Çelësi i fjalëve të Kishës: lutja e kujdesit për kohën e çmuar
R.SH. – Vatikan
Sidomos në Krishtlindje e kuptojmë mjaft mirë: dhurata më e çmuar që kemi e që, pikërisht për këtë arsye, mund ta dhurojmë, është koha. Nuk është rastësi që një nga këshillat më të përhapura, që njerëzit i japin njëri-tjetrit, përmban ftesën për të mos humbur asnjë sekondë. “Koha është flori”, thotë një fjalë e urtë popullore. Në një konceptim më të gjerë, kjo do të thotë që çdo çast i jetës sonë është i çmuar, duhet të përdoret mirë, mundësisht bashkë me të tjerët. Sepse koha, që kalojmë me miqtë, është jashtëzakonisht e çmuar, edhe pa bërë asgjë të veçantë. E kur e duam vërtet një person, pavarësisht nga detyrat e impenjimet, e gjejmë gjithmonë një çast për të.
Në jetën e shpirtit, kjo pasqyrohet në dëshirën për të ndenjur me Zotin, duke u përpjekur të mendojmë si Ai, duke e pranuar vullnetin e Tij, edhe pse mund të jetë larg dëshirave tona. Këtë e nënvizon me thellësi dhe qartësi filozofi i njohur francez Jean Guitton (1901-1999), protagonist i Koncilit II të Vatikanit, ku ka qenë dëgjuesi i parë laik, mik i madh i Papës shenjt Montini, nga afërsia me të cilin lindën dy libra: "Dialog me Palin VI" dhe "Pali VI sekret". Në këtë lutje, Guitton nënvizon rëndësinë e përdorimit të mirë të ditëve të jetës, si edhe i kërkon Zotit urtinë për të mësuar si ta duam kohën.
"O Zoti im,
më mëso ta përdor mirë kohën, që më jep
dhe ta kaloj si duhet, pa e humbur kot.
Më mëso të parashikoj, pa u torturuar për të ardhmen,
më trego si të nxjerr mësim nga gabimet e së kaluarës,
pa i lënë skrupujt të më gozhdojnë.
Më mëso ta imagjinoj të ardhmen
pa u dëshpëruar se mund të mos jetë
ashtu si e mendoj unë.
Më mëso të derdh lot për fajet e mia
pa rënë në ankth.
Më mëso të veproj pa nxitim,
dhe të nxitoj pa thyer qafën.
Më mëso si bashkohen ngutja me ngadalësinë,
qetësia me përflakjen e zemrës, zelli me paqen.
Më ndihmo në fillim të punëve,
sepse pikërisht atëherë jam i brishtë.
Vigjëlo mbi vëmendjen time kur punoj,
e sidomos, mbushi ti boshllëqet në veprat e mia.
Më bëj ta dua kohën,
që është kaq e ngjashme me hirin tënd,
sepse ajo i çon deri në fund të gjitha veprat,
i çon deri në përsosje,
pa na lënë përshtypjen
se, në një farë mënyre, po marrim pjesë në to.