Çelësi i fjalëve të Kishës: ajo dritë e Zotit, që na pret të gjithëve

Zoti na mëson t’i përballojmë problemet pa lënë pas dore asnjë, por në mënyrën e duhur, duke filluar nga besimi në fuqinë e lutjes. Siç dëshmon Joseph Folliet (1903-1972), meshtar, gazetar dhe edukator francez, që na ndihmon të reflektojmë mbi gjithçka do të gjejmë në fund të rrugëtimit tonë

R.SH. - Vatikan

Përtej shqetësimeve dhe problemeve pak a shumë të mëdha që mund të hasim, ata që kanë besim te Zoti mendojnë se i pret një e ardhme e ndritur. Kjo nuk do të thotë t'i marrësh me mendjelehtësi vështirësitë, por t'i jetosh pa u shtypur prej tyre, me lehtësinë dhe urtinë e atij që është "në" botë pa qenë "i" botës.

Fjalë të bukura, mund të thotë ndokush, por nuk marrin parasysh urgjencat e përditshme, të cilat duket sikur harrojnë se sa dhimbje mund të përmbajë ekzistenca jonë, sidomos kur rëndohet nga dhimbja e një tradhtie, nga vuajtja e një sëmundjeje, nga ankthi i zhdukjes së një njeriu të dashur.

Natyrisht, askush s’ka ndërmend t’i ftojë njerëzit të jenë indiferentë, pasi Zoti na mëson t’i përballojmë problemet pa lënë pas dore asnjë, por në mënyrën e duhur, duke filluar nga besimi në fuqinë e lutjes. Siç dëshmon Joseph Folliet (1903-1972), meshtar, gazetar dhe edukator francez, që na ndihmon të reflektojmë mbi gjithçka do të gjejmë në fund të rrugëtimit tonë. Ja çfarë shkruan ai:

“Unë besoj, o Zot,

se në fund të udhës

nuk ka më për të ecur

i japim fund shtegtimit.

Unë besoj, o Zot,

se në fund të natës

natë tjetër nuk ka,

por agim.

Unë besoj, o Zot,

se në fund të dimrit

dimër më nuk ka,

por pranverë.

Unë besoj, o Zot,

se pas dëshpërimit

dëshpërim tjetër nuk ka,

por shpresë.

Unë besoj, o Zot,

se në fund të pritjes

pritje më nuk ka,

por takim.

Unë besoj, o Zot,

se pas vdekjes

vdekje nuk ka më,

por jetë”.

05 dhjetor 2024, 09:29