Shën Markut (38-44):

Në atë kohë, Jezusi (...):u ul kundruall arkës e vërente si populli qittë para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, domethënë një të katërt të asit.
Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet”. 

Të lutemi së bashku

Atë ditë, në Tempull, o Jezus,

u ule shi para “thesarit”

ne vendin ku mblidhen ofertat

e destinuara për shtëpinë e Zotit.

Turma e shtegtarëve dhe e të devotshmëve

shtyhej për të hedhur ofertat

në kutitë e vëna enkas

e, duhet thënë se s’kishe nevojë

t’i mprihje fort veshët

për të kuptuar një lloj ndryshimi.

Po, pa dyshim, kacidhet që s’vlenin shumë,

bënin një zhurmë krejtësisht të ndryshme

nga ajo e monedhave të mëdha,

që vetëm të pasurit mund t’i kishin.

 

Sa kohë kalove

para atij spektakli

para krenisë së të pushtetshmëve

e para gjesteve të shpejta e të përvujta të varfanjakëve?

Ungjilli i sotëm nuk e thotë,

por na tregon se pas kësaj

e ndieve të nevojshme t’u flisje të tuve.

 

Cila është vërtet masa

me të cilën i ofrojmë diçka Zotit?

Pesha e monedhave, materiali i çmuar me të cilin janë prodhuar?

Jo, sipas Teje, diçka tjetër e tërheq vëmendjen e Hyjit.

Ai nuk tërhiqet

nga pesha e nga tingulli i parave

as nga vlera e kartëmonedhave.

Ai sheh ç’përfaqëson ajo dhuratë

në jetën e atij njeriu,

sepse vetëm kështu matet dashuria e tij:

a mos është fjala për pak kacidhe

apo i ka hequr vetes diçka thelbësore,

thjesht, për ta ndarë me Zotin e me të tjerët.

10 nëntor 2024, 16:22