Don Simon Jubani - sacerdote albanese Don Simon Jubani - sacerdote albanese

Mesha publike e 4 nëntorit 1990 në Shkodër që shënoi rënien e komunizmit

Kremtimi i kësaj Meshe, për Shqipërinë, shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste komuniste, hapjen e shtegut drejt rifitimit të lirisë qytetare e fetare dhe hapat e parë të një shoqërie demokratike në Vend.

R.SH. / Vatikan

Sot, më 4 nëntor, kujtojmë përvjetorin e kremtimit të Meshës së Shenjtë ndër varrezat e Shkodrës, më 4 nëntor 1990, nga prifti dom Simon Jubani. Kremtimi i kësaj Meshe, për Shqipërinë, shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste komuniste, hapjen e shtegut drejt rifitimit të lirisë qytetare e fetare dhe hapat e parë të një shoqërie demokratike në Vend.

Prifti dom Simon Jubani, njihet si një nga qytetarët dhe meshtarët shqiptarë, që ka vuajtur gjithë jetën, i persekutuar në burgjet komuniste, po edhe si ai që sfidoi regjimin e diktaturës ateiste e komuniste në emër të Zotit e të Atdheut.

Dom Simoni e sfidoi publikisht diktaturën ateiste komuniste, me aktin  e shenjtë të kremtimit të Eukaristisë – Meshës, akt ky të cilin regjimi i paTënzon e kishte ndaluar rreptësishtë, duke menduar se do t’ua ndalonte besimin qytetarëve, për çka mbylli Kisha e Tempuj kulti, për çka vrau priftërinj, klerikë të feve të ndryshme dhe qytetarë besimtarë që besonin në Zotin.

Atë ditë të 4 nëntorit 1990, një grup i vogël besimtarësh, në sa pastronin, nën një shi të imtë vjeshte, varret e të dashurve, të thyera e të përdhunuara, në prag të shkatërrimit të plotë, panë të mahnitur një meshtar që ngjitej në altarin e sajuar me një tryezë të thjeshtë, në kapelën e djegur të Varrezës së Shkodrës e që fillonte kremtimin e Meshës, ende nën diktaturë.

Dom Simon Jubani me kremtimin e Eukaristisë (Meshës) kremtoi, përkujtoi e shpalli praninë e Krishtit Zot në mesin e popullit të tij. Eukaristia përherë kujton e vazhdon të na kujtojë se e Mira ngadhënjen mbi të keqen, Drita mbi errësirën, Dashuria mbi urrejtjen, Ringjallja mbi vdekjen. Pra, qe pikërisht Eukaristia Shenjte që kumtoi Agimin e një epoke të re për shqiptarët.

Kështu, data e 4 nëntorit 1990, që mbeti e paharruar në mendjen dhe zemrën e shkodranëve e të të gjithë shqiptarëve, dëshmoi se populli shqiptar që nuk e kishte harruar Zotin, që nuk e kishte mohuar fenë e as vlerat më fisnike, edhe pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror.

Në këtë përvjetor po kujtojmë Meshën kremtuar në varreza të Shkodrës nga dom Simon Jubani, pikërisht me protagonistin. Nga arkivi zanor i Radio Vatikanit kemi shkëputur një pjesë nga intervista e dom David Xhuxhës realizuar me rastin e 10-të vjetorit të Meshës së 4 nëntorit 1990 me dom Simon Jubanin, që kujton, kontestualizon e vlerëson atë akt të shenjtë e atë ngjarje historike për Shqipërinë. Ta dëgjojmë:

Dom Simon Jubani
04 nëntor 2024, 09:02