Vangelo della XXXIII domenica anno B Vangelo della XXXIII domenica anno B

Të meditojmë Ungjillin e Dielës së 33 gjatë vitit 'B': askush nuk e di orën, as ditën

Ato të sotmet, o Krisht, s’mund ta fsheh,/janë fjalë, që të shtijnë frikën/I frikësojnë të gjithë ata, /që nuk duan aspak ndryshime, /që kanë gjetur një vend të rehatshëm, /e janë gati të tunden prej andej/vetëm nëse bota u bie sipër.... /Por, për ata, që presin/një botë më të drejtë/e janë gati të humbasin/diçka të tyren, pa u ardhur keq, /për ata, që dëshirojnë/ta shohin të lulëzojë më në fund/vëllazërimin mbi tokë, /për ata që presin me padurim/që të zhduken armët, /të eliminohen pabarazitë

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i së dielës së 33-të të vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar, marrë nga shën Marku (13,24-32), na nxit të përgatitemi për kthimin e Jezu Krishtit. Kur pyetet për fundin e kohërave, Ai nuk është katastrofik, por flet për plotësimin e gjithçkaje. Pra, Ungjilli pohon me forcë se Biri i njeriut do të kthehet: jo ashtu siç erdhi, për të shpallur Mbretërinë e Hyjit dhe kohën e mëshirës, por që gjithçka të plotësohet. Atëherë, secili do të gjejë vendin e vet dhe do të marrë shpërblimin mbi bazën e veprave të veta. Po për kthimin e Jezu Krishtit nuk dihet as dita e as ora, por ajo që ka rëndësi, është përgatitja për këtë ngjarje vendimtare. Të ndjekim pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga shën Marku:

Jezusi u tha nxënësve të vet: “Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës – prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.

Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut: Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera! Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë. Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati”. 

Të meditojmë më Ungjillin: askush nuk e di orën, as ditën

Të lutemi së bashku

Ato të sotmet, o Krisht, s’mund ta fsheh,

janë fjalë, që të shtijnë frikën

I frikësojnë të gjithë ata,

që nuk duan aspak ndryshime,

që kanë gjetur një qoshe të ngrohtë,

një vend të rehatshëm,

e janë gati të tunden prej andej

vetëm nëse bota u bie sipër.

I frikësojnë ata, që kanë interesa,

prona për t’u ruajtur,

privilegje për t’u mbrojtur,

vende, që duhen mbajtur.

I frikësojnë ata, që e kanë bazuar botën e tyre

mbi diçka të errët, që s’duhet të dalë në dritë,

mbi dhunën dhe shfrytëzimin, mbi mashtrimin dhe gënjeshtrën.

 

Por, për ata, që presin

një botë më të drejtë

e janë gati të humbasin

diçka të tyren, pa u ardhur keq,

për ata, që dëshirojnë

ta shohin të lulëzojë më në fund

vëllazërimin mbi tokë,

për ata që presin me padurim

që të zhduken armët,

të eliminohen pabarazitë,

të mos shihet më shtypje

e çdo lloj dhune,

për ata, fjalët e tua të sotme,

o Zot Jezus, janë balsam shprese.

 

Le të vijë ajo kohë hutimi

e ndoshta, edhe vuajtjesh therëse,

nëse prej saj, do të lindë një botë e re,

ajo botë e re, që Ti, o Jezus, na e ke premtuar,

ajo botë e re që e përurove

duke e dhuruar jetën, plot dashuri për ne.

 

16 nëntor 2024, 09:45