Kërko

Don Peter Schipka e Kryeipeshkvi imzot Franz Lackne Don Peter Schipka e Kryeipeshkvi imzot Franz Lackne

Vjenë: ballafaqim i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Qendrore

Në Vjenë, gjatë fundjavës sekretarët e përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Qendrore diskutuan mbi Sinodin

R.SH. / Vatikan

Me ftesë të sekretarit të përgjithshëm të Konferencës së Ipeshkvijve të Austrisë, Peter Schipka, të premten dhe te shtunën e kaluar u takuan sekretarët e përgjithshëm të Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës Qendrore, që diskutuan punën e ardhshme lidhur me rezultatet e Sinodit Botëror, gjatë një takimi, në Vjenë. Në këtë shkëmbim jozyrtar, morën pjesë përfaqësuesit e Shqipërisë, të Republikës Çeke, Gjermanisë, Bosnje-Hercegovinës, Hungarisë, Zvicrës dhe Sllovakisë.

Të pranishëm, edhe përfaqësuesi evropian i Konferencës Ipeshkvnore të Austrisë, Johannes Moravitz dhe jezuiti Atë Christian Marte, i cili drejtoi takimin. E ftuar, motra Nathalie Becquart, nënsekretare e Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit të Ipeshkvijve.

Motra Becquart diskutoi me sekretarët e përgjithshëm pjesët qendrore të dokumentit përfundimtar të asamblesë së përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, duke nënvizuar disa herë se sinodaliteti është proces shpirtëror: ai kërkon njerëz sinodalë të gatshëm të dëgjojnë, të angazhohen me të tjerët dhe t’i diskutojnë me gjithë zemër këndvështrimet e tyre. Rregulltarja e sheh sinodalitetin në rrezik, veçanërisht kur lind frika se një metodë sinodale mund të prodhojë diçka të ndryshme, nga ajo që do të dëshironte ndokush!

Për sekretarin e përgjithshëm të Konferencës së Ipeshkvijve të Austrisë, Peter Schipka, takimi ishte pozitiv, me shumë stimuj për punë të mëtejshme në Kishën Sinodale.

Motra Becquart i konsideron sekretarët e përgjithshëm të Konferencave Ipeshkvnore si shumë të rëndësishëm në procesin e sinodit, sepse është detyra e tyre t’i mbështesin ipeshkvijtë.

Shpresojmë se në të ardhmen Konferencat e Ipeshkvijve do të shkëmbejnë "modele të praktikave të mira" ndërmjet tyre dhe do të mësojnë nga njëri-tjetri, tha imzot Schipka, duke nënvizuar kështu një detyrë të përbashkët për të ardhmen.

26 nëntor 2024, 09:28